Paratë që emigrantët dërgojnë drejt familjeve të tyre në Shqipëri vijojnë të rriten, por me ritme më të ngadalta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 remitancat arritën në 532 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
Ky është niveli më i ulët i rritjes që prej vitit 2020, kur flukset e emigrantëve u prekën nga pandemia e Covid-19. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, remitancat ishin zgjeruar me 14.5%.
Që nga viti 2013, remitancat kanë njohur një tendencë të qëndrueshme rritjeje, e lidhur me ciklin e ri të emigracionit që nisi sidomos pas vitit 2015. Pas një tkurrjeje gjatë vitit pandemik, dërgesat u rimëkëmbën me shpejtësi, duke kapërcyer për herë të parë pragun e 500 milionë eurove në gjysmën e parë të 2024-s.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm në periudhën 2022-2023 janë dhënë 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë në vendet e BE-së. Që prej vitit 2008, rreth 920 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi, duke krijuar një bazë të gjerë për prurjet e remitancave.
Kanalet tradicionale të emigracionit, si Greqia dhe Italia, vijojnë të mbajnë peshën kryesore të transfertave, por vitet e fundit janë shtuar dërgesat edhe nga destinacione të reja si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korente në bilancin e pagesave, duke përfshirë transfertat përmes bankave, institucioneve financiare dhe operatorëve të transfertave, si dhe vlerësimet për prurjet informale.
Për këtë qëllim, Banka kombinon të dhënat e sistemit bankar, raportimet e subjekteve të licencuara dhe anketat me familjet përfituese.
Remitancat nga diaspora shqiptare luajnë një rol jetik në ekonominë dhe jetën sociale të vendit. Për shumë familje, ato përbëjnë burimin e vetëm të të ardhurave, duke ndikuar direkt në përmirësimin e standardit të tyre jetik. Po kështu, diaspora hasiane kontribuon në mënyrë të konsiderueshme përmes remitancave, duke i siguruar familjeve të tyre në atdhe kushte më të mira jetese dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre ekonomike.
Burimi: Albanianpost