Përfaqësues të Diasporës Hasjane, dhe “Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi”, zhvilluan dje një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Sali Berisha.
Fokusi i takimit ishte mbrojtja e Bashkisë së Hasit nga planet për reformën territoriale, e cila parashikon ndryshime thelbësore në ndarjen administrative të vendit. Përfaqësuesit e komunitetit Hasjan kërkuar shprehimisht mbështetjen e grupit parlamentar të PD-së, si dhe të anëtarëve të komisionit të kësaj force politike që po punon për reformën territoriale.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura gjatë takimit ishte mungesa e gjatë historike e përfaqësimit të zonës së Hasit në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas përfaqësuesve të diasporës, ky boshllëk ka ndikuar negativisht në zhvillimin e rajonit dhe tashmë e bën edhe më të domosdoshëm angazhimin e shqiptarëve jashtë atdheut në mbrojtje të interesave të vendlindjes.
“Diaspora Hasjane po rrit angazhimin ditë pas dite. Ne jemi të vendosur të mbrojmë ekzistencën e Bashkisë së Hasit, e cila për ne përfaqëson jo vetëm një njësi administrative, por identitetin dhe të ardhmen e këtij rajoni”, u shprehën përfaqësuesit e “Diasporës Hasjane”.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e diasporës kanë prezantuar edhe hapat konkretë që ata kanë ndërmarrë deri më tani për mbrojtjen e Bashkisë, duke përfshirë këtu një vizion dhe strategji afatgjatë. Ata theksuan se misioni i tyre ka në fokus kontributin në komunitet dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.
Sipas tyre, ruajtja e statusit të bashkisë është jetike për tërheqjen e investimeve, menaxhimin e fondeve publike dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për banorët e zonës.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, është shprehur se do të shqyrtojë me vëmendje kërkesat e komunitetit Hasjan dhe se grupi parlamentar i PD-së do të jetë mbështetës i kauzave të tyre në kuadër të debatit për reformën territoriale.
