Një dialog i thellë me krijuesin për burimet e frymëzimit dhe fuqinë e fjalës.
Në një kohë kur ritmi i jetës është i stuhishëm dhe imazhit i jepet përparësi, biseduam me poetin Servet Bytyçi për të ndaluar dhe dëgjuar një histori frymëzuese të krijimtarisë. Një histori e mbushur me mall për atdhe, me dashuri për gjuhën shqipe dhe me një ndërgjegje të thellë për fuqinë e fjalës.
Nga fëmijëria tek ndryshimet sociale e tek emigrimi, njohja me një ambient e realitet të ri, kultura e gjuhë e re, mënyrë e re e kushte të reja pune, ndërrim i profesionit, formim i ri dhe mënyrë e re e të menduarit – një rifillim pothuajse nga zero!
Bytyçi na tregon për udhëtimin e tij artistik, duke na shpjeguar se si bukuria dhe historia e Hasit janë “të gdhendur në gjak” të çdo rreshti që shkruan. Për të, fillimi i rrugës së shkrimit nuk ishte një ngjarje e vetme, por një kombinim i rrethanave.

Si emigrant që la shumë gjëra pas dore, duke filluar nga vetja, ai e përshkruan vetë-gjetjen si një proces të vështirë. “Evoluimi teknologjik dhe smartphone-t na afruan me familjet dhe, më në fund, me rrënjët tona, sado virtualisht,” thotë ai. Ky proces, i përshkuar me një dashuri të thellë për librin – “mikun e ngushtë” – e çoi atë në një pikë ku e ndjeu se shkrimi ishte i destinuar. Ai e citon Rumin për ta përmbledhur këtë ndjenjë: “As lulja nuk çel pa i ardhur koha / As dielli nuk lind pa ardhur agimi… Ajo që e ka caktuar Zoti për ty, vjen një ditë!”
HASI, TOKA E SHENJTË E KUJTESËS DHE FRYMËZIMIT
Hasi nuk është thjesht një vendlindje për Bytyçin; është një burim jetik i krijimtarisë së tij. Ai e përshkruan atë si një peisazh fizik dhe konceptual të pasur me ngjyra dhe shkëlqime.
“Po te hysh në brendinë historike të Hasit, në traditën e trashëguar në breza, kulturën hasjane, në këngët e vallet, dasmat e gëzimet! Patjetër se ndihesh i privilegjuar. Aty kanë zanafillën shkrimet e para Shqip. Me Bogdanët, së pari, e deri në vazhdimësi, me Hasin e luftërave për liri. Me odat e burrave, e bisedat me mysafirë! Dhe këto më mbajnë të lidhur si qenie dhe si vetëdije! Dhe padyshim nëse lexon vargjet e mia, aty i gjen dhe këto fakte, dhe ndjesi!”- shprehet Bytyçi.
“Hasi për mua ka ndikuar pazgjidhshëm e thelbësisht në krijimtarinë time! Fizikisht, si natyrë, por edhe si koncept! Me tërë atë larmi ngjyrash e shkëlqimesh. Dhe këtu dua të veçoj faktin se, unë jam banor i Bregut të Drinit. Drini për poetët, por edhe për çdo banor të kësaj ane, është si Rini për gjermanët! Drini plak e i përrallmë, po buron prej Shëndaumi thotë Lasgushi! Ku bukuria e asaj ane të Hasit, është aq unike e aq e jashtëzakonshme! Të presësh lindjen e diellit në Has është bekim i vërtetë! Tek lëshon rreze mbi malet e Lumës, Gjalicë e Koritnik, mbi qafa, gryka e kodra përreth! Të lahesh në ujërat e Drinit e krojet e fshatit, apo të mrizosh nën hijen e lisave, bëhesh poet me zor!”- thotë poeti.
POEZIA. NGA AUTORI TE LEXUESI, NJË UDHËTIM I NDJENJAVE
Për Bytyçin, poezia, edhe pse fillon si pronë e autorit, kur publikohet, i përket lexuesit. “Unë shpresoj që lexuesi, para se gjithash, të gjejë vetveten dhe të vërtetën,” shprehet ai.
