Një përfaqësi e përbërë nga përfaqësues të “Diasporës Hasjane” dhe “Shoqatës Kulturore Atdhetare Hasi” zhvilloi dje një takim në Kuvend me drejtuesin politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Kukësit, Z.Eduard Shalsi.
Takimi, i kërkuar nga Diaspora Hasjane, u fokusua te reforma administrative territoriale dhe ndarja e re, e cila sipas tyre parashikon ndarjen e njësive administrative të Hasit dhe cenon integritetin territorial të kësaj bashkie. Gjatë bisedës, përfaqësuesit e diasporës dhe shoqatës i paraqitën z. Shalsi shqetësimet e thella të komunitetit Hasjan, duke e cilësuar të papranueshëm çdo variant që “copëton” Hasin.
Ata njoftuan z. Shalsi për të gjitha nismat dhe iniciativat e ndërmarra deri më tani për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me këtë problem, duke theksuar se hasjanët, brenda dhe jashtë vendit, janë të bashkuar në mbrojtje të statusit të bashkisë së tyre.
Gjithashtu, përfaqësuesit e diasporës e ftuan Shalsin të jetë pjesë e tubimit që do të mbahet nesër, më 21 shkurt, në Has. Nismëtarë të kësaj iniciative janë “Diaspora Hasjane” dhe “Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi”, të cilët kanë bashkuar forcat për të ngritur zërin kundër çdo ndarjeje të re territoriale që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie.
Gjatë takimit të zhvilluar dje z. Eduard Shalsi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim. Ndërkohë, drejtuesit e Diasporës Hasjane kanë deklaruar se do të vijojnë lobimin pranë institucioneve duke paraqitur fakte të pakundërshtueshme që argumentojnë domosdoshmërinë e ekzistencës së Bashkisë Has, duke theksuar se “Hasi nuk preket”.
