Kodrat e Tavarushit, Trojzës dhe Kolocit kanë veshur petkun e vreshtit duke i dhënë Tregtanit në Has pamjen e një Toskane në miniaturë. Nisi si një dëshirë e Skënder Bokçiut për të ngritur një fermë por shumë shpejt u kthye në një investim të rëndësishëm vreshtarie e duke përmbyllur edhe ciklet e përpunimit të rrushit dhe prodhimit të verës brenda kësaj ferme.
“Kaberneti sivjet ka ardhur dy javë më vonë për arsye të kushteve klimatike”, u shpreh Bokçiu.
Kabernet, është pjesa më e madhe e vreshtit, varietet që përdoret vetëm për prodhimin e verës.
“Ky është rrushi italian që përdoret kryesisht për verë”, tha fermeri.
Plantacionet janë mbjellë në periudha të ndryshme kohore, dikush katër e dikush tetë vite. Agronomi thotë se kanë marrë prodhim që në vitin e dytë të secilës parcelë.
E kanë nisur me një sipërfaqe 2 hektarësh ndërsa sot e kanë zgjeruar ne 7.5 e më shumë hektarë.
“E kemi nisur me 2 hektar dhe sot kemi 7.5 hektar dhe po zgjerohemi për ditë”, tha ai.
Kur bëhet fjalë për menaxhimin e vreshtit dhe shërbimet si në çdo sektor ka vështirësitë e veta, pjesa më e madhe edhe me mungesën e fuqisë punëtore. Agronomi thotë se mbi 10 punëtore i marrin çdo ditë nga Kukësi.
Puna në fermë është e lidhur zinxhirë për të përmbyllur ciklin, pas vjeljes rrushi transportohet pranë kantinës aty ku nis edhe seleksionimi, shtrydhja dhe mbushja e tenkeve për depozitim e fermentim.
Burimi: rtsh.al