Ambsadori Britanik shpreh inkurajimin dhe mbështetjen për përpjekjet e komunitetit të Hasit!
Në Tiranë u mbajt tryeza e nivelit të lartë me temën “Qeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, e organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane. Në këtë aktivitet morën pjesë bashkëkryetarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, përfaqësues të diasporës, intelektualë, ekspertë nga fusha të ndryshme, përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe qytetarë të angazhuar në të ardhmen e rajonit të Hasit.
Tryeza u organizua në vazhdën e nismës së qeverisë për reformën e re territoriale. Në këtë kuadër, intelektualët dhe përfaqësuesit e komunitetit hasjan parashtruan qindra argumente, duke theksuar nevojën për një pushtet lokal më të fortë, të pavarur dhe të qëndrueshëm në Has, dhe kundërshtuan njëzëri çdo mundësi copëtim si pasojë e ndarjes së re administrative.
Ky aktivitet përbën një zë të rëndësishëm qytetar dhe ekspert, që kërkon të merret në konsideratë gjatë proceseve vendimmarrëse për ndarjen e re territoriale të vendit.

z. Kujtim Morina, kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Hasi”, diplomat dhe ish-ambasador, vuri në dukje se Hasi historikisht përbën një krahinë me identitet të qartë, tradita dhe zakone të veçanta. Ai kujtoi se Fan Noli, në fillim të shekullit XX, ka shënuar origjinën e Skënderbeut nga Hasi, çka përforcon vlerën e veçantë historike të këtij rajoni. Pas viteve ’90, kur ky komunitet u shpall fillimisht rajon dhe më pas rreth më vete, ai dëshmoi potencialin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e biznesit, arsimit, artit e kulturës, si dhe me një diasporë veçanërisht aktive në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, ndërprerja e këtij procesi çlirimi të vlerave dhe energjive pozitive do të sillte pasoja të rënda në besimin, kohezionin dhe perspektivën e zhvillimit të zonës.

Ndërkaq Z. Uran Derri, Koordinator i “Diaspora Hasjane” theksoi se Rajoni i Hasit, i ndarë mes Shqipërisë dhe Kosovës që nga viti 1913, ka pësuar një rënie të ndjeshme të popullsisë: nga rreth 45 mijë banorë para 25 vitesh, sot në Hasin shqiptar banojnë rreth 12 mijë qytetarë, ndërsa rreth 8 mijë hasjanë jetojnë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Përfaqësuesi i diasporës shprehu shqetësimin për shkretimin dhe dobësimin e zonës, veçanërisht në kontekstin e sfidave të reja territoriale. Synimi i Diasporës Hasjane është të parandalojë largimin e popullsisë, të forcojë lidhjen e hasjanëve me vendlindjen, të mbështesë rininë për të ndërtuar të ardhmen në Has, si dhe të ruajë traditën dhe kulturën duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
“Ne, si Diaspora Hasjane, jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë. Nuk dëshirojmë që Hasi të zbrazet apo të dobësohet, sidomos në një kohë kur përballet edhe me sfida territoriale. Përkundrazi, synimi ynë është të bëjmë gjithçka për të parandaluar largimin e popullsisë dhe për të forcuar lidhjen me vendlindjen.” – tha Derri.

Prof. Dr. Nexhat Çoçaj, Nënkryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Hasi”, Drejtor i Institutit për Trashëgimi dhe Kulturë dhe pedagog në Universitetin “UBT” në Prishtinë theksoi se Hasi përbën një nga zonat etnografike më karakteristike shqiptare, e cila, pavarësisht ndarjes administrative mes Shqipërisë dhe Kosovës, mbetet thelbësisht një hapësirë e unifikuar kulturore.
“Kufiri shtetëror nuk ka arritur ta fragmentarizojë identitetin hasjan, i cili është ndërtuar mbi një trashëgimi të përbashkët historike, gjuhësore dhe shpirtërore. Kohezioni kulturor në Has është rezultat i një vazhdimësie të gjatë historike, ku traditat, normat shoqërore dhe vetëdija kolektive kanë mbijetuar përtej ndarjeve politike.” – tha Prof. Dr. Nexhat Çoçaj.

