Trashëgimia e Kastriotëve në Has!
Ky është artikull është marrë nga profili i Dr.Nexhat Çoçaj
17 janari nuk është thjesht data e vdekjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por një ditë përkujtimi që shqiptarët nuk e harruan kurrë. Për më shumë se pesë shekuj, kujtimi i tij është ruajtur si pjesë e ndërgjegjes historike dhe identitetit kombëtar, duke u trashëguar brez pas brezi si simbol i lirisë, qëndresës dhe unitetit.
Simbolika e familjes Kastrioti, veçanërisht ylli gjashtëcepësh, sipas traditës dhe kujtesës historike, është ruajtur në hapësirat shqiptare dhe është gdhendur apo përfshirë në ndërtimet e mëvonshme, si në xhami, teqe dhe kisha, të ndërtuara pas epokës së Skënderbeut. Kjo dëshmon për vazhdimësinë kulturore dhe për respektin e thellë ndaj figurës së tij, përtej dallimeve fetare.
Në historinë e popullit shqiptar, Skënderbeu mbetet heroi i papërsëritshëm, i cili arriti të bashkojë princat shqiptarë në kuadër të një organizimi shtetëror, duke forcuar themelet e identitetit shqiptar si komb. Kjo arritje historike nuk ishte e rastësishme, por fryt i vizionit politik, guximit ushtarak dhe lidhjes së fortë me truallin dhe traditën shqiptare.
Edhe pse nuk lindi në Has, Skënderbeu kurrë nuk e harroi vendlindjen e të parëve të tij. Sipas burimeve dhe traditës historike, në vitin 1451, vitin e martesës së tij me Donikë Arianitin, ai e renovoi kalanë në Has, si shenjë mirënjohjeje dhe lidhjeje shpirtërore me këtë trevë. Po ashtu, përmes tezakut të tij, bashkëpunëtorit të ngushtë dhe njëherësh konsullit shqiptar në Raguzë, Pal Engjëllit, Skënderbeu i siguroi tregtarët raguzianë se toka e Hasit do të ishte e sigurt për të gjithë miqtë e shqiptarëve, duke dëshmuar vizionin e tij për zhvillim ekonomik dhe marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike.
Familja Kastrioti, në kohën e veprimtarisë së Skënderbeut, kishte ende degë të saj në Has. Megjithatë, për t’i shpëtuar ndjekjeve dhe represionit të ushtrisë së Perandorisë Osmane, disa prej tyre u detyruan të deklaroheshin me mbiemra të tjerë. Kujtesa kolektive e Hasit e ruan ende këtë ndarje dhe, sipas gojëdhënave lokale, familjet Kastrati, Dida dhe Bajraku konsiderohen të një gjaku dhe llogariten ndër familjet më të vjetra të kësaj treve, duke mbajtur gjallë lidhjen historike me trungun e Kastriotëve.
Lavdi jetës dhe veprës së birit të Hasit- Gjergj Kastriotit – Skënderbeut!
Info rreth autorit!
Nexhat Çoçaj lindi më 2 shkurt 1964 në Gjonaj të Hasit, ku nisi shkollimin fillor, ndërsa e përfundoi në Ferizaj, ku kreu edhe arsimin e mesëm në Ferizaj. Në vitin 1991 kreu Fakultetin Filologjik në Prishtinë, ndërsa nga viti 1994 ndoqi studimet pasuniversitare. Gjatë kohës së studimeve, nisi punën si gazetar, më pas punoi edhe si mësues në shkollën tetëvjeçare dhe në shkollën e mesmen vendlindje.
Gjatë luftës së UÇK-së, nga marsi i vitit 1998 u inkuadrua në UÇK deri në përfundim të luftës. Për disa vite më pas ishte sekretar i OVL , dega në Has. Që nga viti 2008 punon në Drejtorinë Arsimore në Prizren, ndërsa nga viti 2011 është drejtor i këtij institucioni. Përveç gazetarisë, që nga koha e studimeve merret edhe me krijimtari letrare dhe studime në fushën e etnologjisë.Rrugën e krijimtarisë letrare si poet e nisi që në vitet e shkollës fillore, sa ishte nxënës në Ferizaj, ku botoi poezitë e para në vitin 1978/79, ndërsa në vitin 1983, u prezantua në përmbledhjen poetike për fëmijë me titull “U këndojmë dëshmorëve”, për të vazhduar më pas edhe me prozë dhe punime shkencore.

Më 19 dhjetor 2014, në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, mbrojti titullin e “Doktorit të Shencave” me temën “Zonat e ndërmjetme etnografike në Kosovë”.
