Nëntor 2025 – Bashkia Has, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), organizoi një aktivitet dy-ditor me temën “Përfshirja e Diasporës në Eventet Lokale”. Aktiviteti u mbështet nga projekti “Forcimi i kapaciteteve Institucionale Vendore për migracionin në Shqipëri”, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, dhe u fokusua në krijimin e rrugëve të qëndrueshme për bashkëpunim të strukturuar.
Qëllimi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit të të gjithë aktorëve për angazhimin efektiv të diasporës në nivel lokal dhe ndër-bashkiak. Nëpërmjet prezantimit të historive të suksesit dhe diskutimeve të fokusuara, u diskutua për të identifikuar mundësi konkrete dhe për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm bashkëpunimi. Takimi u organizua si një vazhdimësi logjike e praktikave novatore të Bashkisë Has në fushat e migracionit dhe diaspores, duke përfshirë hartimin dhe zbatimin e Planit Vendor për Migracionin dhe Diasporen.

Takimi u zhvillua në një format dinamik dhe pjesëmarrës, duke kombinuar prezantime formale me seanca të hapura të diskutimit, ndarje eksperience dhe angazhim të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe sektorin privat.
Pjesëmarrësit në takim:
- Diaspora Hasjane: Shefqet Kraja, Edmir Dida, Ermal Karakushi, Ervin Mulaj, Mentor Bokciu, Alfred Ferizolli, Uran Derri.
- Agjencia Për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore: Z. Stilian Llavdaniti, Drejtor i Përgjithshëm i Komanduar.
- Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar: Zj. Inva Nela.
- Shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë: Znj. Adelina Farrici, Drejtoreshë Ekzekutive.
- Prefektura e Qarkut të Kukësit: Z. Dritan Baji.
- Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM): Znj. Klarina Allushi dhe Z. Endri Xhaferaj.
- Këshilli Vendor Rinor: Znj. Odeta Dauti.
- Stafi i Bashkisë Has: Kryetarët e njësive administrative, drejtorët, sekretarja e përgjithshme dhe specialistët e migracionit dhe diaspores.
- Sektori Privat: Z. Demush Kastrati, pronar i bujtinës “Pazari i Vjetër”.
Takimi e nisi me fjalën e mirëseardhjes së Kryetarit të Bashkisë Has, Z. Miftar Dauti, i cili e vuri në qendër të vëmendjes kontributin potencial të diasporës. “Ju jeni kryefjala e këtij takimi,” deklaroi Z. Dauti, duke shprehur besimin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve lokale për çdo formë bashkëpunimi. Ai prezantoi një pasqyrim të potencialeve të shumta të Hasit, duke i lidhur ato në mënyrë konstruktive me nevojat ekzistuese për zhvillim.

Moderuar nga Znj. Hanife Cahani, Specialiste për Koordinimin Evropian, Migracionin dhe Diasporen, takimi vazhdoi me mesazhe mbështetëse nga përfaqësues të lartë:
- Prefekti i Qarkut të Kukësit, Z. Dritan Baji, e vlerësoi iniciativën si një “shembull suksesi” që duhet replikuar në të gjithë rajonin.
- Znj. Adelina Farrici nga SHBASH u drejtua diasporës: “Vendi juaj ka nevojë për ju, dhe ky takim është një model suksesi.”
- Z. Stilian Llavdaniti nga AMVV e çmoi realizmin e takimit si një “iniciativë të shkëlqyer”, duke e lidhur atë me mundësitë e ofruara nga Procesi i Paketës së Maleve.
- Zj. Inva Nela nga Ambasada Britanike shprehu dëshirën që takimi të shërbejë si “urë komunikimi” e qëndrueshme.
- Përfaqësuesit e IOM-ut e përshkruan Bashkinë Has si një “rast suksesi” dhe u premtuan vazhdimësi në përhapjen e këtij modeli.
- Përfaqësuesit e Diasporës Hasjane identifikuan sektorët prioritarë që kanë nevojë për mbështetje dhe u shprehën të gatshëm për të kontribuar në projekte specifike.
Historitë e Suksesit dhe Prezantimi i Planit Vendor
Një moment kyç i takimit ishte prezantimi i historive personale dhe profesionale të anëtarëve të diasporës. Këto u plotësuan nga dëshmitë e fuqishme të atyre që janë rikthyer në atëdhe.
- Znj. Odeta Dauti, përfaqësuese e Këshillit Vendor Rinor, e përcaktoi rikthimin jo si dështim, por si “forma më e mirë për t’i shërbyer vendit tonë me eksperiencën e fituar”.
- Z. Demush Kastrati, biznesmeni lokal, tregoi se si zgjodhi të investojë në vendlindje duke ngritur “Bujtinë e Vjetër”.

Gjithashtu, u prezantua zyrtarisht Plani Vendor i Veprimit për Migracionin dhe Diasporen, duke përshkruar objektivat dhe masat kryesore për integrimin strategjik të diasporës në politikat e zhvillimit lokal.
Dita e parë e aktivitetit përfshiu edhe një vizitë në terren për përfaqësuesit e diasporës dhe partnerët, e cila solli në pah nga afër potencialin turistik dhe ekonomik të Hasit.
Takimi u mbyll me një klimë optimiste dhe një përkushtim të përbashkët për të kthyer idetë dhe diskutimet në hapa të konkretizuar në të ardhmen e afërt. Theksi u vu në nevojën për të forcuar lidhjen emocionale dhe ekonomike të diasporës hasjane me vendlindjen, duke e pozicionuar atë si një burim të pazëvendësueshëm për zhvillimin e qëndrueshëm lokal.
