300 lirika të Dasmës Hasjane gati për botim!
Në zemër të Hasit, ku malet përqafojnë këngën dhe tradita flet përmes vargjeve, jeton dhe vepron Shkurte Mula. E lindur më 1955 në fshatin Helshan, ajo është një arkiviste e shpirtit, një ruajtëse e pasurisë kulturore dhe një frymëzuese për brezat e rinj. Në një intervistë të veçantë për Diasporën Hasjane, ajo na tregon për një jetë kushtuar artit, arsimit dhe dashurisë së patundur për folklorin e tokës së saj.
“U linda në fshatin Helshan të rrethit të Hasit, në vitin 1955; një ndër fshatrat më të bukur dhe më të emancipuar të këtij rrethi. Në këtë fshat kreva dhe shkollën 8-vjeçare me një staf mësuesish që nuk harrohen kurrë e që ia vlen të flasësh për ta; qoftë për përgatitjen profesionale të tyre, qoftë dhe për vlerat e larta njerëzore, që ata bartnin. Ata ishin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Mora një edukim të përgjithshëm të plotë dhe të admirueshëm. Veprimtaritë e ndryshme jashtëshkollore ishin të të gjitha fushave dhe shumë frymëzuese. Zgjidheshin talentet dhe inkurajoheshin më së miri. Që në klasën e tretë u përzgjodha për veprimtaritë letraro-artistike. Në klasën e katërt, fitova çmimin e parë në shkallë rrethi për interpretim artistik, me poezinë e Kadaresë, ‘Nëna’. Më shpërblyen me 45 libra artistike për fëmijë dhe shkollën me një bibliotekë të plotë me libra të ndryshme. Ato libra i ruaj edhe sot.” – shprehet Shkurte Mula për Diasporën Hasjane.
Dashuria e mësueses Shkurte Mula për muzikën dhe folklorin nuk erdhi rastësisht; ajo u lind dhe u rrit në një mjedis ku kënga ishte gjuhë e përditshme. Ajo kujton me gjallëri frymën kolektive të fëmijërisë së saj në një nga fshatrat më të bukur të Hasit.
“Mora një edukim të përgjithshëm të plotë dhe të admirueshëm në tetëvjeçaren e Helshanit. Që në klasën e tretë u përzgjodha për veprimtaritë letrare-artistike. Në klasën e katërt, fitova çmimin e parë në shkallë rrethi për interpretim artistik, me poezinë e Ismail Kadaresë, ‘Nëna’.”
Pas shkollës së mesme, vijoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në vitin 1974, e diplomuar, u emërua menjëherë mësuese muzike në Shkollën “Skënderbeu” të Krumës, një institucion ku do të punonte deri në vitin 2015.
“E doja shumë punën si mësuese, e aq më tepër si mësuese muzike. Punova me zell dhe përkushtim, si e re dhe më pas si nënë, pa e ulur kurrë frymëzimin,” kujton ajo.
Kujtimet më të bukura i lidh me fuqinë e këngës në punën kolektive. “Më kujtohen çaste kur, si fëmijë, ndihmonim në korrje. Rreshti ishte 50-60 veta, dhe ne, vajzat, këndonim: ‘O sa bukë e amël, bukë e tokës sonë. Puna, vetëm puna, bereqetin shton…’ Ishte një ndjenjë e bukur e kolektivitetit.”
MISIONI NË KRUMË. KRIJIMI I NJË “FABRIKE” SHPIRTËRORE
Në një kohë kur vlerat kulturore kërcënohen shpesh nga globalizmi, Shkurte Mula e kuptoi shkollën si forca më e fuqishme për ruajtjen e identitetit. Në shkollën e Krumës, ajo ndërmori një mision të rëndësishëm: krijimin e një grupi artistik që ishte një “fabrikë” e vogël e shpirtit kombëtar.
“Krijova grupin artistik të shkollës, ku përfshiheshin kori me dy zëra, solistë, recitues, ansambli i instrumenteve muzikale dhe grupi i kërcimit folklorik. Gjithsej 80 anëtarë, nga klasa e tretë deri në të 12-tën. I drejtoja me fizarmonikë dhe kishim një orkestër me 35 instrumentistë,” rrëfen ajo.
Puna ishte e vështirë dhe e lodhshme, pasi bëhej pas orarit të mësimit, por shpërblimi ishte i papërshkrueshëm. “Ishte një përjetim i bukur. E ndjeje gëzimin kur i shikoje ata fëmijë të lumtur dhe të përkushtuar, me një disiplinë të pazakontë.”
