Premtohet lobim i mëtejshëm për realizimin e kushteve sportive në Has
Në kuadër të vizitës së fundit në Has, përfaqësues të Bordit Drejtues të Diasporës Hasjane zhvilluan një takim me ekipet e futbollit të grupmoshave U11 dhe U13 të Klubit “Pashtriku”. Gjatë takimit, ata vëzhguan nga afër performancën e futbollistëve të rinj, të cilët vunë në shfaqje uniformat e reja sportive, të sponsorizuara nga Diaspora Hasjane.

Me një kontribut financiar prej 4500 euro, Diaspora Hasjane ka mundësuar blerjen e veshjeve të stinëve të ndryshme dhe të mjeteve sportive thelbësore për zhvillimin normal të aktiviteteve të ekipeve. Në sytë e të rinjëve lexohej gëzimi dhe pasioni për të ndjekur ëndrrën e tyre në fushë, këtë herë me një mbështetje edhe më të ngrohtë dhe më konkrete.


Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte pajisja e plotë e ekipeve të moshave U11 dhe U13 me uniforma dhe mjete sportive cilësore. Sidoqoftë, ky është vetëm hapi i parë i një angazhimi më të gjerë.

“Patjetër që në planet tona, Diaspora Hasjane do të bëjë maksimumin dhe do të lobojë si nëpërmjet organizatave ashtu edhe nga anëtarësia e vet, nga mbështetja e qeverisë apo ambasadave. Ne do lobojmë dhe do bëjmë maksimumin për realizimin e kushteve sportive, sidomos për ndërtimin e fushave dhe ambjenteve sportive të futbollit në Has. Mbështetja me uniforma e mjete është vetëm një nismë fillestare simbolike”, u shpreh Uran Derri, Koordinator i Përgjithshëm i Diasporës Hasjane.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e klubit “Pashtriku” e vlerësuan shumë këtë ndihmë.
“Mbështetja që na ka dhënë Diaspora Hasjane është vlerë shumë e madhe, pasi të rinjtë e Hasit kanë një pasion shumë të madh për futbollin. Dita ditës janë duke u shtuar elementët, pasi kanë dëshirë dhe pasion të zhvillohen më tej. Kjo mbështetje është një shtytje në fushë, një shtytje në vetëbesim dhe në sukseset që do të arrijnë ekipet”, tha trajneri Ardian Poga.

Edhe pse ky është vetëm fillimi, Diaspora Hasjane e konsideron këtë iniciativë si një nga nismat shumë të rëndësishme, që synojnë të aktivizojnë të rinjtë dhe të ngrenë lart emrin e Hasit edhe në arenën sportive kombëtare dhe më gjerë.

