Me zërin e tij të mrekullueshëm tërheq menjëherë vemendjen. Po flasim për të riun Albin Koka, pjesë e Ansamblit “Pjetër Bogdani”. Në një takim të zhvilluar së fundmi me përfaqësues të Diasporës Hasjane, Albini rrëmbeu zemrat me këngën më të fundit që interpretoi dedikuar Hasit dhe Diasporës Hasjane. Një këngë e shkruar në bashkëpunim me Kujtim Sokolin dhe Muzikën nën kujdesin e mjeshtrit Përparim Brati.
“Nuk i nshojm ne kto vatane
Na mban gjall “Diaspora Hasjane”
Do i knojm Hasit në përjetësi
Qe ta rujm ket trashëgimi” – thuhet në këngë.
Albin Koka, një nga zërat më të rinj e më premtues të Ansamblit “Pjetër Bogdani” përcon me ngrohtësi fjalë që vijnë drejtpërdrejt nga shpirti. Një përshkrim poetik për vendlindjen e tij, një himn për Hasin që buron nga ndjenja e pastër dhe krenaria për rrënjët.
Teksti i këngës së Albin Kokës është një mozaik i bukur i të gjitha vlerave që mbart Hasi – mikpritja, trimëria, kultura dhe dashuria për atdheun. Në vargjet e tij, Hasi përshkruhet si një vend ku bujaria ka hije.
“Me kultur e bujari
Jem krenar o Has per ty
Hasi penes dhe i pushkes
Jem te paqes dhe te luftes”
Për Albinin, arti nuk ishte një zgjedhje e rastësishme, por një thirrje e brendshme që e ndjeu që fëmijë. Rrugëtimi i tij artistik filloi në moshën 12-vjeçare, kur vendosi t’i jepte zë ëndrrave që kishte mbajtur gjatë në sirtar.
“Dëshira për të qenë pjesë e artit si një këngëtar është një rrugë e gjatë,” tregon ai. “Rrugëtimi nisi që në moshën 12-vjeçare, kur unë e ndjeva veten se kishte ardhur koha të shfaqja ëndrrat e mia.”
Një mbështetje vendimtare në fillimet e tij ishte Qendra Kulturore e Fëmijëve, në krye me prof. Lul Peka. “Atij i jam shumë falënderues, sepse një themel i fortë është një rrugëtim më i lehtë,” thekson Albin.
Pas viteve të formimit në QKF, Albin mori vendimin për të hedhur hapa më të fortë dhe më të qëndrueshëm, duke iu drejtuar Ansamblit “Pjetër Bogdani”. Ishte një rrugëtim tërësisht i ndryshëm – prova të reja, aktivitete të reja, persona të ndryshëm dhe të veçantë që ndihmuan dhe ndryshuan rrjedhën e plotë të dëshirës së tij për të vazhduar përpara.
Gjatë intervistës së tij, Albin nuk kursen falënderimet për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë udhëtim artistik. Një vend të veçantë zë drejtoresha e Ansamblit, Flutra Aliaj, por mbi të gjitha, rapsodi i njohur Përparim Brati.
“Jam falënderues i gjithë Ansamblit, por në veçanti drejtoreshes Flutra Aliaj dhe rapsodit Përparim Bratin, të cilin e kam pasur si një busull dhe sot e kam një ndihmë kryesore,” rrëfen ai me emocion.
Pikërisht në bashkëpunim me të, dhe me muzikën e Përparim Bratit, Albin ka realizuar edhe këtë këngë kushtuar Hasit. Pjesëmarrja në Ansamblin “Pjetër Bogdani” ka qenë një nga vendimet më të mira të jetës së tij. “Është një nga vendimet më të duhura që kam marrë. Është një vend të cilit i jam dedikuar i tërë si Albin dhe ia kam falur vitet më të bukura. Jam vërtet shumë i lumtur.”
Në fund të bisedës, Albin Koka ka një mesazh të veçantë për të gjithë të rinjtë që hezitojnë të ndjekin rrugën e artit:
“Mos kini frikë të merreni me artin. Arti nuk është humbje kohe, por është mënyra më e bukur për të shprehur shpirtin tuaj. Nëse keni një talent, qoftë në muzikë, pikturë, vallëzim apo poezi, zhvillojeni. Mos prisni që të gjithë t’ju kuptojnë, mjafton që ju ta besoni veten. Arti nuk kërkon perfeksion, por pasion dhe zemër.”
Me zërin e tij të ëmbël, fjalët e arta dhe përkushtimin ndaj traditës, Albin Koka po bëhet zëri i një brezi të ri që nuk harron rrënjët dhe vazhdon traditën. Një zë që vjen nga verilindja e Shqipërisë, nga zemra e Dardanisë, për t’i kënduar Hasit – gurit, drinit, pushkës dhe penës – në jetë të jetëve.
Kënga që pritet të publikohet së shpejti në youtube!
Ne verilindje te shqipnis
bash ne zemer te dardanise
sikur gjaku qe rrjedh nder vena
si shqiponja me dy krena.
Populli Hasit me tradita
Ku u linda e u rrita
Do punojm per ty gjdo dit
Faqen tane me ta shndrit
Hasi i bukur zemer malsie
Bujaria te ka hije
Ne sofren tane gjan dashni
Jem krenar o Has me ty
Per Hasjan kedo qe dvet
Vec fjal te mira ke me gjet
Hasi i ndar o ne dy an te kufinit
Hasi i gurit dhe i drinit
Me kultur e bujari
Jem krenar o has per ty
Hasi penes dhe i pushkes
Jem te paqes dhe te luftes
Hasi i rrafshit Hasi i gurit
Jem gjithmon ne ball te flamurit
Rrez pashtrigut me krenari
Shtrihen gjith fshatrat e ti
Do kendojm ne sa tjet jeta
Ta trazhgojm kengen ner breza
Me tradita shekullore
Te rinj e te vjeter dor per dore
Nuk i nshojm ne kto vatane
Na mban gjall Diaspora Hasjane
Do i knojm Hasit ne perjetsi
Qe ta rujm ket trashgimi

