Nga rrënjët në Has te sfidat e aktrimit në Angli, Dritan Kastrati rrëfen rrugëtimin e tij, krenarinë për identitetin shqiptar dhe misionin për t’i treguar botës historinë e vërtetë të shqiptarëve.
Diaspora Hasjane | Intervistë ekskluzive
Rrugëtimi drejt suksesit nuk është gjithmonë i lehtë, veçanërisht kur nis në një vend dhe vazhdon në një tjetër, mes sfidave të emigrimit, pengesave gjuhësore dhe përpjekjeve për të ndërtuar një të ardhme profesionale. Por, për ata që nuk harrojnë rrënjët dhe vazhdojnë të besojnë në aftësitë e tyre, çdo vështirësi mund të shndërrohet në një mundësi për të ecur përpara.
I tillë është edhe rrugëtimi i aktorit shqiptar Dritan Kastrati, me origjinë nga Hasi, i cili e nisi jetën në një mjedis të ri, në Angli, për të ndërtuar gradualisht identitetin e tij artistik dhe për të gjetur vendin në botën e aktrimit.
Përmes kësaj interviste për portalin Diaspora Hasjane, Dritan Kastrati ndan kujtime nga largimi prej vendlindjes, përvojat që e formësuan si aktor, sfidat e industrisë së filmit dhe rëndësinë e familjes, traditave dhe identitetit shqiptar. Ai flet gjithashtu për dëshirën për të prezantuar kulturën tonë në arenën ndërkombëtare dhe për t’u ardhur në ndihmë të rinjve shqiptarë që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre në botën e artit.
Një rrëfim që shkon përtej karrierës artistike, duke përcjellë mesazhe për këmbënguljen, krenarinë për prejardhjen dhe përgjegjësinë për të mos harruar kurrë se nga vijmë.
1. Nga Hasi drejt Anglisë – një largim që ndryshoi jetën
(Pas çdo rrugëtimi të madh qëndron një vendim, por edhe kujtime e rrënjë që mbeten pjesë e pandashme e njeriut. Si e kujton Dritan Kastrati largimin nga vendlindja dhe çfarë mori me vete nga Hasi?)
Dritan Kastrati:
“Në atë moshë të re, vendimi për t’u larguar nga vendlindja nuk ishte diçka për të cilën mendoja shumë; doja një aventurë, por, kur u rrita, kuptova se nuk ishte aspak aventurë dhe se, po të mund të kthehesha pas, nuk do ta merrja kurrë atë vendim, ndërsa nga vendlindja mora me vete besimin e plotë dhe krenarinë për prejardhjen time, sepse Babgjyshet tonë thoshin: “Mund të shkosh kudo në botë, por të lutem, mos harro nga vjen”, dhe mendoj se i jam përmbajtur plotësisht kësaj bindjeje.”
2. Nga emigrimi te pasioni për aktrimin
(Ndonjëherë, rruga drejt profesionit që të përcakton jetën nis krejt rastësisht. Për Dritanin, një mësues që besoi tek ai dhe një mënyrë e veçantë komunikimi u bënë pikënisja e një pasioni që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.)
Diaspora Hasjane: Si lindi pasioni juaj për aktrimin dhe si arritët ta ktheni atë në profesion, duke studiuar dhe u diplomuar në Angli?
Dritan Kastrati:
“Pasioni im për aktrimin nisi kur mbërrita në Angli, rreth moshës 13-vjeçare, në shkollë. Të them të drejtën, u përfshiva në aktrim krejt rastësisht, sepse gjithçka nisi me një mësues të veçantë që besoi tek unë dhe më nxiti të merresha me aktrim. Ndoshta ishte edhe një nga gjërat më të lehta për t’u bërë kur nuk e flet gjuhën: mund të komunikosh duke përdorur gjithçka tjetër që ke në dispozicion, duke u shprehur fizikisht dhe përmes emocioneve, në vend që të mbështetesh vetëm te një gjuhë që ishte e huaj për mua.
E ktheva në profesion duke vazhduar të aktroja, të ushtrohesha dhe të trajnohesha fort. Vazhdoja shkollën, ndiqja kurse dhe punëtori profesionale. Gjëja kryesore ishte të isha i qëndrueshëm dhe të vazhdoja, pavarësisht gjithçkaje, pa lejuar asgjë të më ndalonte.”
