Bujtina “Pazari i Vjetër” në Krumë është shumë më tepër se thjesht një vend për t’u ngrënë; ajo është një projekt pasioni dhe dashurie, i lindur nga ëndrra e një nëne për kuzhinën tradicionale. Themeluar nga Demush Kastrati dhe familja e tij, bujtina rrëfen një histori të veçantë fillimi: nga gatimet në shtëpi dhe dërgesat për miq, deri te kthimi në një ndërtesë me rëndësi historike në zemër të ish-“Pazarit të Vjetër” të qytetit. Ky emër nuk është i rastësishëm; ai është një homazh i thellë ndaj historisë së lashtë të lagjes, ku ndërtesa e bujtinës shërbeu dikur si njësia e parë e shërbimit në kohën e regjimit, duke u kthyer tani në një simbol të rikthimit të traditës, nostalgjisë dhe shijes autentike të kuzhinës hasiane.
Elementi dallues i “Pazarit të Vjetër” është një synim i pandërprerë për autenticitet, i reflektuar në çdo detaj. Ambienti fizik është një muze i jetës. Me një ndërtim që kujton kullat e moçme, bujtina është e stolisur me gurë të gdhendur me dorë, të grumbulluar me durim nga fshatrat e Hasit, dhe të mbushur me relike të vjetra – nga mjetet e zejtarëve dhe të rrobaqepësve, tek veshjet e dikurshme. Kjo nuk është thjesht dekoratë; është një përpjekje e ndërgjegjshme për të risjellë në jetë kulturën dhe traditat e një zone me një trashëgimi të pasur, duke i kthyer vizitorët në mysafirë që përjetojnë një kohë tjetër.

Në thelb të kësaj përvoje qëndron kushtëzimi ndaj kuzhinës autentike hasiane dhe ushqimeve bio. “Pazari i Vjetër” është dhe mbetet një testament i dashurisë së diasporës për tokën e tyre dhe dëshirës së të rinjve për të investuar dhe të zhvilluar rajonin.
Intervistë e plotë e Z. Demush Kastrati, një nga themeluesit e Bujtinës “Pazari i Vjetër” për Diasporën Hasiane.

1. Si lindi ideja për të hapur Bujtinën “Pazari i Vjetër”?
Ideja e hapjes së bujtinës mori pikënisje nga një dëshirë dhe pasion i nënës që ka për kuzhinën. E kemi nisur këtë gjë duke gatuar në shtëpi dhe duke bërë dërgesat e ushqimeve nëpër lokalet e afërta në qytet. Kryesisht porositë na janë bërë nga miq tanë të afërt. Kështu, shkoi duke u rritur kërkesa. Në pronën familjare që kishim blerë së bashku me vëllanë (që ndodhet në Angli), vendosëm ta ndërtojmë këtë “shtëpi gatimi”.
2. Emri Bujtina “Pazari i Vjetër” është shumë i ngrohtë dhe i ftuar. Pse e zgjodhët pikërisht këtë emër? A përfaqëson një filozofi specifike?
Bujtina jonë ndodhet në ish-pjesën e vjetër të qytetit të Krumës. Është quajtur lagjia “Pazari i Vjetër”. Ndërtesa që kemi blerë ka qenë njësia e parë e shërbimit që është ndërtuar që në kohën e regjimit të kaluar, rreth viteve 60-70. Ka shërbyer si restorant dhe hotel që në pikënisjen e ekzistencës së saj si ndërtesë, dhe ky ka qenë pikërisht qëllimi për të cilin është ndërtuar. Kjo lagje ka pikënisje akoma më të hershme, para viteve 43-44, pasi ka pasur arkitekturën e qarshisë së Gjakovës apo të Shkupit, por fatkeqësisht pas ardhjes së regjimit ndryshoi struktura. Në këtë lagje janë kryer të gjitha shërbimet si zejtaritë, këpuctari, farmaci, furrë buke, rrobaqepsi, berberhane, si dhe zyrat e institucioneve të kohës. Pra, këtë emër e zgjodhëm në respekt të asaj që ka qenë ndërtesa, emrit ku ndodhet gjeografikisht, dhe logjikës së rikthimit të asaj që dikur ka qenë: nostalgi dhe shije në gatim, traditë dhe kulturë!
3. Çfarë ju shtyn të jeni të përqendruar në ushqime bio?
Ushqimet bio janë dashuria dhe përkushtimi që kemi për kuzhinën dhe për klientin. Ne duam që shëndeti dhe shija të kombinohen. Për ne, ushqimi është edhe emocion, përveçse një vakt i radhës!
4. A mund të përshkruani shkurtimisht filozofinë tuaj në kuzhinë?
Ne kemi fatin të kemi një kuzhinier me përvojë! Dhe aty gatuhet me shumë dashuri dhe me përkushtim! Ne duam që ushqimi të jetë një “ftesë” e shijshme për klientin për të vizituar bujtinën sa herë që atyre u jepet rasti! Ne punojmë me këtë parim: “Klient i kënaqur, kuzhinë e kënaqur!” Gjatimet janë tipike hasiane dhe të zonës! Kuzhinieri është nga Has, një person i afërt i joni! Ka një eksperiencë të gjatë në këtë profesion! Ka punuar dhe në emigracion me këtë profesion!

