Si pasojë të reshjeve intensive të shirave të fundit, Bashkia Has përballoi sfida të konsiderueshme në infrastrukturë.
Sipas një vlerësimi, janë vërejtur dëmtime në afërsisht 90% të rrugëve rurale dhe të kanaleve vaditëse, si dhe tek disa ura kalimi. Gjithashtu, u raportuan dëmtime në 5 diga rezervuarësh, në disa ndërtesa banimi, si dhe rreshqitje toke dhe dëmtime në disa sipërfaqe bujqësore.

Duke vepruar me shpejtësi dhe përgjegjësi, situata u menaxhua në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efektive nga struktura e Bashkisë Has. Nëpërmjet Drejtorisë së Mbrojtjes Civile dhe nën koordinimin e Drejtorit Operacional, njoftohet se u mobilizua i gjithë stafi komunitar për të vlerësuar dhe përballur kushtet e vështira.

Falë përpjekjeve të koordinuara dhe vazhdimësisë operacionale, Bashkia Has njofton se situata aktuale është plotësisht nën kontroll. Të gjitha dëmtimet e identifikuara janë të menaxhueshme dhe po përpunohen planet për riparime dhe rivendosje të shpejtë, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Autoritetet e Bashkisë Has vazhdojnë të monitorojnë gjendjen dhe janë të përkushtuara për të siguruar shërbimet thelbësore për qytetarët dhe për të kaluar në fazën e rimëkëmbjes sa më shpejt të jetë e mundur.