3. Sfidat e një shqiptari që synon skenën ndërkombëtare
(Suksesi në një industri konkurruese kërkon më shumë se talent. Për një aktor që vjen nga një vend tjetër dhe përballet me një kulturë të re profesionale, rruga drejt mundësive të mëdha mund të jetë edhe më e vështirë. Dritani rrëfen sfidat, por edhe forcën që i ka dhënë prejardhja e tij.)
Diaspora Hasjane: Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha që keni përjetuar gjatë rrugës suaj drejt profesionit të aktorit? Sa e vështirë ka qenë të ndërtoni identitetin tuaj artistik në një mjedis të ri kulturor dhe profesional?
Dritan Kastrati:
“Të jem plotësisht i sinqertë, ka qenë shumë e vështirë, sepse industria e aktrimit është një biznes gjigant dhe kultura e saj është krejt e ndryshme nga e jona. Edhe gjuha është e ndryshme. Shumë nga njerëzit në këtë industri vijnë nga familje aristokrate; fëmijët dhe nipërit e tyre punojnë brenda të njëjtit rreth, ku është shumë e vështirë të depërtosh. Të vije nga një vend tjetër ishte edhe një pengesë më shumë.
Por, të jem i sinqertë, prejardhja ime nga Hasi ka qenë një bekim, sepse mendoj se është fuqi të jesh krenar për vendin nga vjen. Kombinimi i naivitetit, krenarisë dhe vendosmërisë së pamëshirshme më ka ndihmuar të përballoj shumë sfida që të tjerët nuk kanë mundur t’i kapërcejnë. Kjo përfshin edhe bashkatdhetarët tanë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët gjithashtu nuk kanë mundur të depërtojnë.”
4. Përvojat në film dhe teatër që lënë gjurmë
(Përtej roleve dhe projekteve artistike, disa përvoja kanë një domethënie më të thellë, sepse lidhen me identitetin, historinë dhe mundësinë për t’i treguar botës një realitet që shpesh nuk është paraqitur drejt. Për Dritanin, një nga momentet më domethënëse ka qenë rrëfimi i historisë së tij dhe i kulturës shqiptare.)
Diaspora Hasjane: Gjatë karrierës suaj keni marrë pjesë në projekte filmike dhe teatrore ndërkombëtare. Cilat prej këtyre përvojave kanë lënë gjurmën më të fortë tek ju dhe cili ka qenë momenti kur jeni ndier se po i afroheshit realizimit të ëndrrës suaj?
Dritan Kastrati:
“Kam punuar me aktorë të jashtëzakonshëm në projekte të mrekullueshme, filma të mirë dhe seriale televizive, por asgjë nuk ka qenë njëkohësisht kaq sfiduese, krenari dhe përvojë për të cilën jam mirënjohës sa shkrimi i historisë sime për rrugëtimin nga Hasi në Mbretërinë e Bashkuar dhe për kulturën tonë, të cilën e ndamë me botën. Ky ishte një nga momentet më krenare për mua, familjen time dhe shumë nga shqiptarët që erdhën për ta parë, sepse na dha zë dhe mundësinë të tregonim kulturën tonë të vërtetë, fjalët tona dhe traditën e vërtetë shqiptare, e cila ka të bëjë me ndihmën dhe mbështetjen ndaj njerëzve. Kjo është shumë larg rrëfimit krejtësisht të rremë që është paraqitur për ne në filma dhe gazeta në mbarë botën.”
5. Identiteti shqiptar në artin e tij
(Rrënjët nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës; ato mund të shndërrohen në forcë, karakter dhe mënyrë të veçantë të të shprehurit. Për Dritan Kastratin, prejardhja hasjane dhe gjaku shqiptar kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e tij si artist.)
Diaspora Hasjane: Sa ndikon origjina juaj shqiptare në mënyrën se si e shihni dhe e interpretoni një personazh? A mendoni se përvoja e emigrimit dhe rrënjët tuaja nga Hasi ju kanë dhënë një këndvështrim të veçantë si aktor?
Dritan Kastrati:
“Me kan Hasjan dhe gjaku im shqiptar më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Mendoj se si popull kemi pasion dhe vullnet të jashtëzakonshëm për t’u lidhur me të tjerët dhe për të ndërtuar diçka. Jemi njerëz shumë krenarë dhe mendoj se kjo më jep një avantazh ndaj shumë të tjerëve. Sa herë që hyjmë në një dhomë, mendoj se e zotërojmë hapësirën dhe e bëjmë këtë natyrshëm. Të qenit nga Shqipëria e Veriut më ka dhënë vërtet një avantazh ndaj shumë njerëzve.”