Ing. Bashkim Ngjeçi, aktivist i shoqërisë civile, ish-Drejtor i Programit të Zhvillimit të Qarkut Kukës dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Kukës theksoi se çështja e Hasit dhe e vetëqeverisjes së tij lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e çdo familjeje dhe qytetari hasjan. Në këtë kontekst, ai paraqiti një qëndrim të qartë dhe të vendosur në favor të një vetëqeverisjeje të konsoliduar dhe të zhvilluar pa ndërprerje, e cila të garantojë mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe administrative, ruajtjen e identitetit dhe përfaqësimit krahinor, forcimin e demokracisë vendore, si dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm për komunitetin hasjan nëpërmjet shërbimeve të avancuara dhe cilësore.

Mustaf Ahmati Pnishi, Sekretar i “Diaspora Hasjane” tha se e ardhmja e Hasit nuk ndërtohet vetëm brenda kufijve të tij, por edhe në qendrat ku jeton diaspora hasjane, si Londër, Tiranë e Prishtinë. Nëse e shkuara ka qenë një periudhë mbijetese, e ardhmja kërkon ndërtimin e një Hasi më të fortë, me zhvillim, arsim dhe mundësi për të rinjtë. Sipas tij, kjo e ardhme nuk është e pashmangshme. Ekziston një alternativë që parashikon forcimin e institucioneve lokale, zhvillimin e drejtuar nga komuniteti dhe angazhimin e të rinjve si sipërmarrës e liderë në vendlindje. “Në këtë proces, diaspora luan një rol kyç, duke kontribuar me ide, përvojë dhe investime, sepse vende si Hasi nuk janë thjesht pika në hartë, por komunitete me histori dhe identitet të veçantë.” – tha Pnishi.

Në një analizë të thelluar, Ing. Avni Dervishi, ekspert me përvojë në hartimin dhe zbatimin e projekteve kombëtare e ndërkombëtare, thekson se rijetëzimi i kullave të Hasit përbën një mundësi strategjike për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Sipas tij, trashëgimia kulturore, e përfaqësuar nga kullat karakteristike të zonës, duhet të shndërrohet në një aset të qëndrueshëm ekonomik, por kjo proces kërkon domosdoshmërisht një qeverisje vendore funksionale dhe të mbështetur institucionalisht nga Bashkia Has.

PhD (c) Ilir Brasha, aktivist i shoqërisë civile dhe ekspert në analizën e të dhënave pranë organizatave kombëtare e ndërkombëtare, prezantoi një analizë të thelluar mbi bazën e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore dhe rolin e Bashkisë Has në ofrimin e shërbimeve publike. Duke u mbështetur në parimet e subsidiaritetit dhe të autonomisë reale vendore, ai argumentoi se cënimi i statusit të Bashkisë Has do të sillte pasoja të rënda: largimin e vendimmarrjes nga komuniteti, dobësimin e vetëqeverisjes, rritjen e distancës dhe kostove për qytetarët, uljen e investimeve, dobësimin e identitetit lokal dhe shkeljen e standardeve evropiane. Për të forcuar këtë qëndrim, ai solli shembullin e Austrisë, një vend me mbi 2,000 bashki, ku funksionojnë edhe njësi vendore me më pak se 100 banorë në zonat malore e alpine, duke dëshmuar se madhësia e vogël nuk është pengesë për efikasitet, por përkundrazi mundëson afërsi me qytetarët, llogaridhënie të fortë, ruajtje të identitetit dhe zhvillim të balancuar rajonal.

Z. Man Poga, jurist dhe ish-ekspert ligjor në implementimin e Reformës Administrative Territoriale për Qarkun Kukës trajtoi temën “Mbi sqarimin e disa keqkuptimeve për identitetin, popullsinë dhe kapacitetet njerëzore të Hasit – Analizë krahasuese sipas censusit të vitit 2023”. Ai theksoi se kapacitetet njerëzore të Hasit, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, përbëjnë një potencial të madh që kërkon të aktivizohet më fuqishëm në shërbim të zhvillimit lokal. Sipas censusit të vitit 2023, Bashkia Has ka 11.684 banorë prezentë dhe dallohet për një popullsi të re shpresëdhënëse, duke pasur 2.641 fëmijë të grupmoshës 0–14 vjeç – më shumë se bashki me popullsi totale më të madhe si Tropoja, Gramshi e Peqini, çka dëshmon se zona nuk është e shkretë, por ka një bazë të qëndrueshme demografike që kërkon mbështetje.

