Nga sakrificat përtej oqeanit deri tek dashuria për vendlindjen
Në një intervistë të veçantë për Diasporën e Hasjane, sipërmarrësi shqiptar Besim Derri, me origjinë nga Hasi, i cili jeton dhe vepron me sukses në Shtetet e Bashkuara, na rrëfen udhëtimin e tij jetësor dhe ecurinë në botën e biznesit. Nga një fillim i vështirë; në një vend të huaj; deri te ndërtimi i një biznesi të suksesshëm në ndërtim. Historia e tij është një dëshmi e fuqisë së vullnetit, etikës së punës dhe këmbënguljes.
Si e përshkruan momentin kur ju lindi ideja për biznes?
“Momenti kur më lindi ideja për të nisur biznesin tim ishte koha kur njeriu e ndjen se duhet te ndryshoje rrjedhën e zakonshme të jetës. Gjithmonë kam qenë ambicioz, kërkoja më shumë nga vetja dhe nga e ardhmja ime. E dija se një punë e zakonshme me orar nuk do të më jepte as lirinë, as mundësitë që unë dëshiroja. Në të njëjtën kohë, e kuptoja se rruga e biznesit nuk ishte aspak e lehtë.Ideja lindi natyrshëm, nga nevoja, por edhe nga përvoja dhe njohuritë që kisha pervetesuar në kete profesion. E pyesja shpesh veten: Çfarë shërbimi mund t’u ofroj njerëzve? Si mund ta ndërtoj një biznes që jo vetëm nis, por edhe vazhdon? Me kalimin e kohës kuptova se përgjigjja ishte më e thjeshtë nga sa dukej: duhej të ofroja vlerë të vërtetë dhe të filloja duke ndërtuar hap pas hapi themelet mbi të cilat mund të rritesha.Isha i bindur se me vullnet, me ambicie dhe me etikë të fortë pune, mund të gjeja vendin tim në Shtetet e Bashkuara. Një vend ku këto cilësi jo vetëm shpërblehen, por të shtyjnë t’i kapërcesh kufijtë e vetes.Ky moment reflektimi dhe vendosmërie u kthye në pikën e nisjes së udhëtimit tim drejt ndërtimit të një biznesi per një të ardhmeje më të mirë.”
Mund të na rrëfeni pak rreth hapave të parë konkretë?
“Mundësia ime e parë erdhi kur fillova punë tek një kompani që merrej me shitjen e materialeve të ndërtimit. Aty, për herë të parë, pashë nga afër se si funksionon kjo industri dhe sa thelbësore janë komunikimi, besimi dhe aftësia për të shitur. Kjo punë më hapi sytë, jo vetëm për proceset, por edhe për potencialin që kishte kjo fushë. Kuptova se, me mentalitetin e duhur, me etikë të fortë pune dhe me dëshirën për t’i shërbyer njerëzve me ndershmëri, mund të ndërtoja një të ardhme ndryshe nga ajo që kisha jetuar deri atëherë.Me kalimin e kohës, duke vëzhguar, duke mësuar dhe duke marrë çdo përvojë si mësim, fillova të kuptoj se duhej të hidhja hapin tim. Ishte një vendim i vështirë, por i domosdoshëm. E nisa rrugën vetëm, pa mentor, pa një njeri për t’u drejtuar dhe pa komunitet rreth e qark që të më mbështeste. Në ate kohe, komuniteti shqiptar ishte shumë i vogel, prandaj çdo gjë duhej ta mësoja vetë me disiplinë, me këmbëngulje dhe me shumë pune.Hapi i parë ishte një kompani e vogël mirëmbajtjeje. Nuk kishte asgjë të lehtë: punoja gjatë, lodhesha shumë dhe çdo ditë përballesha me sfida të reja. Por ngadalë, si çdo gjë që ndërtohet me djersë, edhe biznesi filloi të marrë formë. Pak e nga pak, operacionet u zgjeruan drejt ndërtimeve të lehta, duke u kthyer në bazën mbi të cilën u ngrit biznesi që kemi sot. Ky udhëtim më ka mësuar një të vërtetë të thjeshtë: suksesi nuk vjen as shpejt, as rastësisht. Ai vjen kur beson në veten tënde, kur shërben me ndershmëri dhe kur nuk dorëzohesh — edhe kur rruga bëhet më e vështira që mund të imagjinosh.”
