Një tjetër hap i rëndësishëm në angazhimin diplomatik të Diasporës Hasjane për mbrojtjen e Bashkisë Has është shënuar gjatë një tryeze të nivelit të lartë me temën “Qeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, ku i pranishëm ishte Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sh.T. Nicholas Abbott.
Takimi u organizua nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane, duke sjellë në qendër të vëmendjes sfidat e komunitetit dhe rëndësinë e ruajtjes së integritetit të Bashkisë Has në procesin e reformës territoriale.
Edhe pse nuk mbajti një fjalim të gjatë zyrtar, Ambasadori Abbott bëri përshëndetjen e tij në këtë tryezë ku shprehu inkurajimin dhe mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet e hasjanëve. Në fjalën e tij, ai theksoi:
“Dëshiroj t’ju inkurajoj për çfarë jeni duke bërë. Unë mendoj se sfidat që po përballoni nuk janë unike. Por çfarë shoh këtu është entuziazmi dhe dëshira për t’i adresuar këto sfida, dhe natyrisht që keni shumë mbështetjen time. Kjo nuk është vetëm se gjysma e Hasit jeton aktualisht në Angli, kjo nuk është se gjysma e Hasit është prapë me pjesën e Kosovës, por se të gjithë këta së bashku ju bëjnë më të fortë për t’i përballuar këto.” – tha Ambasadori Sh.T. Nicholas Abbott.
Me këtë qëndrim, ambasadori britanik vuri në dukje se lidhjet e forta të komunitetit me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovën, por mbi të gjitha uniteti i tyre, përbëjnë një forcë të jashtëzakonshme për të adresuar sfidat e zhvillimit dhe qeverisjes vendore.

NGA TAKIMI NË TRYEZË TE ANGAZHIMI I MËHERSHËM NË AMBASADË
Kjo nuk është hera e parë që shefi i diplomacisë britanike në Tiranë qëndron pranë komunitetit të Hasit. Para disa javësh, një delegacion i Diasporës Hasjane u prit në një takim të posaçëm në ambasadën britanike, ku ambasadori Abbott dëgjoi nga afër shqetësimet dhe argumentet e hasjanëve lidhur me rreziqet e shkrirjes së Bashkisë Has.
Në atë takim morën pjesë figura të njohura të diasporës si Shefqet Kraja, Ilir Nabolli, Mentor Bokçiu, Misin (Max) Dajçi, Ermal Karakushi, Mustaf Ahmati, Alfred Ferizolli dhe Uran Derri. Ata i paraqitën ambasadorit një memorandum të strukturuar, ku trajtoheshin jo vetëm pasojat negative të ndarjes së re territoriale, por edhe problemet aktuale të rajonit – papunësia e lartë, mungesa e investimeve, shërbimet publike të kufizuara – si dhe një qasje alternative zhvillimi e bazuar në decentralizim, autonomi fiskale dhe investime të diasporës.
I mirinformuar mbi proceset politike në Shqipëri, ambasadori Abbott shprehu atëherë mbështetjen e tij të plotë dhe mori përsipër të lobojë personalisht për mbrojtjen e Bashkisë Has.
DIASPORA: RUAJTJA E BASHKISË HAS, ÇËSHTJE IDENTITETI DHE ZHVILLIMI
Në të gjitha takimet, përfaqësuesit e diasporës kanë theksuar se shkrirja e Bashkisë Has do të sillte dobësim të qeverisjes vendore, humbje vendesh pune, rritje të migracionit dhe rrezik të emigrimit të përhershëm. Në këtë kuadër, intelektualët dhe përfaqësuesit e komunitetit hasjan parashtruan qindra argumente historike, demografike dhe sociale, duke theksuar nevojën për një pushtet lokal më të fortë, të pavarur dhe të qëndrueshëm në Has, dhe kundërshtuan njëzëri çdo mundësi copëtimi si pasojë e ndarjes së re administrative.
Takim në ambasadë dhe pjesëmarrja e ambasadorit në tryezën e organizuar nga Shoqata “Hasi” dhe diaspora dëshmojnë se zëri i hasjanëve po dëgjohet gjithnjë e më shumë në nivelet më të larta vendimmarrëse, duke u mbështetur edhe nga aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë në Tiranë.
Ky artikull u përgatit nga Diaspora Hasjane.
