“Solidaritet, kulturë dhe art – bashkë për të ardhmen e komunitetit”
LONDËR – Diaspora Hasjane fton të gjithë anëtarët e komunitetit, mbështetësit dhe miqtë në një mbrëmje bamirësie ekskluzive, e cila do të mbahet më 8 maj 2026 në ambientet e restorantit “Illyrian Grill House” në Palmers Green, Londër. Diaspora Hasjane është e përkushtuar të mbështesë komunitetin dhe të kontribuojë për shtresat në nevojë, si shprehje e solidaritetit të sinqertë.
Mbrëmja, e titulluar “Së bashku për të ardhmen”, synon të bashkojë komunitetin në një atmosferë të ngrohtë dhe dinjitoze, duke ndërthurur kauzën e bamirësisë me kulturën, artin dhe solidaritetin.
Programi i pasur artistik parashikon performanca muzikore live nga këngëtaret e njohura Kaltrina Selimi dhe Vera Picari, si dhe nga artisti Bajram Gigolli. Gjithashtu, do të ketë performanca artistike live, fjalime frymëzuese dhe prezantim të punës, misionit dhe vizionit të organizatës për të ardhmen.
Mbrëmja do të nisë në orën 19:00, ndërsa kodi i veshjes është formal. Pjesëmarrja është vetëm me rezervim dhe bileta kushton 150 pound për person, vetëm me rezervim per çifte. Në këtë çmim përfshihet një menu me tre pjata dhe pije.
Sipas organizatorëve, 50 për qind e të ardhurave të mbledhura gjatë kësaj mbrëmjeje do të shkojnë për projekte me rëndësi të veçantë për komunitetin, duke zgjeruar kështu iniciativat bamirëse të diasporës.
“Prania juaj do të ishte një nder dhe një mbështetje e çmuar – jo vetëm si mysafir i nderuar, por edhe si pjesë e rëndësishme e përkushtimit për të ndërtuar dhe mbështetur një të ardhme më të mirë për komunitetin tonë,” thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Vendet janë të kufizuara, prandaj të interesuarit duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre sa më parë përmes kontakteve zyrtare të Diasporës Hasjane.
Organizatorët ftojnë të gjithë ata që duan të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë të komunitetit, të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme, elegante dhe plot domethënie.
Adresa e mbrëmjes:
Illyrian Grill House
55–57 Green Lanes, Palmers Green, London, N13 4TD
Kontakt:
Email: info@diaspora-hasjane.co.uk
Telefon: +44 7385 661184