6. Hasi, familja dhe rrënjët që nuk harrohen
(Largësia mund të ndryshojë jetën, por nuk e zbeh domosdoshmërisht lidhjen me vendlindjen. Familja, traditat dhe mbështetja e ndërsjellë mbeten vlera që shoqërojnë njeriun kudo që jeton dhe punon.)
Diaspora Hasjane: Pavarësisht largësisë dhe angazhimeve profesionale, çfarë përfaqëson sot Hasi për ju? Sa rëndësi kanë familja, traditat dhe kujtimet e vendlindjes në jetën tuaj personale dhe në rrugëtimin artistik?
Dritan Kastrati:
“Pa familjen, mendoj se 99% e njerëzve nuk do të ishin asgjë; familja është gjithçka. Tradita jonë, familjet e mëdha dhe fakti që qëndrojmë pranë njëri-tjetrit janë shtylla kurrizore e gjithçkaje që bëjmë dhe e çdo suksesi që arrijmë.”
7. Diaspora shqiptare si burim frymëzimi dhe suksesi
(Kur një shqiptar arrin sukses jashtë vendit, gëzimi shpesh shkon përtej arritjes personale. Ai kthehet në krenari të përbashkët dhe në një shembull frymëzimi për të tjerët. Dritani thekson rëndësinë e mbështetjes mes shqiptarëve dhe të hapjes së rrugëve për brezat e rinj.)
Diaspora Hasjane: Duke qenë pjesë e diasporës në Angli, si e vlerësoni rolin e shqiptarëve që punojnë dhe ndërtojnë karrierën e tyre jashtë vendit? Çfarë mendoni se mund të bëjnë më shumë profesionistët shqiptarë në diasporë për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të krijuar mundësi për brezat e rinj?
Dritan Kastrati:
“Kur shoh shqiptarë të tjerë të kenë sukses në profesionin e tyre, kjo më bën krenar mua dhe, mendoj, shumicën prej nesh. Ndihemi sikur jemi pjesë e suksesit, sepse jemi: kur fiton njëri prej nesh, fitojmë të gjithë.
Mendoj se shumë prej nesh po përpiqen t’i përfshijnë të rinjtë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin, por gjithmonë mund të lidhemi me më shumë të rinj dhe t’i përfshijmë në profesionet tona. Unë personalisht përpiqem gjithmonë t’u gjendem pranë shqiptarëve, të rinj apo më të rritur, që duan të hyjnë në këtë industri. Bëj çmos t’ua lehtësoj rrugën dhe t’u jap një dorë, sepse e di si është të mos kesh askënd. Kur sapo kisha nisur këtu, mezi njihja ndonjë shqiptar në këtë industri. Meqë vetë nuk pata atë mbështetje, do të bëj gjithçka mundem për të ndihmuar të tjerët.”
8. Mes dy kulturave: shqiptare dhe britanike
(Të jetosh mes dy kulturave mund të të japë një këndvështrim më të gjerë mbi botën dhe mbi vetveten. Për Dritanin, kultura shqiptare dhe ajo angleze ndërthuren në mënyrë të veçantë, duke ndikuar edhe në mënyrën se si ai shpreh emocionet përmes artit.)
Diaspora Hasjane: Si ka ndikuar jetesa në Angli në formimin tuaj si njeri dhe si artist? A mendoni se përvoja e të jetuarit mes dy kulturave ju ka ndihmuar të kuptoni më mirë veten dhe të sillni më shumë thellësi në rolet që interpretoni?
Dritan Kastrati:
“Të qenit pjesë e kulturave të ndryshme më ka ndihmuar shumë, sepse më lejon t’i shoh gjërat nga dy këndvështrime të ndryshme. Janë dy kultura të forta që përplasen në një mënyrë pozitive. Pasioni dhe etja për të arritur vijnë nga kultura shqiptare, ndërsa kultura angleze, për mua, është pak më e përmbajtur dhe më pak emocionale, nëse kjo ka kuptim. Kur shpreh emocione përmes asaj që bëj, mbështetem te origjina ime e vërtetë.”
9. Planet dhe synimet për të ardhmen
(Për Dritanin, synimi nuk është vetëm të vazhdojë karrierën artistike, por edhe të krijojë vepra që përcjellin historinë dhe kulturën shqiptare. Një nga projektet që ai dëshiron të çojë më tej lidhet me përvojat e të rinjve shqiptarë që emigrojnë në Mbretërinë e Bashkuar.)