Komunikimi i thuajse përditshëm me lexuesin i jep një kënaqësi dhe ndjenjë të veçantë! Njohja me njerëz nga të katër anët e vendit, e të gjitha niveleve akademike e shoqërore, është një pasuri e çmuar, që shpreh vlerësim dhe dashuri reciproke!
Kur lexuesit i shkruajnë, ose i dërgojnë mesazhe a e telefonojnë! Si rast kulmor është ai i një miku artist, i ndjerë tashmë, i cili, duke lexuar një poezi të tij, Bashkëshortja i shkruan: “Servet, jam unë që po shkruaj. Ndërsa unë po lexoj, Maliqi po i bie kitarës dhe po qanë”! E raste të tjera të panumërta, ku unë ndihem i inspiruar dhe motivuar thotë ai!
VEPRAT: NJË PASURI E SHUMËANËSHME
Deri më tani, Servet Bytyçi ka botuar tre libra:
- “Lulëbozhuri i Dugagjinit” (poezi origjinale)
- “Hëna prapë njëlloj ndriçon” (përkthime)
- “Rrjedh o lumë” (përkthime nga Robert Burns)
Përveç kësaj, është pjesë e librit “Shija e Fjalëve”, një vështrim kritik nga Baki Ymeri, dhe ka përkthyer në anglisht librin “Hoje dashurie” me autore, Migena Arllatin! Bashkëpunëtore letrare në tre libra të tjerë.
UDHËTIMI ARTISTIK: PASION, NDËRGJEGJE DHE SFIDA
“Duke parë nga distanca, udhëtimi im artistik, mbi gjithçka, ka qenë pasion. Pasion e dashuri, ndërgjegje e përgjegjësi,” e përshkruan ai rrugën e tij.
“Së pari dua të falenderoj familjen time, e cila më ka përkrahur, nxitur e motivuar në shkrimet e mia! Librat e mi janë prezantuar në Krumë, në Gjakovë, në shkollën ‘Musine Kokalari’ në Tiranë, me drejtues Besim Cengun!
Dhe per mua kjo ka qenë surprizë e plotë! Nxënësit e kësaj shkolle kanë recituar poezi të bukura nga ‘Lulëbozhuri’,gjë e cila ngelet tepër e çmuar. Prezantim i librave,dhe mbrëmje artistike kemi organizuar dhe në ambasadat tona në Londër! Përkatësisht, në atë të Shqipërisë e të Kosovës! Ne të gjithë keto prezantime, kanë marrë pjesë miq e kolegë, personalitete të njohura të fushës së artit e familjarë! Secili më ka sjellë një sadisfaksion të veçantë, dhe ka qenë takim zemrash! Publiku mendoj që i ka pritur me shumë dashuri! Kur vargjet e mia recitohen nga moshat e reja, si në konkurrime, unë ndjej që keto vargje ndoshta një ditë do pasohen në breza!”
Sidoqoftë, ai nuk heziton të tregojë vështirësitë, veçanërisht ato financiare, që e kanë penguar të marrë pjesë në panaire të librit dhe manifestime kulturore, pavarësisht nga ftesat e shumta.
ËNDËRRAT DHE HORIZONTET E REJA: NGA RECITALET TE PËRKTHIMET
Ëndërra e parë e tij e papërmbushur është të botojë dorëshkrimet e grumbulluara. Pastaj, dëshiron të organizojë recital poetik dhe të shndërrojë vargjet e tij në këngë, pasi ka kontakte në këtë fushë. Një ëndërr tjetër ambicioze është krijimi i një antologjie me përkthime nga autorë klasikë botërorë, e shoqëruar me një udhëtim për të njohur vendet dhe jetët e tyre. E përfundon me një citat shpresëdhënës nga Migjeni, duke shprehur dëshirën për një të ardhme më të shndritshme krijuese: “Një ditë ma të lumnueme / Me shpërthye me zjarr / Pa frikë e pa zori.”
Dialogu me Servet Bytyçin është një udhëtim në kujtesën kolektive dhe në shpirtin krijues të një njeriu që e mban Shqipërinë në zemër, pavarësisht nga largësia fizike. Vargjet e tij janë një urë midis një të kaluare të pasur dhe një të tashmeje komplekse, dhe premtimi për vepra të reja është një lajm i gëzueshëm për të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar.