Grupi i saj nuk mbeti i burgosur brenda mureve shkollore. Ai udhëtoi dhe triumfoi, duke u bërë një fenomen kulturor. “Paraqiteshim në brigada, në festivale lokale dhe kombëtare, ku jemi vlerësuar me çmime të ndryshme, deri edhe me Flamurin e Festivalit,” thotë me krenari ajo. “U thyen konceptet e vjetra se vajzat nuk duhet të merrnin pjesë në grupe artistike; përkundrazi, ato shkëlqenin.”

MBËSHTETJA E PADUKSHME
Pas çdo suksesi të madh gjendet një rrjet njerëzish. Shkurte Mula nuk heziton t’i kushtojë nderimet e saj atyre që e bënë të mundur këtë udhëtim.
“Falënderim i veçantë për bashkëshortin tim të ndjerë, për ndihmën e tij. Forca, disiplina dhe dëshira për të bërë atë punë që e ke për zemër, të fusin pa e kuptuar në ritmin e jetës,” thotë ajo me ndjesi. “Respekt dhe mirënjohje gjithë jetën për drejtueset dhe edukatoret e çerdhes dhe kopshtit, të cilat më lanë fëmijët të sigurt nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës.”
Ajo e ndjente kënaqësinë e paparë kur i gjithë komuniteti e kishte vëmendjen tek grupi i saj. “Momentet kur merrje ato duartrokitje, ato ‘Ju lumtë!’, të jepnin frymë dhe nuk kishe ç’të kërkoje më tepër. Ruajtja e trashëgimisë kulturore është detyrë e çdo intelektuali, aq më tepër e një mësuesi.”
FRYMËZIMI DHE PËRCJELLJA E TRADITËS SË PASTËR
Për artisten Shkurte Mula, burim i përjetë frymëzimi ishin “zonjat”, gratë që shkëlqenin në dasma dhe gëzime, duke e shndërruar çdo ngjarje në një shfaqje artistike.
“Ai frymëzim që unë kisha marrë nga shumë zonja, duhej transmetuar tek brezat e mëvonshëm, pa i prishur asgjë, as gjërat më të imëta. Kjo i duhej rinisë, i duhej talenteve. Këtë e transmetova gjatë orëve të mësimit,” shpjegon ajo. “Kjo falë edhe korrektësisë së profesorit të folklorit,muzikologu, mjeshtri i folklorit, prof Ramadan Sokoli. Respekt dhe mirënjohje! Folku hasjan duhet të mbetet unik.”
Ajo me mirënjohje thekson kontributin e drejtuesve të Qendrave Kulturore dhe përmend nxënësit e talentuar që kanë lulëzuar: Afërdita dhe Florida Pepkola, Dylber Geca, Lulzim Peka, Egzon Dida dhe shumë të tjerë, si dhe kontributin e zonjes Shkurte Dauti në kostumografi.
“Folklori nuk plaket, përkundrazi, ai veç rinohet bashkë me brezat. Folklori është një nga tri shtyllat që e mban gjallë një komb,” deklaron ajo me vendosmëri.

GËZIMI I PUNËS ME FËMIJËT
Për të, puna me fëmijët nuk ka qenë kurrë një profesion, por një burim i pashtershëm i energjisë. “Të punosh me fëmijët është puna më e bukur. Nuk ke kohë as të lodhesh, as të plakesh. Kjo më mban gjallë edhe sot,” thotë ajo, duke shtuar se akoma ndihmon dhe udhëheq grupet artistike sa herë që e kërkojnë.
Frymëzimi i saj i parë erdhi nga dasmat. “Aty shpalosej tradita me gjithë komoditetin e saj. Gratë dhe vajzat e rritura e shpalosnin talentin, këndonin, kërcenin dhe improvizonin. Kjo ishte magjike.” Dy hallat e saj ishin një burim i pazakontë emocionesh, me mjeshtërinë e tyre të këndimit dhe të rrotullimit të tepsisë.
PËRJETËSIMI I TRASHËGIMISË. LIBRAT SI DËSHMI
Pas një jete kushtuar trashëgimisë, Shkurte Mula vazhdon të jetë krijuese dhe arkiviste. Në një akt të thellë mirënjohjeje, ajo po përgatit një libër lirikash ku do të përfshijë emrat e të gjitha “Zonjave” që e mbushën Hasin me këngë.