Diaspora Hasjane: Cilat janë projektet dhe sfidat që dëshironi të realizoni në vazhdim të karrierës suaj? A do të dëshironit të angazhoheshit në projekte filmike ose teatrore në Shqipëri dhe Kosovë, apo të realizonit një projekt artistik që lidhet drejtpërdrejt me historitë, traditat dhe njerëzit e Hasit?
Dritan Kastrati:
“Projekti im i radhës dhe synimi im për të ardhmen është të ndaj me botën kulturën, traditat dhe pasionin tonë për jetën. Do t’i përdor aftësitë e mia për të krijuar një film, i cili shpresoj se do t’i tregojë botës se kush jemi. Për ta nisur këtë proces, do të mbështetem te shfaqja ime “How Not to Drown”.
Shfaqja ime flet për të rinjtë tanë që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe për ndikimin që kjo përvojë ka pasur tek ata që kanë ardhur këtu në moshë shumë të vogël, pa familjet e tyre, por pa asnje mbështetje. Ndonjëherë përvoja ka qenë e tmerrshme, e vështirë dhe zemërthyese; herë të tjera, ka qenë e mirë dhe të ka dhënë forcë. Dua të tregoj të dyja anët, sepse përvoja nuk ka pasur vetëm një ndikim te të rinjtë tanë. Ajo na ka ndikuar në shumë mënyra, si për mirë, ashtu edhe për keq.”
10. Mesazhi për të rinjtë hasjanë dhe shqiptarët në diasporë
(Në fund të këtij rrëfimi, mesazhi i Dritanit është i drejtpërdrejtë: suksesi kërkon punë, përkushtim dhe besim te vetja. Ai kujton nisjen e tij pa mbështetje dhe thekson se njeriu duhet të marrë përgjegjësinë për të krijuar mundësitë e veta.)
Diaspora Hasjane: Duke parë rrugëtimin që keni bërë nga Hasi deri në Angli dhe përvojën që keni fituar si aktor, çfarë mesazhi do t’u përcillnit të rinjve që kanë ëndrra të mëdha, por përballen me pasiguri dhe vështirësi? Çfarë do t’u thoshit atyre që dëshirojnë të largohen nga vendlindja për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, pa humbur lidhjen me rrënjët e tyre?
Dritan Kastrati:
“Mesazhi im i parë për të rinjtë është: mos ndaloni kurrë së punuari dhe punoni më fort se kushdo tjetër në atë dhomë. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur sukses dhe, nëse e bëni këtë, asgjë nuk mund t’ju ndalojë.
Unë erdha këtu vetëm, pa njeri pranë, pa mbështetje dhe pa asgjë. E vetmja gjë që kisha ishte bindja e palëkundur se ishte përgjegjësia ime të krijoja mundësi dhe të arrija gjëra. Askush nuk vjen të të ndihmojë nëse nuk e ndihmon veten më parë, siç thotë Zoti: “Ndihmoje veten pak dhe unë do të të ndihmoj më shumë.””
Një histori që na kujton vlerën e rrënjëve
Historia e Dritan Kastratit është një rrëfim për sfidat e emigrimit, përpjekjet për të gjetur vendin në një industri konkurruese dhe forcën që mund të të japë identiteti yt. Por është gjithashtu një kujtesë se suksesi merr një kuptim edhe më të madh kur shoqërohet me dëshirën për të ndihmuar të tjerët dhe për të përfaqësuar me dinjitet vendin nga vjen.
Përmes punës dhe projekteve të tij artistike, Dritani synon t’i japë zë historive të shqiptarëve dhe të prezantojë në botë kulturën, traditat dhe vlerat tona. Mesazhi i tij për të rinjtë është i qartë: të mos heqin dorë nga ëndrrat, të punojnë me këmbëngulje dhe të mos i harrojnë rrënjët, pavarësisht se ku i çon jeta.
Për komunitetin hasjan dhe për diasporën shqiptare, rrëfime të tilla janë një mundësi për të njohur më nga afër njerëzit tanë që ndërtojnë karrierën jashtë vendit dhe që vazhdojnë ta mbajnë gjallë lidhjen me origjinën.
Diaspora Hasjane i uron Dritan Kastratit suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij artistik, si dhe realizimin e projekteve që synojnë të përcjellin historinë dhe kulturën shqiptare në skenat ndërkombëtare.




