Një ditë më parë, media britanike Daily Mail publikoi një reportazh që preku një plagë të thellë të shqiptarëve, fenomenin e emigrimit të burrave drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe lënien e partnerëve të tyre në atdhe. Në vend që të analizonte shkaqet dhe sfidat reale, artikulli ra në nivelin e titujve bombastikë për klikime. Diaspora Hasjane shprehet thellësisht e zhgënjyer për shkrimin si më poshtë vijon: “Daily Mail përshkruan Hasin si një qytet ‘të thyer’, ku burrat ikin, gratë braktisen dhe jeta ka marrë fund. Ky nuk është reportazh, është fyerje! Turp që përdorin historitë njerëzore për klikime. Po, ka emigracion si kudo në botë. Ka vështirësi si në çdo vend në tranzicion. Por në Has jeta nuk ndalet. Këtu ka martesa, lindje, familje që punojnë me krenari dhe nuk presin te mëshirohen nga askush” Diaspora Hasjane vë në dukje se media britanike e trajton një zgjedhje personale të individit si tragjedi kolektive duke injoruar ata që sakrifikojnë. “Askush nuk është i detyruar të emigrojë. Janë zgjedhje personale, jo tragjedi kolektive. E nëse dikush zgjedh të punojë në Britani, kjo nuk i jep të drejtë askujt të fyejë gruan, familjen apo qytetin që la pas. Mos u bëni gjykatës të njerëzve që s’i njihni. Mos na shikoni si numra në statistika dhe mos përdorni dhimbjen apo sfidat tona për të mbushur faqet tuaja me tituj të bujshëm.” Gjithashtu kërkojnë që gazetarët të cilët shkruajnë për Hasin të jenë më profesionalë sa i përket pasqyrimit të realitetit. “Hasi është më shumë sesa një paragraf në gazetën tuaj. Jemi njerëz me dinjitet, me tradita, me familje që nuk thyhen nga largësia. Nëse doni të shkruani për ne, më parë na takoni – jo të shpikni!”. “Me punën e tyre të palodhur, hasjanët kanë mbajtur familjet në Shqipëri përmes remitancave, duke siguruar edukim, shëndetësi dhe mundësi të reja për gjeneratat e reja. Kanë hapur biznese jo vetëm në vendet ku jetojnë, por edhe në atdhe, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të Hasit dhe të Shqipërisë. Çdo e ardhur e dërguar në Shqipëri është një investim për vendlindjen dhe krijon baza të forta për Hasin që po njeh rritje dhe përmirësim ditë pas dite dhe vit pas viti, përfundon reagimi i Diasporës Hasjane.
Reagon Diaspora Hasjane: “Daily Mail” shkrim per klikime, Nuk Reflekton Realitetin!
Having not yet visited Sector 10, follow these steps for a free upgrade.