Cila ishte sfida më e madhe financiare në fillim dhe si e kapërcyet atë?
“Nisëm disa projekte njëkohësisht dhe në një moment na mbaruan fondet. Nuk dinim çfarë të bënim. I vetmi opsion ishte të punonim në ndërtim për të gjeneruar të ardhura, derisa arritëm t’i rifinanconim objektet dhe të stabilizonim situatën financiare.
Pas kësaj, u përqendruam te disa gjëra kryesore:
- Si ta rritnim biznesin dhe të siguronim vazhdimësi në punë.
- Të dërgonim faturat menjëherë sapo të përfundonim punimet.
- Të pezullonim shpenzimet që nuk ishin të domosdoshme.
- Të krijonim abonime të rregullta ose plane mirëmbajtjeje/shërbimi për të pasur të ardhura të qëndrueshme.”
Cila ishte ndjesia kryesore që ju bëri të emigronit dhe të kërkonit mundësi jashtë Shqipërisë?
“Dëshira për një të ardhme më të mirë ishte arsyeja kryesore që më shtyu të largohem. Në atë kohë, jeta sociale në Shqipëri ishte e rënduar — situata politike ishte tepër e tensionuar, pasiguria ishte pjesë e përditshmërisë dhe njerëzit jetonin midis zhgënjimit dhe mungesës së shpresës. Pavarësisht përpjekjeve që bëja, e ndjeja se nuk kishte një dritë të qartë në fund të tunelit. Me kohë kuptova se ndershmëria dhe puna e palodhur nuk mjaftonin për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme apo për të mbajtur një biznes në ato kushte. E them sinqerisht, kisha frikë të largohesha — frikë të nisja nga zero, të shkoja në një shtet të huaj dhe të përballesha me të panjohurën. Por njëkohësisht e dija se, nëse nuk do rrezikoja, nuk do të ecja perpara.Kështu mora vendimin të largohem drejt një vendi që ofronte më shumë mundësi. Edhe pse u nisa me shpresë, e lashë gjithmonë një pjesë të zemrës pas, me bindjen se një ditë edhe Shqipëria do të mund të ofronte kushtet që ne të gjithë meritojmë dhe mund të kthehesha gjithmonë ne atdhe.”
Kur vendosët për SHBA-në, cilat ishin pritjet tuaja specifike dhe a u përmbushën?
“Pritjet e mija ishte të shumta. Në përgjithësi, po — u përmbushën. Nëse ke përkushtim, suksesi vjen. Ëndrrat bëhen realitet vetëm me punë dhe vendosmëri.
Kur vendosa të largohesha për në Shtetet e Bashkuara, e dija që askush nuk do të më priste. E kuptova që mund të më duhej të flija në rrugë dhe të filloja krejtësisht nga e para.Eshte nje thenie ne anglisht: ‘Prepare for the ëorst and hope for the best.’ Edhe nëse do të më duhej të filloja nga e para, e dija që mjaftonte të mbaja të qartë synimin, të ruaja vendosmërinë dhe të mos humbisja vullnetin për sukses.Mu deshën vite për të parë rezultatet e punës sime të palodhur. Por ato vite ndërtuan një themel të fortë – një themel që do kohe për tu ndërtuar dhe sot eshte në këtë nivel.”
Cilat janë produktet ose shërbimet tuaj kryesore?
