Jonida e përshkruan Hasin me një krenari të ëmbël: “Has” është vendlindja ime, ku kam kaluar një fëmijëri të bukur. Këtu gjithçka është e thjeshtë, por mbart një ngrohtësi dhe tradita që nuk gjenden kudo. Megjithatë, ajo nuk i shikon gjërat me syze rozë. “Shumë familje largohen, jo sepse nuk e duan vendin, por sepse jeta i detyron. Ne kemi nevojë për më shumë mundësi, veçanërisht për të rinjtë, që të mos mendojnë se emigrimi është e vetmja zgjidhje.” Fjalët e saj nuk janë thjesht kritikë, por një thirrje për veprim.
Jonida beson se me investime në arsim, kulturë dhe infrastrukturë, Has mund të bëhet një vend ku të rinjtë mund të realizohen pa u ndarë nga shtëpia e tyre. Talenti dhe përkushtimi i Jonidës u shpallën kur ajo u shpall fituese e konkursit “North Star”, një garë midis 8 bashkive veriore. “Kur aplikova, thjesht doja të tregoja pasionin tim për gazetarinë. Nuk e imagjinova që do të arrinja deri në finale, e lëre më të fitoja!”, thotë ajo me buzëqeshje. Në finalen e mbajtur në Peshkopi më 22 mars, Jonida impresionoi jurinë, kryesisht pedagogen e njohur Alma Strazimiri, me aftësitë e saj të shkëlqyera të komunikimit dhe shprehjes. “Lexova një tekst me shumë emocione, sepse e ndjeva vërtet çdo fjalë. Gazetaria nuk është vetëm të lexosh lajme, por të prekësh zemrat e njerëzve.” Kjo fitore nuk ishte thjesht një trofe, por një konfirmim që ëndrrat e saj janë në rrugën e duhur. “Ky është vetëm fillimi. E di që rruga do të jetë e gjatë, por jam gati të punoj sa të mundem.” Kur flet për suksesin e saj, Jonida nuk harron të përmendë familjen. “Prindërit, motra dhe vëllai im janë gjithmonë pranë meje. Pa dashurinë dhe mbështetjen e tyre, asgjë nuk do të ishte e mundur.” Familja e saj nuk është thjesht dëshmitare e sukseseve të saj, por pjesëmarrëse aktive në çdo hap. Jonida e ka të qartë pse ka zgjedhur këtë rrugë: “Gazetaria është më shumë se një profesion – është një mision. Nëpërmjet saj, mund t’u tregoj të tjerëve të vërtetën, të ndihmoj njerëzit të informohen dhe të ndihen të përfaqësuar.” Ajo e sheh veten në ekranet e televizionit, jo si një figurë, por si një zë që do të ndikojë në shoqërinë. “Dua të bëhem një gazetare që nuk frikësohet të thotë gjërat ashtu siç janë, por gjithmonë me respekt dhe përgjegjësi.” Në vend që të shikojë drejt Evropës, Jonida zgjedh të ndërtojë të ardhmen e saj në Shqipëri. “Nëse të gjithë largohemi, kush do ta ndryshojë vendin? Duhet të besojmë në fuqinë tonë dhe të punojmë së bashku për një Shqipëri më të mirë.” Historia e Jonidës është një tregues i fuqisë së dëshirës dhe këmbënguljes. Ajo nuk është thjesht një fëmijë me talent, por një frymë që na kujton se ndryshimi fillon nga ne vetë, me besim, punë dhe dashuri për atë që jemi.