Në fokus të aktivitetit të organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane, me temë “Vetëqeverisje lokale për zhvillim të qëndrueshëm”, ka qenë shqetësimi i thellë i diasporës për shpopullimin e rajonit dhe angazhimi për ta frenuar këtë fenomen.
Koordinatori i Diasporës Hasjane, Z.Uran Derri, duke folur para një audience të përbërë nga bashkëkryetarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, përfaqësues të diasporës, intelektualë, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ka theksuar:
“Ne, si Diaspora Hasjane, jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë. Nuk dëshirojmë që Hasi të zbrazet apo të dobësohet, sidomos në një kohë kur përballet edhe me sfida territoriale. Përkundrazi, synimi ynë është të bëjmë gjithçka për të parandaluar largimin e popullsisë dhe për të forcuar lidhjen me vendlindjen. Diaspora Hasjane është krijuar për t’u shërbyer hasjanëve kudo që ndodhen, por edhe vendlindjes. Synimi ynë është të ruajmë traditën dhe kulturën në vendet ku jetojmë, të integrohemi në shoqëritë ku jetojmë dhe, mbi të gjitha, të mbështesim rininë hasjane që të ndërtojë të ardhmen në vendin tonë të bekuar. Ne, si një diasporë e bashkuar, duam të kontribuojmë që Hasi të ketë zhvillim dhe të mos ketë largim të popullsisë.”

Z. Derri, i cili është edhe koordinator i kësaj strukture të krijuar prej vitit 2025, e ka nisur fjalën e tij duke falënderuar të pranishmit dhe më pas ka ndarë një histori personale për të ilustruar fenomenin e largimit që prej dekadash godet Hasin.
“Kam studiuar në Tiranë dhe, pasi përfundova studimet, vendosa të punoj po aty. Por shumë hasjanë që kanë studiuar para meje dhe pas meje nuk kanë pasur mundësinë të kthehen në Has për të gjetur një vend pune. Shumica janë detyruar të zhvendosen në qytete të tjera të Shqipërisë ose të emigrojnë jashtë vendit”, ka treguar ai.
Sipas të dhënave që ai solli në takim, rajoni i Hasit – i ndarë mes Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 1913 – ka pësuar një rënie drastike të popullsisë në anën shqiptare. Nëse para 25 vitesh Hasi i Shqipërisë numëronte rreth 45 mijë banorë, sot aty jetojnë rreth 12 mijë vetë. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, sipas tij, jetojnë rreth 8 mijë hasjanë.

Aktiviteti i organizuar në kuadër të dialogut për vetëqeverisjen lokale dhe reformën territoriale u vlerësua si një hap i rëndësishëm për të dëgjuar zërin e diasporës dhe për ta përfshirë atë në hartimin e politikave që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e rajonit.
