Emisioni “Pro Business” në Tv Klan ka patur në fokus të pjesës së parë “Diasporën Hasjane”, një nismë e sipërmarrësve hasjanë në Londër, për të patur fokusin në vendlindje. “Diaspora Hasjane” synon, para së gjithash, të bashkojë dhe të organizojë të gjithë hasjanët në Britaninë e Madhe, dhe kudo që ndodhen në botë, në një strukturë të vetme dhe koherente.
Qëllimi i saj kryesor është të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për të ruajtur dhe përçuar identitetin dhe trashëgiminë kulturore të rajonit të Hasit te brezat e rinj. Kjo synohet të arrihet përmes një sërë aktivitetesh, organizimit të ngjarjeve kulturore si festivalet tradicionale dhe nëpërmjet shkëmbimeve për të rinjtë për të forcuar lidhjen me rrënjët.
Në të njëjtën kohë, nisma synon të jetë një forcë aktive në zhvillimin social dhe ekonomik të vendlindjes, rajonit të Hasit. Ata planifikojnë të kontribuojnë përmes projekteve të drejtpërdrejta, si donacione për institucione arsimore dhe shëndetësore, si dhe nëpërmjet nxitjes së investimeve dhe të bizneseve lokale. Një fokus i veçantë vihet në krijimin e platformave për të promovuar produktet hasjane dhe në nxitjen e turizmit, me qëllimin përfundimtar të ndihmimit në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për rajonin.
Në intervistën për “Pro Business” themeluesit e “Diasporës Hasjane”: Z. Ilir Nabolli, Z. Shefqet Kraja, Z. Mentor Bokçiu dhe Z. Edmir Dida theksuan potencialet që ka Hasi dhe mundësitë për ta zhvilluar më tej.
“Të bëhet një urë lidhëse mes diasporës, hasjanëve dhe shqiptarëve kudo që janë. Unë mendoj që promovimi i mundësive të bizneseve në Has do jetë thelbi i iniciativës që të zhvillojnë bizneset e tyre në blegtori dhe në turizëm sepse ka potenciale të mëdha”-tha sipërmarrësi Nabolli.
Synimet janë të shumëfishta, përfshirë dhe Rivitalizimin e festave tradicionale si Festa e Pashtrikut.
“Ne kemi festën e Pashtrikut. Ajo promovohet por nuk bëhet aq sa është e mundur, kështu që për mendimin tonë, mund të bëhet diçka më e mirë, diçka më e madhe. Përforcimi do jetë më i madh“.tha Sipërmarrësi Shefqet Kraja.
Edhe sipërmarrësi hasjan që operon me biznesin e tij në Londër, Z. Mentor Bokçiu thekson rëndësinë e bashkimit për të ruajtur kulturën dhe traditat ndërsa thotë që interesi për të investuar në Shqipëri është i lartë. “E vetmja gjë që disa nga ata i ndalon është mënyra e sistemit. E shohin si shumë të vështirë për të investuar ose për të komunikuar me vendin ose për t’u ambientuar. Ajo është gjëja më e vështirë. Të hapësh një biznes, kërkon infrastrukturë, kërkon fuqi punëtore”.
Sipërmarrësi Edmir Dida përshkruan një komunitet të madh dhe të stabilizuar hasjanësh në Londër. Vlerëson kontributin e emigrantëve si në vendin pritës ashtu edhe në vendlindje.
“Potenciali i Hasit është më shumë tek turizmi familjar dhe bujqësia. Ka turizëm malor të pazhvilluar dhe të pafrytëzuar”-tha Dida.
Ndryshe nga sipërmarrësit që kanë zgjedhur të ndërtojnë bizneset e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, sipërmarrësi i ri, Uran Derri ka menduar të qëndrojë në Shqipëri dhe ta ndërtojë këtu të ardhmen. Si Koordinator i “Diasporës Hasjane” ai ndalet tek sfidat e mëdha për biznesin në Has për shkak të rënies së mprehtë demografike dhe mundësitë për të kapërcyer këto probleme.
Ndërkohë Nazlie Laçi, Sekretare e përgjithshme e Bashkisë Has, konfirmon se bashkia ka një potencial të konsiderueshëm për të tërhequr investime nga diaspora për shkak të lidhjeve të forta familjare. Ajo thotë se kjo bashki ka një hartë me 30 projekte për tu zhvilluar. Kultura hasjane do të jetë në zemër të “DIASPORËS HASJANE” për tu promovuar dhe zhvilluar më tej.
Dasma Hasjane të futet në UNESCO, ky është propozimi i mësueses Shkurte Mula që përçon traditën brez pas brezi ndërsa zbulon një thesar që ka në duar: ka mbledhur mbi 300 këngë dasme dhe është gati t’i botojë ato si trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Një ndër instrumentet që ka shoqëruar vallet e kësaj krahine, ashtu edhe ato të malësisë së Shqipërisë së Mesme dhe Veriore e Verilindore është çiftelia. Aset janë artistët e vjetër, një ndër ta është Artisti i Madh Hysen Dida. Një nga objektivat e Diasporës Hasjane është fokusi tek rinia.
Ilirjeta Krasniqi, që prej vegjëlisë është pjesë aktive e Ansamblit “Pjetër Bogdani” prej 12 vitesh. Ajo tashmë është ambasadore e kulturës Hasjane dhe përfaqëson Hasin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Sipas Censusit të vitit 2023 bashkia numëron 11,687 banorë që jetojnë në Has, ndërsa sipas Gjendjes Civile kjo bashki ka një popullsi prej 21,764 banorësh. Nga ky numër, 7 554 persona janë të moshave 15 deri në 65 vjeç. Hedh themelet “Diaspora Hasjane”. Pro Business zbulon objektivat e nismës.
Burimi: TV KLAN