Analizë krahasuese sipas censusit të vitit 2023
Nga Man Poga, Jurist
Ekspert ligjor (2015–2016) për implementimin e Reformës Administrative Territoriale në Qarkun Kukës – Projekti STAR 1
Në kuadër të tryezës së nivelit të lartë me temën “Qeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane, u paraqit nga Man Poga, Jurist një analizë e hollësishme mbi tre keqkuptime kryesore që rrethojnë bashkinë e Hasit.
Këto keqkuptime lidhen me identitetin, popullsinë aktuale dhe kapacitetet njerëzore të kësaj treve. Analiza e mbështetur në të dhënat e Censusit 2023 ka sjellë një qasje profesionale dhe të argumentuar, duke u kundërvënë perceptimeve që rrezikojnë të ndikojnë negativisht në vendimmarrje.
Gjatë fjalimit të tij, z. Poga theksoi se historia ka treguar se mosnjohja nga ligjvënësit dhe aktorët vendimarrës të realitetit historik, gjeografik, kulturor dhe qytetar të një zone shpesh ka krijuar keqkuptime, të cilat kanë prodhuar vendime me pasoja të rënda e të pakthyeshme për komunitetin. Sipas tij, në çdo reformë thelbësore zëri i komunitetit, i ekspertëve lokalë dhe i qytetarëve të angazhuar merr rëndësi të veçantë.
Për këtë arsye, ai ndaloi te tre keqkuptime kryesore që ka konstatuar gjatë takimeve me deputetë, media dhe opinionin vendimarrës në Tiranë: identiteti i Hasit, popullsia dhe demografia aktuale, si dhe kapacitetet njerëzore të trevës.
Për identitetin e Hasit, juristi Poga sqaroi se për një pjesë të opinionit Hasi perceptohet si “ai shpati i malit përballë Kukësit me disa fshatra”, pa identitet të qëndrueshëm dhe pa traditë vetëqeverisëse. Ky keqkuptim, sipas tij, vjen nga mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë prej më shumë se njëzet vitesh nga ana e ministrave dhe institucioneve qendrore, si dhe nga mungesa e zërit hasjan në Parlament, por edhe nga heshtja e gjatë e komunitetit dhe intelektualëve lokalë për të shpalosur vlerat e trevës. Duke iu përgjigjur pyetjes se kur u formësua identiteti hasjan, ai solli shembullin e Pjetër Bogdanit, i cili rreth katër shekuj më parë, në veprën Çeta e Profetëve, e quajti Sibilen më të rëndësishme – Delfikën – “Hasjanja”. Sipas tij, ky fakt i shkruar dëshmon se identiteti hasjan ishte plotësisht i formësuar dhe gëzonte vendin e vet me dinjitet mes trevave të tjera shqiptare, shumë kohë përpara se Hasi të bëhej rajon i veçantë.
Për popullsinë dhe demografinë aktuale, ai vuri në dukje perceptimin se treva e Hasit është e braktisur, tokë e shkretë dhe pa banorë, çka sipas tij përdoret si argument për të rishikuar statusin administrativ. Duke analizuar të dhënat e Censusit 2023, juristi Poga tregoi se Bashkia Has ka 11.684 banorë prezentë dhe dendësia prej 29,2 banorë për kilometër katror është më e lartë se ajo e Tropojës, Mirditës, Malësisë së Madhe, Gramshit e shumë bashkive të tjera. Ai theksoi se edhe më domethënëse janë të dhënat për grupmoshën 0–14 vjeç, ku Hasi ka 2.641 fëmijë. Megjithëse popullsia totale e Hasit është më e vogël se ajo e Tropojës, Gramshit apo Peqinit, numri i fëmijëve është më i lartë se në këto bashki. Ai shtoi se nga 61 bashkitë e vendit, Hasi renditet i 33‑ti për numrin e fëmijëve të kësaj grupmoshe, çka sipas tij flet për një popullsi të re, shpresëdhënëse, që kërkon mbështetje.

Për kapacitetet njerëzore, juristi Poga argumentoi se keqkuptimi i tretë është se komuniteti prezent në Has nuk ka kapacitete të larta. Duke u mbështetur përsëri në Censusin 2023, ai evidentoi se në qarkun e Kukësit, Bashkia Has ka përqindjen më të lartë të të arsimuarve me Master ose Doktoraturë – 6,03 për qind, duke tejkaluar Kukësin (5,90 për qind) dhe Tropojën (5,00 për qind). Ky fakt, sipas tij, tregon një kapital njerëzor të konsiderueshëm, brenda dhe jashtë vendit, që duhet aktivizuar më shumë në funksion të zhvillimit lokal.

Në përfundim, z. Poga theksoi se keqkuptimet dhe mosnjohja e realitetit të Hasit mund të ndikojnë negativisht në vendimmarrje, ndërsa njohja e identitetit, popullsisë dhe kapaciteteve njerëzore është thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm. Ai rekomandoi që Hasi të trajtohet si njësi strategjike, me rëndësi kombëtare për mbrojtjen e territorit kufitar dhe balancën rajonale, dhe të marrë mbështetje reale për të përmbushur potencialin e tij. Sipas tij, forcimi i vetëqeverisjes vendore në Has nuk është vetëm një çështje administrative, por një investim për të ardhmen, që kërkon bashkëpunim midis institucioneve, komunitetit dhe diasporës.

