Valmire Peka Morina Përgjegjëse e Qendrës Kulturore për Fëmijët në Has flet me pasion për aktivitetet, sukseset dhe sfidat e institucionit.
Valmire Peka Morina, përgjegjëse e Qendrës Kulturore për Fëmijët (QKF) në Has, theksoi se përditshmëria me fëmijët nuk është thjeshtë një punë, por një mision i vërtetë. Në një bisedë të veçantë për Diasporën Hasjane, ajo shpjegoi se bota e fëmijëve është një botë hyjnore, ku mjafton të ndërtosh një lidhje me ta dhe ata të çudisin çdo ditë me aftësitë e tyre në disiplina të ndryshme.

FOKUS NË FESTAT E NËNTORIT DHE ATDHEDASHURINË
Duke qenë se jemi në muajin nëntor, QKF-ja po merret me festat e këtij muaji, me një fokus të veçantë emocional drejt Festës së Flamurit. Sipas Morinës, i gjithë skenari i kësaj feste është i lavdishëm dhe i larmishëm. Ai përfshin performanca për atdhedashuri, valle, dhe këngë patriotike të interpretuara “live” nga zërat të fëmijëve, të shoqëruara nga nxënës instrumentalistë.
Gjithashtu, do të organizohet një ekspozitë pikture me temën “Shqipëri o nëna ime”, duke shtuar një dimension tjetër artistik shpirtëror.

AKTIVITETET E VITI TË RI DHE MËNYRA E REGJISTRIMIT
Për festimet e Vitit të Ri, QKF-ja po përgatit një aktivitet në shkallë rrethi, i cili do të përfshijë të gjitha shkollat e rrethit të Hasit. Në këtë aktivitet do të shpërndahen çmime për performancat më të mira.
Njoftimet për regjistrime bëhen përmes grupit të drejtorëve të shkollave në WhatsApp, dhe faqes në Instagram @qkfhas, si dhe duke informuar direkt nxënësit dhe prindërit e tyre.
SUKSESET NË KONKURSTE KOMBËTARE
QKF-ja e Hasit ka shënuar suksese të dukshme në shumë aktivitete jashtë qytetit. Në Festivalin e Fushë-Arrëzit, ata morën çmimin e parë dhe diploma me temën “Në ruajtjen e traditës”. Gjithashtu, në aktivitetin “Jehona Shqiptare” në Tiranë, arritën disa çmime prestigjioze:
- Çmimi për “Grupin më të kompletuar në gjitha disiplinat”.
- Çmimi për “Këngën më të bukur” nga nxënësi Leonard Geca.
- Çmimi i tretë në kategorinë instrumentaliste nga nxënësja Enkeleda Faslia.
- Çmimi i dytë për këngë nga dueti Steisi dhe Selina Pervana.
Në bashkëpunim me “North Star” në Dibër, QKF-ja u nderua me çmimin e parë nga nxënësja Jonida Cahani, si dhe me një çmim tjetër për një performancë të kompletuar në qytetin North Star.

