Pas tubimit të mbajtur një ditë më parë në Londër, Diaspora Hasjane nga e gjitha bota ka dalë me një qëndrim drejtuar autoriteteve Shqiptare për mbrojtjen dhe ekzistencën e Bashkisë Has.
Diaspora Hasjane i drejtohet unanimisht Qeverisë së Shqipërisë, Komisionit te Reformes territoriale dhe zgjedhore si dhe opozitës shqiptare.
Ne, bijtë dhe bijat e Hasit që jetojmë dhe punojmë në diasporë, në Evropë, Amerikë dhe kudo në botë, ndiejmë detyrimin moral dhe qytetar të ngremë zërin për vendlindjen tonë.
Edhe pse fizikisht larg, ne nuk jemi kurrë larg shpirtërisht nga Hasi.
Nuk e lamë Hasin me dëshirë; u detyruam nga mungesa e zhvillimit dhe e vëmendjes shtetërore. Zemra jonë ka mbetur aty.
Hasit i është bërë një padrejtësi historike.
Që nga copëtimi i trojeve sipas Konventës së Londrës, e cila e ndau padrejtësisht këtë krahinë, e deri te periudha e komunizmit, kur Hasi u administrua nga rrethi i Kukësit dhe u la pa investime, pa mbështetje për arsimin, pa përfaqësim institucional dhe me politika që sollën shpopullim masiv.
Sot, tentativa për shkrirjen e Bashkisë Has është vazhdim i së njëjtës padrejtësi.
Ky nuk është thjesht një vendim administrativ.
Është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekzistencës ekonomike, sociale dhe demografike të Hasit.
I pozicionuar mes Kukësit dhe Tropojës, Hasit i takon një rol institucional i barabartë në rajon. Një shpërndarje e drejtë e institucioneve do të sillte ekuilibër territorial dhe do të ndihmonte zhvillimin e gjithë verilindjes së vendit.
Në vend të zhvillimit të balancuar, po imponohet centralizimi, duke lënë zona të tëra si Hasi pa përfaqësim dhe pa perspektivë.
Ne, Diaspora Hasjane:
kemi mbajtur gjallë familjet tona;
kemi investuar në shtëpi, tokë, shkolla dhe biznese;
kemi ruajtur gjuhën, traditën dhe identitetin hasjan ndër breza.
Të na hiqet Bashkia Has do të thotë të na thuhet se vendlindja jonë nuk ka më rëndësi.
Hasi është pjesë e trashëgimisë së lashtë kombëtare, që nis me Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe vazhdon me veprën e Pjetër Bogdanit.
Hasi ka dhënë kryengritje dhe sakrifica për pavarësinë e Shqipërisë.
Hasi ka dhënë një kontribut vendimtar në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një krahinë që ka dhënë kaq shumë për lirinë e kombit shqiptar nuk mund të fshihet nga harta administrative.
Fshirja e Hasit do të ishte fshirje e një pjese të historisë sonë kombëtare.
Diaspora hasjane dhe populli i Hasit nuk do ta lejojnë këtë padrejtësi.
Ne kërkojmë:
1. Ruajtjen e Bashkisë Has si njësi territoriala si rreth dhe bashki e pavarur;
2. Respekt për historinë, sakrificën dhe identitetin e Hasit;
3. Përfshirjen e diasporës hasjane në çdo vendimmarrje që prek këtë krahinë;
4. Politika konkrete që nxisin zhvillimin dhe kthimin e banorëve në vendlindje.
Hasjanët nuk i luten askujt për të drejtat e tyre.
Ata i kërkojnë dhe i mbrojnë ato me dinjitet.








