“Abbott: Reforma territoriale duhet bërë hapur, pa manovra taktike – ndryshe rrezikohen marrëdhëniet”
Në një bisedë të gjatë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, ambasadori britanik në Tiranë, Sh.T. Nicholas Abbott, ka folur hapur për herë të parë në lidhje me shqetësimin e komunitetit të Hasit lidhur me reformën territoriale. Gjatë intervistës me Andrea Dangllin, Abbott rrëfeu një takim të veçantë: “Ajo çfarë më bëri përshtypje, duke ju kthyer tek pyetja juaj, është reflektimi i ngushtësisë së marrëdhënieve që kemi dhe ju keni një grup të tillë që janë të mirë-themeluar si biznesmenë në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk po flasim këtu për biznese të mëdha. Këta zotërinj kanë biznese familjare që janë të suksesshme dhe janë ende të shqetësuar për vendin e tyre prej nga vijnë. Janë ende të shqetësuar se çfarë ndodh në shtëpitë e tyre dhe më kërkojnë që të punoj në emër të tyre, gjithashtu edhe për të qenë në bashkëbisedim me qeverinë shqiptare, dhe ky është një reflektim i interesit që diaspora ka për të ardhmen e Shqipërisë. Pra, çështje si reforma territoriale dhe jo thjesht vetëm për proceset e menjëhershme të njerëzve.”
Ai theksoi se u befasua nga angazhimi dhe organizimi i tyre:
“Në fakt, është e vështirë që ta gjesh në një vend tjetër këtë lloj interesi nga një komunitet që interesohet ende për vendlindjen dhe për familjarët. Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë shumë afër.”
Në të njëjtën intervistë, ambasadori britanik u shpreh se reforma territoriale duhet bërë “shumë hapur” dhe me përfshirjen e të gjithë aktorëve që preken, duke reflektuar se çdo ndryshim i ri rrezikon të cenojë besimin e komuniteteve lokale.
“Nuk është se kam një pikëpamje për sa i përket reformës territoriale në Shqipëri, por çka mund të them është që vjen një kohë që duhet t’i realizosh punët dhe mendoj se ka ardhur momenti. Shpesh marrëdhëniet ndërtohen në mënyrë që të arrihet diçka. Nëse marrëdhëniet ndryshojnë, nëse personalitetet ndryshojnë, e bën më të vështirë punën. Për të qenë të sinqertë ky është një vend që ka këtë vizion afatgjatë, ama pyetja shtrohet nëse ka ndonjë manovër taktike për të arritur në destinacion dhe çfarë duhet të bësh që gjërat të progresojnë. Reforma territoriale është e rëndësishme, por ama duhet bërë shumë hapur sepse prek të gjithë vendin. Pra ka nevojë që të përfshijë të gjithë aktorët, të gjithë ata që përfshihen dhe që do të preken.”
Intervista e Abbott vjen pas një sërë takimesh të nivelit të lartë që “Diaspora Hasjane” ka zhvilluar në Tiranë. Vetë ambasadori ka pritur më herët në ambientet e ambasadës një delegacion të përbërë nga Shefqet Kraja, Ilir Nabolli, Mentor Bokçiu, Misin (Max) Dajçi, Ermal Karakushi, Mustaf Ahmati, Alfred Ferizolli dhe Uran Derri. Ata i dorëzuan atij një memorandum me argumente konkrete: rreziku i shkrirjes së Bashkisë Has do të sillte dobësim të qeverisjes vendore, humbje vendesh pune, rritje të migracionit dhe kolaps demografik.
Më pas, në tryezën e organizuar nga “Diaspora Hasjane” dhe “Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi”, Abbott iu drejtua të pranishmëve me fjalë inkurajuese: “Unë mendoj se sfidat që po përballoni nuk janë unike. Por çfarë shoh këtu është entuziazmi dhe dëshira për t’i adresuar këto sfida. Natyrisht që keni shumë mbështetjen time. Kjo nuk është vetëm se gjysma e Hasit jeton në Angli, por se të gjithë këta së bashku ju bëjnë më të fortë.”
Ky është rasti i parë që një ambasador i një vendi të madh perëndimor ndërmerr një rol të tillë aktiv në emër të një komuniteti.
Nga intervista e fundit në A2 CNN deri te angazhimi i drejtpërdrejtë diplomatik, qëndrimi i Nicholas Abbott është i qartë: ai mbështet kërkesën e hasjanëve për ruajtjen e Bashkisë së tyre, e konsideron shqetësimin e “Diasporës Hasjane” legjitim dhe paralajmëron se çdo reformë territoriale duhet të përfshijë komunitetin. Për Diasporën Hasjane, kjo është një fitore diplomatike e padiskutueshme – zëri i tyre ka depërtuar në nivelet më të larta..
Ambasadori gjithashtu gjatë intervistës tha se afërsia gjeografike (vetëm dy-tre orë fluturim), numri i madh i turistëve britanikë (rreth 350,000 vitin e kaluar) kanë krijuar marrëdhënie të reja dhe gjithnjë e më të ngushta mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
