Duke ngritur zërin për një nga zonat më premtuese, por të pashfrytëzuara sa duhet të Qarkut të Kukësit, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për këtë qark, Eduard Shalsi, ka sjellë në vëmendje të Kuvendit dhe qeverisë shqiptare shqetësimet e banorëve të Hasit. Gjatë seancës parlamentare, Shalsi theksoi se Hasi, me një ekonomi që mbështetet kryesisht në bujqësi dhe blegtori, ka nevojë urgjente për ndërhyrje konkrete për të zhbllokuar potencialin e tij të madh.
Një nga pikat kryesore të fjalës së tij ishte kërkesa për vëmendje ndaj rezervuarëve ujitës në Has. Shalsi bëri me dije se është informuar për miratimin e disa prej tyre, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv, por jo të mjaftueshëm. “Është shumë e rëndësishme të ndërhyhet në Has me mirëmbajtjen e disa rezervuarëve, të cilët janë jetikë për bujqësinë e zonës,” u shpreh ai, duke kërkuar që puna për mirëmbajtjen e tyre të mos vonohet.
Megjithatë, ai nuk u ndal vetëm te infrastruktura ujitëse. Duke parë numrin ende të ulët të fermerëve që përfitojnë nga skemat mbështetëse, Shalsi bëri një thirrje të fortë për aparatin lokal bujqësor. “I bëj thirrje titullarëve lokalë që merren me bujqësinë të sensibilizojnë më shumë fermerët dhe t’i ndihmojnë ata me aplikimet. Aktualisht, përfituesit në zonën e Tropojës janë rreth 150-200, por ne duhet të synojmë shumë më tepër. Unë besoj se duhet të ketë 500, 600, apo edhe 700 përfitues në ato zona. Potenciali ekziston, por duhet punë në terren për të informuar dhe mbështetur fermerët që të aplikojnë,” deklaroi ai.
Në vijim, ai solli në vëmendje edhe dy shqetësime që lidhen me infrastrukturën rrugore, të cilat i ka evidentuar gjatë takimeve me banorët. Shalsi kërkoi ndërhyrje emergjente për rrugën e Surroj dhe rrugën e Zogaj. Duke pranuar kufizimet buxhetore për rindërtim sipas standardeve kombëtare, ai propozoi një zgjidhje të menjëhershme dhe pragmatike. “Në qoftë se nuk ka mundësi për t’i tenderuar sipas standarteve kombëtare, të paktën t’u krijohet mundësia bashkive respektive me mjete dhe karburant që t’i sjellin në një formë të kalueshme. Janë dy rrugë që unë i kam shkeluar dhe pashë vetë se kërkojnë një ndërhyrje emergjente pa vonesë,” theksoi ai.
Hasi ka potenciale të mëdha për t’u zhvilluar në blegtori dhe në turizëm. Bashkia Has, me ekonominë e saj të varur nga bujqësia dhe blegtoria, ka nevojë që këto potenciale të shndërrohen në të ardhura reale për familjet. Diaspora Hasjane e sheh me rëndësi investimin në bujqsi dhe sektorë të tjerë me potencial në zonë dhe bën thirrje për politika mbështetëse që nxisin fermerët të zhvillohen.
