Falë kontributeve financiare të anëtarëve të “Diasporës Hasjane”, janë blerë dhe dorëzuar autoriteteve lokale 25 pajisje për personat me aftësi të kufizuara në Has. Konkretisht 19 karroca elektrike, 2 krevate dhe 4 motorra elektrikë.
Ky projekt u bë i mundur falë grumbullimit të fondeve nga “Diaspora Hasjane” në eventin e fundit në Londër më 30 Nëntor, ku u mblodhën në total 16,835 paund. Nga këto, 14,100 paund u shpërndanë për mjetet e personave me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, u dhanë 4,500 euro sponsor nga bordi drejtues i Diasporës Hasjane për uniforma dhe mjete sportive për ekipet e futbollit të grupmoshave U11 dhe U13 të Klubit “Pashtriku” në Has. Drejtuesit e Diasporës Hasjane bëjnë transparencë më tej duke sqaruar se nga totali i fondeve, si rezervë dhe gjendje për projektet në vijim mbetën 2,735 paund.

Dorëzimi është kryer tek autoritetet e Bashkisë së Hasit, të cilët do të menaxhojnë shpërndarjen e pajisjeve sipas rregullave në fuqi, nën mbikëqyrjen e Drejtorisë së Shërbimit për PAK (Personat me Aftësi të Kufizuara).
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë përfaqësues të Diasporës Hasjane dhe drejtues të Bashkisë.
Pajisjet, të cilat janë jetike për përmirësimin e cilësisë së jetesës, ju ndanë personave në nevojë bazuar në listën e përgatitur nga KMCAP (Komisioni Mjekësor për Vlerësimin e Aftësive).
Fondi u mblodh gjatë eventit “URA E BASHKIMIT”, mbajtur më 30 Nëntor në Londër, ku hasjanët e bashkuar kontribuan me donacione që sot janë shndërruar në ndihmë të prekshme për komunitetin lokal në nevojë.
Kjo iniciativë vazhdon të jetë një shembull i bujshëm i solidaritetit dhe i lidhjes së fortë ndërmjet diasporës dhe atdheut.