Në këtë tryezë ishin të ftuar nga Komisioni i Posaçëm për Administrativo-territorialen bashkëkryetarët Arbjan Mazniku dhe Luçiano Boçi. Teksa Z. Mazniku nuk mundi të ishte prezent, bashkëkryetari Boçi dha mbështetjen e tij për ekzistencën dhe forcimin e bashkisë Has.
“Dhe për t’i dhënë atë përgjigjen e duhur asaj pyetjes a duhet të ekzistojë Hasi? Po duhet të ekzistojë dhe unë jam i bindur! Duke parë këtë dëgjesë, këtë gatishmëri, duke parë argumentat e ekspertëve tanë, duke parë qëndrimin politik të kolegëve tanë. Unë jam i bindur që po Hasi, do mbetet bashki. Ne si opozitë do bëjmë gjithçka që Hasi të qëndrojë si bashki. Jo për fjalë patriotike vetëm, por për ato argumenta tekniko administrativ profesional që janë parashtruar dhe që në konkluzion e konsiderojnë të domosdoshëm qenien e bashkisë Has si bashki më vete.“-u shpreh Boçi.

Z. Edmond Haxhinasto, anëtar i komisionit të reformës territoriale, thekson se reforma e vitit 2014–2015 dështoi të mbajë popullsinë në vendet e tyre, duke çuar në emigrim masiv – madje gjysma e Hasit jeton në Londër. Sipas tij, reforma territoriale duhet t’i shërbejë qytetarëve; nëse njerëzit largohen, do të thotë se pushteti vendor nuk i ka shërbyer. Ai argumenton se Hasi i plotëson të gjitha kriteret (potencial ekonomik, traditë, identitet kulturor) për të qenë bashki më vete dhe shpreh mbështetjen e tij që në reformën e ardhshme Hasi të mbetet bashki.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, shprehu inkurajimin dhe mbështetjen për përpjekjet e komunitetit të Hasit. Ai vuri në dukje se sfidat nuk janë unike, por entuziazmi dhe dëshira për t’i adresuar janë të dukshme. Sipas tij, fakti që gjysma e Hasit jeton në Angli dhe gjysma tjetër lidhet me Kosovën, i bën ata më të fortë kur veprojnë bashkë.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi, shprehu mirënjohjen për ftesën dhe theksoi lidhjet e thella historike dhe emocionale me Hasin. Ai kujtoi mbështetjen e hasjanëve gjatë luftës në Kosovë dhe falënderoi për atë solidaritet. Duke pranuar se nuk është ekspert për reformën territoriale, ai ofroi gatishmërinë që ekspertët kosovarë të ndajnë përvojat e tyre në këtë fushë. Në përfundim, uroj që synimet e komunitetit për Hasin të realizohen me sukses.

Keti Luarasi nga IOM theksoi se reforma territoriale nuk duhet parë thjesht si proces administrativ, por si mundësi për të krijuar njësi vendore funksionale e pranë qytetarit. Ajo vuri në dukje se përfshirja e diasporës është e domosdoshme, pasi diaspora sjell perspektivë dhe njohje të potencialit të zonës. IOM mbështet angazhimin e diasporës në zhvillimin lokal, duke e parë migracionin si faktor zhvillimi kur menaxhohet mirë. Në përfundim, ajo shprehu mbështetjen e IOM për proceset që forcojnë lidhjen migracion–diasporë–zhvillim lokal.

Në mes të punimeve, një surprizë e veçantë erdhi nga aktori i njohur Çun Lajçi, i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili hyri në sallë dhe interpretoi me mjeshtëri fragmente nga Eposi i Kreshnikëve dhe treva e Hasit, duke i dhënë atmosferës një dimension artistik e emocional.

Nuk munguan edhe diskutimet dhe sugjerimet pas fjalimeve zyrtare.


Gjithashtu gjatë këtij takimi u prezantua ekspozita e veçantë “Kruma/Hasi – qendër e Prefekturës Kosova” ku u sollën artefakte historike për të pranishmit.


