Në vazhdën e përkushtimit të saj për përmirësimin e cilësisë së jetesës së personave me aftësi të kufizuara në Has, “Diaspora Hasjane” ka realizuar edhe një dorëzim tjetër të rëndësishëm pajisjesh. Më datë 24 shkurt, në kuadër të projektit të nisur me fondet e mbledhura më 30 nëntor 2025, është pajisur një tjetër anëtar i komunitetit hasjan me nevoja specifike.
Përfituesit i është dorëzuar një karrocë speciale e përshtatur sipas kushteve dhe nevojave të tij shëndetësore, si dhe një vinç elektrik që mundëson lëvizjen nga krevati në karrocë dhe anasjelltas. Kjo pajisje do të lehtësojë ndjeshëm jetën e përditshme jo vetëm të tij, por edhe të familjarëve që kujdesen për të.
Lista e plotë e pajisjeve të dorëzuara përfshin:
- Një ngritës Samsoft 150
- Një karrocë me rrota të lehtë dhe të shtrirë UGO Esteem Deluxe
- Një rrip mbështetës (jelek)
Vlera totale e këtyre pajisjeve është 2,125 paund.
“Diaspora Hasjane” shpreh falënderimet e saj për të gjithë kontribuesit që mbështetën këtë nismë, duke treguar solidaritet të vazhdueshëm me bashkatdhetarët në nevojë. Një falënderim i veçantë shkon për Mentor Muhadrin, i cili mundësoi dërgimin e pajisjeve në Shqipëri pa pagesë, duke treguar bujari e ndjeshmëri të lartë njerëzore.
Ky dorëzim vjen pas një kontributi të madh të realizuar më 28 janar, kur “Diaspora Hasjane” dorëzoi 25 pajisje për personat me aftësi të kufizuara në Has. Konkretisht, atëherë u shpërndanë 19 karroca elektrike, 2 krevate dhe 4 motorra elektrikë. Dorëzimi u krye tek autoritetet e Bashkisë së Hasit, , nën mbikëqyrjen e Drejtorisë së Shërbimit për Personat me Aftësi të Kufizuara. Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë përfaqësues të diasporës dhe drejtues të bashkisë, ndërsa pajisjet ju ndanë personave në nevojë bazuar në listën e përgatitur nga Komisioni Mjekësor për Vlerësimin e Aftësive.
Fondet e mbledhura më 30 nëntor 2025 arritën shifrën 16,835 paund. Nga kjo shumë, për pajisjet e dorëzuara më 28 janar u shpenzuan 14,100 paund, ndërsa dorëzimi i fundit kushtoi 2,125 paund. Nga projekti deri tani kanë mbetur 610 paund.

Kjo iniciativë vazhdon të mbetet një shembull i bujshëm i solidaritetit dhe i lidhjes së fortë ndërmjet diasporës dhe atdheut, duke dëshmuar se kujdesi për njëri-tjetrin nuk njeh kufij.
