Një burim natyror ujor në zonën kufitare Shqipëri-Kosovë është kthyer në “monument kujtese” dhe quhet Kroi i Lotit. Në kohën e diktaturës banorët takoheshin fshehurazi me të afërmit e tyre ndërsa sot është atraksion.
Kroi i Gorozhupit, njohur si Kroi Lotit ndodhet në territorin e Prizrenit, në kufirin verlindor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Për të mbërritur tek ky krua duhet të udhëtosh me fuoristradë në një rrugë rurale rreth 40 km nga Kukës në Has, e më tej 30 minuta në këmbë, shoqëruar nga banorët e zonës.
Në një peizazh malor ku Shqipëria dhe Kosova puthiten, Kroi i Gorozhupit rrjedh si gjithmonë por uji i tij i ftohtë dhe i kthjellët fsheh një kujtim të hidhur: për dekada të tëra, nën hijen e diktaturës, ishte pikërisht këtu, në këtë vend të vetmuar, që njerëzit ndesheshin fshehurazi për të përqafuar të afërmit e tyre nga ana tjetër e kufirit, të ndarë nga telat e gjembosur. Çdo pikë uji që pinë ishte e përzier me lotët e ndarjes dhe shpresës.
Kroi i Gorozhupit, ka një histori të veçantë. Në këtë burim ujor që rrjedh nga mali, hasjanët e ndarë në dy shtete, mbushnin ujë dhe çmalleshin me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për vitet 1948-1989, kur Shqipëria Komuniste prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe hasjanët ishin të detyruar të mbushnin ujë në praninë e forcave ushtarake kufitare, ndaj e emërtuan “Kroi i Lotit” apo “Vajtimit”.
Lulzimi Thaqi, kujton se në moshë të vogël bashkë me të atin vinin te “Kroi i Lotit” për të parë të afërmit e tyre.
“Këtu jemi në kufi, vendi ku kanë mbushur ujë disa fshatra të Shqipërisë dhe disa të Kosovës. Këtu për shembull deri në vitet ’90 ne vinim tek kroi jo vetëm për të mbushur ujë, por për t’i cuar fjalë njëri-tjetrit. Se ne kishim kushërinj, të afërm që kishin mbetur andej (ish-Jugosllavi) dhe u cconim fjalë, u thoshim për raste lindjesh, vdekje, martesa, edhe ata gjithashtu na tregonin ne. Pra ishte vend takimi me njëri-tjetrit”,- shprehet Lulzim Thaqi banor i zonës.
Me rënien e diktaturës në Shqipëri dhe më pas çlirimin e Kosovës, ky krua u shndërrua në atraksion turistik për banorët e zonave kufitare dhe turistët e huaj. Dhe ndërsa rrjedh pa pushim, Kroi i Lotit vazhdon të kujtojë se ndarjet janë kalimtare, por lidhjet e gjakut dhe kujtimet janë të përjetshme.
Burimi: Shqiptarja.com
https://shqiptarja.com/lajm/kroi-i-lotit-historia-e-rralle-e-burimit-ne-kufirin-shqiperikosove