“Ne operojmë plotësisht në industrinë e ndërtimit me të gjitha licencat dhe kualifikimet e nevojshme si edhe jemi të licensuar për të kryer pune në 3 shtete: NY, NJ, CT. Rinovojmë dhe ndërtojmë banesa, gjë që e bejmë nga themeli deri në dhënien e çelsave në dorë. Gjithashtu kemi një dyqan këtu në Nju Jork ku shesim materiale ndërtimi, guzhina, pllaka, kuarc, dysheme, paisje sanitare dhe çdo gjë që lidhet me ndërtimin. Përveç kësaj kemi edhe disa prona, investime të cilat i japim me qera.”

Cila është përparësia juaj konkurruese në këtë treg kaq të madh? Çfarë e bën biznesin tuaj unik?
“Konkurrenca ekziston dhe do të ekzistojë gjithmonë. Forca jonë qëndron në disa elementë kryesorë:
- Jemi biznes familjar, pra jemi të gjithë të angazhuar.
- E bëjmë gjithçka vetë, nuk kemi nevojë për nënkontraktues, gjë që na lejon të kontrollojmë cilësinë dhe çmimin.
- Biznesi ynë dallohet sepse kemi fituar besnikërinë e klientëve tanë gjatë shumë viteve. Prezantimi nga njëri klient te tjetri, pra rekomandime nga klientët, vazhdon të jetë forma jonë më e fortë e reklamimit.
- Ne qëndrojmë pas çdo pune që bëjmë, pra disponueshmëria jonë siguron që klientët tanë të marrin gjithmonë shërbim të besueshëm dhe efikas.
- Stafi ynë i përkushtuar dhe profesional ndihmon në sigurimin e efikasitetit të kohës dhe cilësinë e lartë që ofrojmë për klientët tanë.”
Si e përballon konkurrencën ekstreme në SHBA? Çfarë keni mësuar nga kjo përvojë?
“Eksperienca sjell vetëbesim, dhe vetëbesimi është një armë shumë e fortë në treg. Fitorja e një projekti nuk varet vetëm nga çmimi, por nga prezantimi, njohuritë dhe profesionalizmi.Ne ngrihemi mbi konkurrentët tanë sepse çdo herë e vendosim veten në pozicionin e klientëve tanë. Pra, duke e parë çdo projekt nga këndvështrimi i tyre, fitojmë një kuptim më të thellë të qëllimeve, shqetësimeve dhe pritjeve të tyre. Kjo na lejon të komunikojmë qartë, të parashikojmë nevojat e tyre dhe të ofrojmë zgjidhje që i përshtaten klientit sipas nevojes. Si rezultat, ne jemi në gjendje të ofrojmë pikërisht atë që premtojmë, në kohën e premtuar, me profesionalizëm dhe me një nivel kujdesi që ndërton besim afatgjatë.”
Përveç konkurrencës, cilat janë pengesat e tjera më të mëdha që hasni në biznes?
“Punojmë kryesisht në New York City (Manhattan), ku ka shumë sfida — rregulla të rrepta ndërtimi, kode, leje, licenca, trafik, mungesë materialesh dhe shumë sfida të tjera të përditshme. Një nga sfidat me të cilat përballemi çdo ditë në këtë biznes është kostoja në rritje e shpenzimeve. Çmimet e larta të sigurimit, materialeve dhe kostot e tjera operative vazhdojnë të rriten, duke e bërë të pamundur shmangien e këtyre presioneve financiare. Pavarësisht kësaj, ne mbetemi të përkushtuar për të ruajtur cilësinë dhe besueshmërinë që klientët tanë presin nga ne.”
Nëse do t’a kishit përsëritur udhëtimin, çfarë do të kishit bërë ndryshe?
“Do të investoja më shumë në prana në kohën kur tregu i banesave dhe normat e interesit ishin shumë të ulëta. Atëherë ishte e vështirë të parashikohej ndryshimi drastik i tregut. Ndryshe nga atëherë, do kisha bërë një përgatitje më të fortë, njohuri më të thella profesionale dhe një vizion të qartë të rrugës përpara.”
Çfarë këshille do t’i jepnit një të riu shqiptar që ëndërron të nisë një biznes në SHBA?
