Një histori katër brezash dashurie për brumin, që fillon në furrat e vjetra të Hasit dhe sot ndez aromën e përditshme në 15 pikat e Tiranës.
Në zemër të Tiranës, era e ëmbël e bukës së sapopjekur që del nga dyqanet e “Furrë Buke Pasticeri Sulaj” është më shumë se thjesht një aromë; ajo është fryma e një historie prej katër brezash, e vijuar me dashuri dhe kujdes. Kjo histori nis nga rrënjët thellësisht familjare dhe nga toka e Hasit, një vend ku zanati i brumit është trashëguar brez pas brezi.
“Historia e ‘Furrë Buke Pasticeri Sulaj’ nis nga rrënjët tona familjare. Ne jemi me origjinë nga Hasi, një vend ku zanati i brumit është trashëguar brez pas brezi, që nga stërgjyshi e deri tek babai Bajram Sulaj,” tregon vajza e trashëgimtarit.

Kjo nuk është thjesht një deklaratë, por themeli i gjithë identitetit të Sulaj. Prodhimet e brumit janë një traditë hasjane e trashëguar brez pas brezi dhe sot vazhdohet dhe përcillet me profesionalizëm.
Rruga për të kthyer ëndrrën në realitet nuk ishte e thjeshtë. Puna nisi në Greqi për disa vite, “ku punuam me shumë mund për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”. Kjo përvojë ishte shkolla e parë e sakrificës, përpara se të shpërblehej me kthimin në Shqipëri dhe hapjen e furrës së parë “Sulaj” në Tiranë, në vitin 1999. Ajo ishte, siç e kujtojnë me emocion, “një ëndërr e vjetër, e cila mori jetë mes sakrificave, shpresës dhe dashurisë për zanatin”.
Sot, biznesi është një pasqyrë e përsosur e vlerave familjare. “Biznesi ynë është vazhdim i punës së katër brezave. Nga stërgjyshi që nisi zanatin, tek gjyshi e babai, dhe sot edhe ne, fëmijët, po e mbajmë gjallë dhe po e çojmë më tej me energji dhe ide të reja.” Synimi ka qenë gjithmonë i pandryshuar dhe i qartë: “Të sjellim në sofrën e shqiptarëve një bukë të bërë me dashuri dhe mjeshtëri, duke ruajtur traditën dhe duke dhënë cilësi” – shprehet vajza e familjes Sulaj plot krenari.
Ajo thotë se kujtimet nga fillimet janë të ëmbla dhe plot ngjarje simbolike: “kujtojmë furrën e parë të vogël dhe emocionin kur ndiznim dritat herë në mëngjes. Era e bukës së sapopjekur shpërndahej në rrugë, dhe çdo klient që hynte ishte një inkurajim i mirë për ditët që do të vinin. Ishte një kohë e thjeshtë, por me emocione të mëdha”.
Në zemër të suksesit të Sulaj qëndron buka tradicionale, e cila “është gjithmonë më e kërkuara. Ajo dallon për shijen e vërtetë, brumin e punuar me kujdes dhe recetën që ka kaluar brez pas brezi”. Sekreti? “Kombinimi i mjeshtërisë së trashëguar me përkushtimin e përditshëm.” Dhe po, ata e pranojnë me krenari: “kemi receta të veçanta të trashëguara, që nuk gjenden askund tjetër. Çdo produkt mban brenda historinë dhe pasionin e brezave tanë” – thekson më tej vajza.
Përballë sfidave të tregut dhe konkurrencës, Sulaj ka zgjedhur rrugën e integritetit. “Sfida më e madhe ka qenë të qëndrojmë të fortë… Por, duke mos e ulur kurrë standardin e cilësisë dhe duke qenë të sinqertë me klientin, ia kemi dalë.” Kjo ndershmëri i ka kthyer klientët në familje. “Klientët na kanë zgjedhur sepse gjithmonë kanë gjetur tek ne sinqeritet, shije dhe ngrohtësi… Ka shumë prej tyre që kanë blerë bukë tek ne që fëmijë, dhe sot kthehen me fëmijët e tyre”.
Momenti më i krenarisë për ta nuk është një shifër, por një ndjesi: “kur shohim që ‘Sulaj’ nuk është më thjesht një biznes, por një emër i dashur për njerëzit”. Ata e ndjejnë veten si “një pjesë e përditshmërisë së Tiranës. Për shumë familje, buka jonë është një pjesë e tryezës së përditshme, një kujtim i ngrohtë i fëmijërisë dhe i traditës”.
Për të ardhmen, “Furrë Buke Pasticeri Sulaj” synon “të vazhdojë të rritet dhe të modernizohet aty ku duhet, pa e humbur kurrë shpirtin e traditës”. Me 15 pika shpërndarje në Tiranë, ata vazhdojnë të jenë një shenjë e dukshme e kësaj tradite. Synimi i tyre mbetet i pandryshuar: “të jemi gjithmonë një pikë referimi për cilësinë dhe ngrohtësinë që sjell një tryezë shqiptare”.
Dhe kjo është ftesa e tyre e përhershme për të gjithë: “Ne shpresojmë që çdo kafshatë nga buka apo ëmbëlsirat tona t’ju japë ndjesinë e ngrohtësisë së shtëpisë, të dashurisë së familjes dhe të kujtimeve më të ëmbla”.- është ky misioni i familjes Sulaj.
