Diaspora Hasjane sjell në vëmendje një shkrim të profesorit dhe gazetarit Qazim Morina, të publikuar fillimisht më 19 maj 2026 në Gazetën e Prizrenit, me titullin “Hasjanët: Nga bullizmi dhe paragjykimet në krenari – si po shndërrohen në një komunitet ndër më të rëndësishmit në Kosovë e diasporë”.
Ky shkrim meriton të rikthehet në vëmendjen e publikut, sepse trajton një çështje me rëndësi për identitetin dhe vetëdijen tonë kolektive: rrugëtimin e hasjanëve nga paragjykimet, stereotipet dhe përqeshjet e së kaluarës drejt afirmimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor.
Përmes një vështrimi mbi historinë, traditat, harmoninë ndërfetare, kulturën e punës, mikpritjen dhe sukseset e hasjanëve në vende të ndryshme të botës, autori sjell një panoramë të ndryshimeve që ka përjetuar ky komunitet ndër vite.
Për Diasporën Hasjane, promovimi i shkrimeve të tilla është një mënyrë për të vlerësuar identitetin tonë, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të përcjellë te brezat e rinj historinë, vlerat dhe kontributin e njerëzve tanë kudo që jetojnë.
NGA STEREOTIPET DHE PËRQESHJA TE RIVLERËSIMI SHOQËROR
Shkruan: Qazim Morina / Prizren
Pavarësisht se Hasi ndër shekuj ka nxjerrë figura të rëndësishme kombëtare, fetare dhe kulturore, si Pjetër Bogdani, Pali i Hasit, Dervish Salihu e shumë të tjerë, komuniteti hasjan shpesh është përballur me paragjykime dhe keqkuptime në diskursin shoqëror shqiptar.
Për dekada me radhë, hasjanët kanë qenë objekt stereotipesh, ironizimesh dhe bullizimi kulturor. Ata janë përqeshur për bindjet e tyre fetare, për lidhjen tradicionale me figurën e Shejhut, për simbolikën e “Kukave”, për veshjen karakteristike të grave me “kullá”, si dhe për shprehje denigruese të tipit: “Tre hasjanë, një thes tërshanë”, një frazë e përdorur shpesh pa u njohur domethënia e saj reale.
Në shumë raste, paragjykimet janë shtrirë edhe ndaj profesioneve tradicionale, veçanërisht zanatit të bukëpjekësit, i cili padrejtësisht është konsideruar për një kohë të gjatë si profesion me status më të ulët shoqëror.
Megjithatë, zhvillimet historike dhe transformimet shoqërore kanë dëshmuar se paragjykimet kolektive bien përballë vlerave autentike njerëzore dhe kulturore. Koha ka bërë të vetën, duke nxjerrë gjithnjë e më shumë në pah identitetin dhe kontributin e vërtetë të Hasit dhe hasjanëve në jetën shqiptare.
HASI, MODEL I HARMONISË NDËRFETARE
Në aspektin fetar, Hasi paraqet një model të harmonisë ndërfetare. Në këtë rajon bashkëjetojnë me respekt traditat islame dhe katolike, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve kanë qenë historikisht të qëndrueshme dhe shembullore, deri edhe në krijimin e lidhjeve familjare përmes martesave.
Sa i përket lidhjes tradicionale të shumë hasjanëve me bektashizmin dhe figurën e Shejhut, kjo trashëgimi ka marrë vëmendje edhe në diskursin institucional shqiptar. Në vitin 2024, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozoi publikisht krijimin e një “Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi” në Tiranë, sipas një modeli të ngjashëm me atë të Vatikanit.
VESHJA TRADICIONALE, NGA PARAGJYKIMI NË SIMBOL IDENTITETI
Edhe veshja tradicionale hasjane, dikur objekt paragjykimi dhe nënçmimi, sot konsiderohet një ndër elementet më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Kostumet tradicionale të Hasit arrijnë vlera deri në 6–7 mijë euro dhe po fitojnë gjithnjë e më shumë statusin e një simboli identitar dhe etnografik.
Hasi, njëkohësisht, njihet si një nga rajonet më autentike në ruajtjen e strukturës së vet etnike dhe kulturore.
TRANSFORMIMI EKONOMIK DHE KULTURA E PUNËS
Transformimi është i dukshëm edhe në aspektin ekonomik dhe shoqëror. Sot, hasjanët identifikohen me kulturën e punës, ndershmërinë, besueshmërinë dhe përkushtimin profesional.
Shumë familje kanë ndërtuar mirëqenien e tyre përmes zanateve tradicionale, veçanërisht atij të bukëpjekësit. Një profesion që dikur paragjykohej dhe nënvlerësohej, sot shihet si simbol i punës së ndershme, sakrificës dhe suksesit të arritur me mund.
Përmes këtij profesioni, shumë hasjanë kanë krijuar biznese të qëndrueshme dhe kanë siguruar mirëqenie për familjet e tyre, brenda dhe jashtë Kosovës.
Shprehjet ironike të së kaluarës tashmë mund të zëvendësohen simbolikisht me formulime që pasqyrojnë një realitet tjetër: një komunitet që ka ndërtuar mirëqenie përmes djersës, sakrificës dhe punës së ndershme.
“Tre hasjanë, një thes pare të djersës!”
MIKPRITJA – NJË VLERË QË NUK NDRYSHON
Përtej çdo transformimi ekonomik apo shoqëror, një vlerë ka mbetur e pandryshuar: mikpritja hasjane.
Ajo nuk është thjesht pjesë e folklorit apo e narrativës lokale, por një praktikë e përditshme jetese. Mikpritja, bujaria dhe respekti ndaj mysafirit janë cilësi që janë vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga vizitorë dhe bashkëpunëtorë të huaj nga vende të ndryshme evropiane.
HASJANËT, AMBASADORË TË VLERAVE SHQIPTARE NË DIASPORË
Transformimi dhe afirmimi i hasjanëve nuk kufizohet vetëm brenda Kosovës apo rajonit shqiptar. Sot, ata përfaqësojnë një komunitet me prani dhe ndikim të rëndësishëm edhe në diasporë, ku kanë ndërtuar reputacion përmes kulturës së punës, ndershmërisë dhe përkushtimit.
Në vende të ndryshme të Evropës, shumë hasjanë zotërojnë biznese dhe ndërmarrje të suksesshme, ndërsa aktiviteti i tyre afarist është shtrirë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes punës, disiplinës dhe respektit që gëzojnë në komunitetet ku jetojnë, ata janë shndërruar në ambasadorë të heshtur të vlerave shqiptare në botë.
Hasi nuk është vetëm vendlindje dhe prejardhje. Është identitet, traditë, punë, mikpritje dhe krenari që bartet brez pas brezi, kudo që jetojnë hasjanët.
Shkrimi është përshtatur për publikim nga Diaspora Hasjane, duke ruajtur autorësinë dhe thelbin e materialit origjinal të Qazim Morinës.
Burimi: Gazeta e Prizrenit – 19 maj 2026
