Në kuadër të tryezës së nivelit të lartë “Qeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane, anëtari i komisionit të reformës territoriale, Edmond Haxhinasto, theksoi se krahina e Hasit ka identitet të fortë dhe potencial të jashtëzakonshëm, duke e cilësuar të domosdoshme ruajtjen e saj si bashki më vete në reformën e ardhshme.
Haxhinasto vlerësoi angazhimin e diasporës dhe të shoqatave të saj, duke shprehur bindjen se kthimi i tyre do të sjellë realizimin e potencialit natyror, minerar, kulturor dhe etnografik që zona zotëron. “Besoj se këta djem të shoqatave të diasporës që flasin me kaq pasion për Hasin, do të jenë ata që do të kthehen për t’i realizuar të gjitha potencialet e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Duke folur si anëtar i komisionit të reformës territoriale, Haxhinasto ndau shqetësimet për reformën e viteve 2014–2015, e cila, sipas tij, dështoi të mbante popullsinë në zonat e tyre origjinale. Si provë, ai përmendi faktin se gjysma e popullsisë së Hasit brenda Shqipërisë ndodhet sot në Londër, duke treguar pamundësinë e organizimit administrativ për të ofruar shërbime dhe për të zhvilluar potencialet vendase.
“Reforma territoriale për çfarë bëhet? Për t’i shërbyer më mirë njerëzve. Në qoftë se njerëzit janë larguar dhe pushteti vendor nuk u ka shërbyer, këtu ka një defekt të madh që duhet korrigjuar. Kjo është fundamentale”, theksoi Haxhinasto.
Ai konfirmoi se Hasi i plotëson të gjitha kriteret për një bashki: potencial ekonomik, traditë, unitet kulturor dhe identitet të fortë. “Pa diskutim, unë ju shpreh gatishmërinë dhe mbështetjen time që Hasi të jetë bashki në reformën e ardhshme”, deklaroi ai.
Në përfundim, Haxhinasto inkurajoi komunitetin hasjan duke nënvizuar se sfidat nuk janë unike, por entuziazmi dhe bashkimi i tyre brenda vendit dhe diasporës i bën më të fortë për t’i përballuar ato. “Duke qenë bashkë bëhemi më të fortë”, përfundoi ai.

