Intelektualë, sipërmarrës dhe qytetarë bëhen bashkë në takimin e organizuar nga Diaspora Hasjane dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi
Diaspora Hasjane dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi kanë organizuar të shtunën e 21 shkurtit një tryezë mjaft të rëndësishme duke bërë bashkë, intelektualë, politikanë të kaheve të ndryshme dhe qytetarë për një kauzë të ngritur së fundmi nga Diaspora Hasjane; “Të mbrojnë ekzistencën e Bashkisë Has”!

Në prag të procesit për reformën e re territoriale, qytetarë, intelektualë dhe përfaqësues të Diasporës Hasjane kanë ngritur zërin e tyre për të kundërshtuar këtë hap i cili do të kishte pasoja për të gjithë rajonin.

“Kjo do të jetë një çarje e madhe, lëngim i popullit tonë. Unë nuk dua ta shoh këtë gjë.” – tha një qytetare.

Profesor Nexhat Çoçaj theksoi se një vendim i tillë nuk prek vetëm krahinën, por edhe hasjanët në Kosovë.
“Dhe parlamenti duhet ta ketë parasysh se nëse bën një veprim të tillë, nuk e prek vetëm krumën, e prek edhe Hasin e Kosovës.“– tha Çoçaj.

Z. Uran Derri, Koordinator i Përgjithshëm i Diasporës Hasjane, e cilësoi takimin si paraprirës dhe sensibilizues ndaj reformës.
“Shpresojmë që të mos shkohet tek ai lloj skenari. Normalisht ky takim ishte më shumë sensibilizues dhe paraprirës i kësaj reforme. Ne kemi bërë kërkesë që të jemi pjesë dëgjimore edhe në grupet parlamentare edhe në komisionin e kësaj reforme. Gjithashtu do marrim pjesë edhe në dëgjesën publike, por ishte shumë i nevojshëm një sensibilizim masiv i intelektualëve, i biznesmenëve dhe i gjithë Hasjanëve ose kushdo Hasjan që është i ndërgjegjshëm për përjetësimin e identitetit Hasjan.”

Edmir Dida, në emër të Diasporës, bëri thirrje për bashkim dhe qëndresë të të gjithë hasjanëve për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin e Hasit përballë shuarjes institucionale dhe harresës.
“Diaspora Hasjane nuk mund të rrijë në heshtje. Sepse çdo hasjan në Londër, në Gjermani, në Amerikë, kur e pyesin nga je, nuk thotë thjesht një vend. Thotë me krenari: “Jam nga Hasi.” Dhe krenaria nuk negociohet. Një fjalë e urtë thotë: “Hasjani mund të varfërohet, por nuk përkulet.” Sot nuk është koha për përçarje. Është koha për bashkim.”

Kryetari i Bashkisë Has, Z. Miftar Dauti, u shpreh se Hasi ka rrënjë të hershme dhe po i shtrin ato edhe më tej.
“Hasi ka rrënjë shumë, shumë më herët sesa këtu, por unë dua të them që Hasi po i shtrin rrënjët e veta, jo vetëm në Has, por në Tiranë dhe në Diasporë dhe zëri i tyre është mjaft i fuqishëm. Kam bindje që edhe diaspora që është jashtë, nëse ne do përdorim politikat e mira dhe të shfrytëzojmë të gjitha resurset që ka territori i bashkisë Has, emigrantët nuk kanë pse të rrinë në emigracion, por vijnë e punojnë në bashkinë Has, në vendin e tyre dhe në trojet e tyre.”

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Hoxha, garantoi mbështetjen e forcës së tij politike për ruajtjen e bashkisë.
“Ky është një takim shumë frytdhënës dhe unë garantoj në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në emër të deputetit të zgjedhur nga vota e tyre, që bashkia Has në reformën administrative territoriale do të trajtohet në mënyrën më të mirë të mundshme për të riorganizuar, për të bërë gjithçka më të mirë në funksion të pushtetit lokal, të çdo lloj partie që do ta ketë. Me qëllim që shërbimi t’i ofrohet qytetarëve.”

