Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë dhe INSTAT konfirmojnë rolin kyç të diasporës në ekonominë shqiptare, duke theksuar se remitancat po arrijnë nivele rekorde dhe po shërbejnë si një shtyllë e rëndësishme mbështetëse për familjet në vendlindje.
Sipas bilancit të pagesave, të ardhurat nga emigrantët shënuan vlerën historike prej 1.1 miliardë euro gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 5.9% krahasuar me një vit më parë. Ky rekord vjen në një kontekst ku numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vazhdon të rritet, i nxitur nga vala e re e emigracionit.
Fluksi i parave ka pësuar një përshpejtim të dukshëm në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit, periudha këto që tradicionalisht lidhen me ardhjen e emigrantëve për pushime. Konkretisht, gjatë korrik-shtatorit 2025, emigrantët sollën 285 milionë euro, ndërsa në tre muajt e fundit të vitit, fluksi arriti në 302 milionë euro.
Tendenca rritëse e remitancave është e qëndrueshme që nga viti 2013, duke reflektuar ciklin e ri të emigracionit të nisur pas vitit 2015. Pas një rënieje të shkaktuar nga pandemia në 2020, prurjet jo vetëm që u rikthyen, por për herë të parë në 2022 kaluan kufirin simbolik të 1 miliard eurove, për të vijuar më pas me ritme të përshpejtuara.
Kjo rritje e flukseve monetare ndodh në të njëjtën kohë me një trend negativ të migracionit neto në vend. Të dhënat e INSTAT tregojnë se diferenca midis personave që hyjnë dhe atyre që largohen nga Shqipëria vijon të mbetet negative, me një përkeqësim të theksuar pas pandemisë. Kulmi i humbjes neto të popullsisë u shënua në vitin 2024, me rreth -43,761 persona, niveli më i lartë i regjistruar.
Ky trend konfirmohet edhe nga të dhënat e Eurostat, ku për periudhën 2021-2024, vendet e BE-së i kanë dhënë shtetasve shqiptarë 284,585 leje qëndrimi për herë të parë. Vihet re një rritje e ndjeshme e lejeve të punës, të cilat përbëjnë rreth një të tretën e totalit dhe janë dyfishuar krahasuar me periudhën para pandemisë.
Sipas aktorëve të tregut, prurjet vijnë kryesisht nga vendet tradicionale të emigracionit si Greqia dhe Italia, por vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme edhe nga destinacione të reja si Anglia dhe Gjermania.
Vlerësimi i remitancave nga Banka e Shqipërisë përfshin si kanalet formale (bankat, institucionet financiare) ashtu edhe vlerësimet e prurjeve informale, duke synuar të kapë tërësinë e flukseve reale që hyjnë në ekonomi dhe që mbështetin çdo ditë e më shumë familjet shqiptare në vendlindje.
Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, sipas të dhënave jetojnë afërsisht rreth 8 mijë hasjanë, të cilët kontribuojnë me përkushtim për familjet e tyre dhe vendlindjen në Has.
Burimi: Monitor.al