“Te libri me lirika që do të botoj, i kam rreshtuar emrat e të gjitha Zonjave që i njeh gjithë Hasi. Gjithë këngët e tyre bëheshin ‘hite’,” thotë ajo.
Ajo ka mbledhur, përpiluar dhe krijuar rreth 300 lirika të dasmës së krahinës. Dy librat e tjerë të botuar, “Fjala” dhe “Urë”, me më shumë se 600 fabula dhe anekdota, i ka shpërndarë falas nëpër shkolla dhe institucione.
“Te libri me lirika që do të botoj, i kam rreshtuar emrat e të gjitha zonjave që janë të përmendura dhe që i njeh gjithë Hasi për shkëlqimin e tyre nëpër dasma e gëzime të tjera familjare. Gjithë këngët e tyre bëheshin “hite” e këndoheshin në çdo dasëm. Më kanë pëlqyer gjithmonë të gjitha llojet e këngëve e të poezive, por tehu ishte te këngët e grave në dasma dhe tek fabulat. Nuk e di pse e kisha aq të lehtë t’i mbaja mend me herë të parë që i dëgjoja. Këto më frymëzuan të mblidhja, të përpunoja e të krijoja rreth 300 lirika të dasmës së krahinës sonë, të cilat pres për t’i botuar. Librat e botuara me më shumë se 600 fabula e anekdota i kam shpërndarë falas nëpër shkolla institucione dhe nxënës që kam pasur ndër vite.”- shprehet mësuesja e dashur për të gjithë.
“Është gjë shumë e bukur kur merr urime dhe falënderime,” thotë ajo, duke treguar disa nga dhuratat më të shtrenjta nga nxënësit e saj: njëra që i thotë se i lexon librat kur mërzitet, një tjetër që e vendos librin në bufen e saj si ekspozitë, dhe kartolina e paharruar: “Gëzuar Vitin e Ri, mësuesja ime! Aty ku ke thinja më shumë, dije se t’i kam nxjerrë unë…”
ZËRI I GRAVE, DHIMBSHURIA DHE QËNDRESA NË KËNGË
Në thellësi të muzikës popullore, Shkurte Mula sheh dhëmbshurinë dhe qëndresën e grave shqiptare. Ajo veçon këngën e vekut dhe ninullën, si shembuj të fuqisë shprehëse të gruas.
“Te kënga e vekut, vajza është e fejuar pa dëshirën e saj. Ajo i shfryn të gjitha frustrimet e saj tek veku, duke qarë dhe duke u ankuar për fatin e saj,” shpjegon ajo. “Këto tema më kanë ngacmuar dhe më kanë rënduar gjithmonë. Më dhimbseshin vajzat e tilla, të privuara nga shkolla për shkak të koncepteve të kohës.”
Libri i saj “Urë” i është kushtuar pikërisht atyre prindërve që i thyen ato norma. Në kopertinën e librit ajo shkruan:
“Pranova të bëhem urë, veç mos t’bjerë askush në ujë!”
Për të përfunduar, ajo ndan dy fragmente nga librat e saj, duke nxjerrë në pah mençurinë dhe humorin e folklorit tonë.
“Drejtësi”
Shtrirë gomerët lart në kodër,
për shtatë palë qejfe
Bobo -thotë njëri
-vdiqa, kam shumë etje!
-Ngrihu -i thotë tjetri,
përroin aty e ke!
-Ai të vijë këtu, pse t’shkoj unë atje?!
E kështu na lindi një goxha debat,
gomari e çoi çështjen në gjykatë.
“Të dënohet përroi!” -tha dashi pa brirë.
“Ai ish duke ecur,
gomari qe shtrirë!”…
“Fjala”(anekdotë)
Ujkun e uritur e të sëmurë,
arusha një natë e ka shpëtuar.
“Kafsho një copë nga shpatulla ime!” -i tha,
me gëzofin e saj e ka mbuluar.
Të nesërmen në mëngjes, arusha e pyet:
“Pa më thuaj, si fjete mbrëmë, zotrote?”
“Mirë-shumë mirë, më shpëtove jetën,
por shumë, shumë e rëndë, ish aroma jote!”
Pas disa ditësh, u panë nga larg…
“Hë mike -i tha ujku, -plagën si e ke?”
“Ajo m’u shërua -arusha i tha,
po s’po më shërohet, fjala që më the!”…

Artistja Mula falenderon për mbështetjen e botimit të librave “Eurosig Albania” me President Kadri Morina dhe “Kastrati” Group.