Një tjetër deputet i PD-së, Isuf Çela, ripohoi angazhimin e tij dhe të grupit të tij parlamentar kundër zvogëlimit të bashkive.
“Ju dhashë garanci Hasjanëve që do të jem në krah të tyre. Diçka që funksionon mirë s’ke pse e prish! Forca jonë politike, forcat që unë përfaqësoj, Partia Demokratike, në plan të parë ka qytetarin. Ne do të shkojmë në Evropë. Unë ju jap edhe shembuj… Franca ka fshatra të thella, që janë katër pesë fshatra, kanë gjithsej 300-400 banorë,por kanë komunën, pra qytetari do shërbim.”

Edhe drejtuesi politik i qarkut Kukës Z.Eduard Shalsi u shpreh se reforma duhet të korrigjojë padrejtësitë, jo të zhdukë bashki që funksionojnë.
“Ka ardhur momenti që disa gjëra të cilat kanë funksionuar mirë të vazhdojnë, ndërsa disa të tjera të korrigjohen. Sepse është e padrejtë. Reformat bëhen për t’i qenë më afër njerëzve, për t’i shërbyer më mirë njerëzve. Unë këto ditë kam marrë me dhjetra e dhjetra mesazhe nga Hasjanë të Tiranës, të Hasit, po, edhe të Anglisë, Gjermanisë, Francës, Durrësit. Ç’po ndodh me Hasin, ku do shkojë Hasi? Kështu që të gjithëve dua t’ju them se jo, nuk do të asgjësohet, nuk do të zhduket Hasi.” – tha Shalsi.

Ndërkohë përfaqësuesi tjetër i Diasporës Hasjane Z. Misin (Max) Dajçi tha se Reforma Territoriale duhet të adresojë seriozisht shpopullimin e Hasit.
“Është e domosdoshme të krijohen mundësi të qëndrueshme punësimi për të rinjtë hasjanë, në mënyrë që të parandalohet largimi i tyre. Studentëve hasjanë duhet t’u ofrohen kushte dhe mundësi për ta nisur dhe ndërtuar karrierën profesionale në Has. Njëkohësisht, politikat zhvillimore duhet të synojnë rikthimin e hasjanëve në vendlindje dhe fuqizimin e jetës ekonomike e shoqërore në Has.”

Gjatë takimit u parashtruan pasojat e rënda që do të sillte shkrirja e Bashkisë Has, duke përfshirë dobësimin e mëtejshëm të qeverisjes vendore, përfaqësimin e reduktuar të interesave lokale, humbjen e vendeve të punës në sektorin publik, rritjen e migracionit drejt qyteteve të mëdha dhe rrezikun më të madh të emigrimit të përhershëm jashtë vendit. Duke fuqizuar institucionet lokale dhe duke investuar tek të rinjtë, Hasi mund të mbetet një rajon i gjallë dhe i qëndrueshëm.

Ruajtja e Bashkisë së Hasit ka të bëjë me ruajtjen e identitetit lokal dhe trashëgimisë kulturore, sigurimin e fuqisë vendimmarrëse lokale, mbështetjen e zhvillimit ekonomik rural, parandalimin e kolapsit demografik dhe forcimin e stabilitetit rajonal. Diaspora Hasjane ka deklaruar se do të vijojë të ndjekë me përkushtim dhe vigjilencë çdo hap të procesit, deri në sigurimin e plotë se Bashkia Has nuk do të preket nga ndarja e re territoriale. Teksa vendi pritet të pësojë një tjetër reformë administrativo-territoriale në Has dhë në përfaqësitë diplomatike ka nisur rezistenca për mosprekjen e bashkisë.

Qeveria synon që brenda korrikut të vitit 2026 të ketë gati hartën e re me synim rritjen e efikasitetit përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
