Republika e Kosovës feston sot 18-vjetorin e Pavarësisë, një moment historik që kurorëzoi ëndrrën shekullore të popullit Shqiptar për liri dhe shtet të pavarur. Më 17 shkurt të vitit 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës u shpall njëzëri Kosova shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës” – kështu e lexoi deklaratën solemne të Pavarësisë kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, në prani të deputetëve dhe presidentit të Kosovës.
Por kremtimi i kësaj date të shënuar këtë vit ka marrë një dimension tjetër, atë të bashkimit kombëtar rreth kërkesës për drejtësi. Mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në marshin protestues “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

NJË ZË QË VJEN NGA DIASPORA. HASJANËT PREZENT NË KRAH TË ATDHEUT
Mes qytetarëve të shumtë që iu bashkuan kësaj proteste madhështore, një vend të veçantë zunë përfaqësuesit e Diasporës Hasjane, të cilët udhëtuan nga vende të ndryshme të Evropës për të dhënë mesazhin e tyre të pakursyer mbështetjeje. Në krye të tyre ishin emra të njohur të komunitetit Hasjan në Diasporë: Shefqet Kraja, Kryetar i Diasporës Hasjane , Misin Dajci dhe Uran Derri, të cilët qëndruan krah qytetarëve në shesh, në një mot të vështirë, por me shpirt të palëkundur.

Prania e tyre në këtë protestë nuk ishte e rastësishme. Diaspora Hasjane, e organizuar tashmë prej vitesh në mbështetje të çështjeve kombëtare dhe sociale, ka treguar vazhdimisht se lidhja me rrënjët dhe me atdheun është e pathyeshme . Përfshirja e tyre në marshin “Drejtësi, jo politikë” është një tjetër dëshmi se diaspora nuk është vetëm burim mbështetjeje ekonomike, por edhe zë i fuqishëm në përkrahje të vlerave dhe të drejtësisë historike.

Edhe përkundër kushteve të vështira atmosferike, qytetarët qëndruan me orë të tëra në shesh, duke dëshmuar se kjo kauzë është mbi çdo dallim dhe mbi çdo interes tjetër. Prania masive përfshiu shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, rajoni, diaspora dhe deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vërshuar sheshet e kryeqytetit për të dhënë një mesazh të qartë, dinjitoz dhe paqësor.
Mesazhi ishte i qartë: populli foli. Dhe në emër të popullit, ata që u gjenden në Hagë janë çlirimtarët që bënë të mundur lirinë.
Kjo prani në sheshin “Skënderbeu” ishte një deklaratë e qartë se Diaspora Hasjane ashtu si gjithë Diaspora Shqiptare, mbetet një shtyllë e palëkundur e kombit. Shefqet Kraja, Misin Dajci dhe Uran Derri, bashkë me të gjithë hasjanët kudo që ndodhen, dëshmuan se kauza e lirisë dhe e drejtësisë nuk njeh kufij. Ata rikonfirmuan se zëri i tyre do të ngrihet gjithmonë në mbrojtje të vlerave kombëtare. Në çdo kohë dhe në çdo vend, Diaspora Hasjane do të jetë gjithmonë e gatshme për të mbrojtur dhe përfaqësuar kauzat e mëdha kombëtare mbarëshqiptare, duke mbajtur lart pishtarin e kujtesës dhe nderit për ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.