“Mos kini frikë dhe mos u dorëzoni kurrë. Amerika është me të vërtetë vendi i mundësive. Çdo ditë, ecni përpara — edhe nëse hapat duken të vegjël. Edhe përparimi më i vogël është prapë përparim, dhe një ditë do t’ju shpërblejë. Çdo hap, sado i thjeshtë, ju afron me atë që dëshironi të ndërtoni.Filloni të punoni me qëllim, me disiplinë dhe me besim tek vetja. Nëse keni një ëndërr dhe jeni të gatshëm të punoni fort për të, këtu mund ta arrini — dhe do ta arrini. Ky vend shpërblen përpjekjen, këmbënguljen dhe guximin për të mos u ndalur.Por ka një të vërtetë që duhet ta mbani parasysh: suksesi në Amerikë nuk vjen nga justifikimet, nga frika apo nga dekurajimi. Ai vjen nga vendosmëria për të vazhduar, nga gatishmëria për t’u paraqitur çdo ditë dhe nga besimi se jeni të aftë të arrini më shumë.Siç ka thënë Presidenti Ronald Reagan:
‘Mund të shkosh në Francë dhe të jetosh gjithë jetën, por nuk do të të quajnë francez. Mund të shkosh në Gjermani dhe nuk do të të quajnë gjerman. Por kur vjen në Shtetet e Bashkuara dhe jeton këtu, ti je amerikan. ‘Kjo i përmbledh të gjitha, këtu, mundësitë janë për këdo që guxon të ëndërrojë dhe punon fort për të ardhmen e vet.”
Sa e fortë është lidhja me Hasin dhe si e ruani atë?
“Lidhja ime me Hasin është shumë e fortë, aty kam lindur. E vizitojmë dy herë në vit dhe pushimet i kalojmë atje. Unë besoj se nëse humbet lidhjen me vendin e origjinës, humbet një pjesë të identitetit tënd. Kjo është arsyeja pse ne sigurohemi që fëmijët tanë të rriten duke i njohur dhe dashuruar rrënjët e tyre shqiptare. Ne flasim gjatë gjithë kohës për shtëpinë tonë në Shqipëri dhe i planifikojmë vizitat tona me krenari dhe entuziazëm.”
Cilat janë ambiciet tuaja në të ardhmen?
“Ambicia jonë kryesore është të zgjerojmë biznesin që kemi këtu, gjë që do të na mundësojë të investojmë në Shqipëri sapo të paraqitet mundësia e parë… Një e ardhme sa më e mirë për ne dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen — në Shqipëri dhe në diasporë. Të punojmë fort, me përkushtim dhe unitet, në mënyrë që në fund të lëmë një shembull për brezat që vijnë pas.”
Historia e Sipërmarrësit Besim Derri është një ikonë moderne e ëndrrës amerikane, e ndërtuar me djersën e ballit, me integritetin e patundur të një shqiptari nga Hasi dhe me një besim të patundur te vetja. Nga sfidat e para në një tokë të re ;ku punoi në ndërtim për të realizuar ëndrrën e tij, deri te krijimi i një biznesi të qëndrueshëm familjar me prani në tri shtete; rruga e tij përputhet me kohën dhe me sakrificën. Më shumë se një sipërmarrës, Besim Derri paraqet një shembull të fuqisë së kujtesës dhe rrënjëve – duke e vizituar Hasin dy herë në vit dhe duke e kthyer këtë lidhje në një pjesë thelbësore të identitetit familjar. Fjalët e tij për të rinjtë janë thënë si një udhërrëfyes i çmuar: mos frikë, disiplinë dhe besim se çdo hap i vogël çon drejt qëllimit. Përfundimisht, suksesi i tij nuk matet vetëm me licencat e biznesit ose investimet, por me trashëgiminë e një shembulli të fortë për brezat që vijnë, një shembull që thotë se me punë të ndershme dhe zemër shqiptare, ëndrrat nuk mbeten kurrë vetëm ëndrra, edhe në anën tjetër të oqeanit.