AKTIVITETET LOKALE DHE PROMOVIMI I TRADITËS
Morina vazhdoi me entuziazëm duke përmendur audicionet e ndryshme të organizuara në Pallatin e Kulturës. Ajo veçanërisht veçoi aktivitetin e suksesshëm të majit 2025, ku u promovua tradita lokale e “Besnikërisë dhe Bujarisë” të ofruar në sofër. Përveç ushqimeve tradicionale të Hasit, prezantoheshin gjithashtu bisedat e ndryshme dhe akterime plot vlera, e deri te “Loja e Kapucave”, e sjellë me mjeshtëri nga artistët lokalë. Pjesa e vajzave solli këngët e sofrës, adetet e këngës së sofrës, kcimin e çikave, nuses dhe plakës. Të gjitha këto sollën emocione të thella dhe e mbushën plot sallën.
Vlen të përmendet edhe aktiviteti madhështor “Dasma Hasjane”, i realizuar në bashkëpunim me Asamblen “Pjetër Bogdani”. Edhe këtu, fëmijët e QKF-së ishin të pranishëm në rolet e tyre tradicionale: pjesa e duvakut, vallet e fëmijëve, lojërat e fëmijëve, këngët, vallet dhe pasthirrmat karakteristike: “Erdhiiii nusjaaaa!”.
PËRKRAHJA E PRINDËRVE DHE SFIDAT
Morina theksoi se prindërit janë shumë mirënjohës për mundësinë e vetme në art dhe performim që u jepet fëmijëve hasjanë. Ata shprehin me mirësjellje dëshirën për t’i promovuar fëmijët e tyre në sa më shumë aktivitete.
Megjithatë, nuk kanë munguar sfidat. Morina kujtoi se në 2023 ajo kaloi në rol drejtues pas aktivitetit të parë të QKF-së në Panairin Ushqimor të Hasit. Menjëherë pas këtij suksesi, filloi një bum regjistrimesh, kryesisht në pjesën instrumentale. Falë ndihmës dhe pasionit të mësuesit Perparim Brati, u krijua grupi i instrumentalistëve, i cili aktualisht numëron mbi 30 nxënës që mësojnë çifteli, sharki, fyell dhe def.
Punën e palodhur e bën edhe stafi i mrekullueshëm: mësuesja Farie Laci në pjesën letrare dhe mësuesja Farie Tuta në pjesën e këngës. Aktualisht, QKF-ja numëron 88 nxënës, me një numër në rritje të vazhdueshme, ku pjesa më e madhe vjen nga Shkolla “Seidi Dida”, si dhe nga shkollat e tjera të rrethit si Golaj, Vlahë, Nikoliq dhe Vranisht.

VIZIONI DHE FILOZOFIA E QENDRËS
Filozofia e Qendrës ndikon në mënyrë të dukshme në të gjitha aktivitetet: “Ne jemi artistë, jemi të barabartë pavarësisht aftësive të ndryshme, ndaj Stop bullizimit”.
Vizioni i QKF-së është që “Hasi me QKF të fuqizohet në promovimin dhe ruajtjen e traditës, artit, kulturës dhe sportit”.
Aktualisht, Qendra ka edhe një grup të kërcimit modern, i cili shërben si një lloj adrenaline dhe promovohet në aktivitete të ndryshme.
MENAXHIMI I SUKSESSHËM DHE KËRKIMI I PARTNERITETEVE
Morina shpjegoi se pjesa e menaxhimit të nxënësve ka qenë shumë e suksesshme, duke e atribuar këtë një komunikimi të shkëlqyer dhe aftësive të mira menaxheriale. Kjo fillon nga mënyra e mirëpritjes dhe krijimi i një ambienti ku fëmijët ndihen mirë dhe të sigurt, duke i motivuar më pas me duartrokitje për çdo arritje, të cilat çelin si lule të bukura.
Bashkia e Hasit është një mbështetëse e madhe për Qendrën. Megjithatë, për të zbatuar projektet e shumta që kanë, ata kërkojnë mbështetje nga bizneset lokale, brenda mundësive të tyre.
NEVOJAT DHE PROJEKTET E ARDHSHME
Një nga nevojat më të mëdha të Qendrës janë veshjet kombëtare, të cilat aktualisht nuk disponohen dhe shpesh herë merren me qira, duke u paguar nga nxënësit. Gjithashtu, dhuratat për Festën e Vitit të Ri janë një tjetër nevojë; vitin e kaluar, i gjithë stafi kontribuoi për të blerë dhurata për fëmijët.
Ndër projektet e ardhshme, Morina përmendi dëshirën për të vizituar me fëmijët shtëpitë ku jetojnë të moshuarit hasjanë që jetojnë vetëm, si dhe projekte për punë vullnetare në komunitet.
AKTIVITETI I ARDHSHËM
Së fundi, Morina njoftoi se me datë 26 Nëntor, QKF-ja do të organizojë aktivitetin e festave të Nëntorit, duke I ftuar të gjithë të pranojnë ftesën për të ndarë gëzimin dhe pasionin e fëmijëve hasjanë për artin dhe kulturën.