5. Cilat janë 3 pjatat ikonike të “Bujtinës Tonë” që nuk i humbin asnjë vizitor? Çfarë i bën ato unike?
Pjatat tipike janë:
A. Mishi i kecit (mish i zonës)
B. Mishi i qengjit (mish i zonës)
C. Pula fshati (te fermerët)
6. A keni përdorur objekte, vegla ose mobilje të vjetra (relike) për të dekoruar ambientin? A mund të veçoni disa?
Në ndërtimin e bujtinës ka një veçori. Ka stilin e vjetër të kullave të moçme! Kemi grumbulluar gurë të gdhendur me dorë nga të parët tanë, nga të gjitha fshatrat e Hasit, nga shtëpi të vjetra që janë rrënuar dhe me dakortësi të familjarëve; disa na janë dhuruar dhe disa i kemi blerë! Pastaj, ka shumë objekte, relike, mjete pune, apo veshje, që janë përdorur në periudha të ndryshme nga banorët e Hasit në të kaluarën! Të gjitha këto janë bërë për të risjellë jetën, kulturën, apo traditën që ka kjo zonë!
7. Si e përshkruani atmosferën që keni krijuar? A është ajo e një shtëpie tradicionale shqiptare?
Jemi munduar të krijojmë një “shtëpi për të gjithë”, që nga gatimi e deri tek ambienti apo ngrohtësia me të cilën i presim dhe respektojmë miqtë tanë që zgjedhin bujtinën! Filozofia jonë është: klientët i trajtojmë si mysafirë tanë! Është një ambient tejet familjar dhe mikpritës!
8. A keni një fermë? Nëse po, çfarë lloj ferme është?
Unë kam një fermë me një numër të konsiderueshëm lopësh dhe viçash, që kalon mbi 65 krerë, dhe një numër afro 1000 pula! E kemi pothuajse një vit që e kemi nisur. Kam pasur fatin që kam miq fermerë të tjerë që më kanë ndihmuar me eksperiencën e tyre, por dhe me produktet e tyre, si qengjat apo kecat!

9. Çfarë produktejsh merrni nga ferma për bujtinë?
Nga ferma, për ne shërbim të bujtinës, marrim qumështin, mishin e viçave dhe pulat!
10. Si ndikojnë produktet bio të zonës dhe të fermës suaj në shijen e pjatave?
Produktet bio të zonës dhe të fermës sonë ndikojnë që kuzhina jonë, me bazë kuzhinën tradicionale të Hasit, të nxjerrë gjellë sa më të shijshme dhe me shijën e “vaktit të shtëpisë”. Pite e Hasit është kryesorja, të mos harrojmë!
11. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? A keni ndonjë projekt të ri?
Në të ardhmen, ne duam të krijojmë mundësi që t’u vëmë në dispozicion të mysafirëve tanë edhe hiking! Do të donim të vendosnim në fermë 5-6 kuaj, dhe mysafirëve që e preferojnë këtë eksperiencë për të vizituar malet tona, t’u krijojmë këtë mundësi.
12. Cila është ftesa më e sinqertë për mysafirët tuaj?
Mikpritja hasiane, ushqimi bio i zonës, janë ftesa më e sinqertë për mysafirët tanë!

13. A keni ndonjë produkt të ri në plan për fermën?
Në raport me fermën, duam të krijojmë në të ardhmen djathin e Hasit.