Klubi i Futbollit Pashtriku i Hasit do të marrë pjesë për herë të parë në turneun ndërkombëtar “Future of Football” 2026, që do të zhvillohet në Tiranë, në datat 27–29 nëntor. Një përfaqësim i rëndësishëm për futbollin e të rinjve të Hasit, në një kompeticion që pritet të mbledhë akademi dhe ekipe futbolli nga vende të ndryshme të Evropës.
Pjesëmarrja e skuadrës së Hasit është bërë e mundur falë mbështetjes së Diasporës Hasjane, e cila ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve për të mundësuar përfaqësimin e klubit në këtë aktivitet sportiv ndërkombëtar. Një kontribut që u jep futbollistëve të rinj mundësinë të provojnë nivelin e tyre përballë akademive me emër në futbollin evropian.
Në këtë turne, Klubi Pashtriku do të përfaqësohet nga dy grupmosha, U-11 dhe U-13. Sipas organizatorëve, në kompeticion pritet të marrin pjesë akademi nga Spanja, Hungaria, Italia, Greqia, Kosova, Kroacia dhe Franca, mes tyre edhe emra të njohur si Paris Saint-Germain, AS Monaco dhe Juventus Academy London.
Trajneri i ekipit, Ardian Proga, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme ftesën për pjesëmarrje, duke shprehur kënaqësinë dhe entuziazmin për këtë eksperiencë të re.
“Kur jemi kontaktuar për pjesëmarrjen, jemi ndier shumë të kënaqur me ftesën dhe e presim me padurim këtë kompeticion. Besoj se për çdo ekip është një ëndërr të ketë përballë skuadra me emër, siç janë ekipet që kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, shprehet trajneri Proga.
Sa i përket përgatitjeve, ai thekson se skuadra vijon normalisht procesin stërvitor, paralelisht me përgatitjet për kampionatin kombëtar të futbollit, i cili nis së shpejti.
“Ne vazhdojmë stërvitjen, pasi po përgatitemi edhe për kampionatin kombëtar të futbollit që fillon së shpejti. Besoj se do të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Ky kompeticion, që zhvillohet në Tiranë, është hera e parë që marrim pjesë dhe kjo falë ndihmës që na ka dhënë Diaspora Hasjane”, u shpreh ai.
Pjesëmarrja në “Future of Football” 2026 përbën një mundësi të veçantë për futbollistët e rinj të Pashtrikut, jo vetëm për të konkurruar me ekipe dhe akademi të nivelit të lartë, por edhe për të fituar përvojë, për të matur potencialin e tyre dhe për të përfaqësuar Hasin në një skenë ndërkombëtare.
Përtej garës sportive, ky angazhim dëshmon edhe rëndësinë e mbështetjes së diasporës për zhvillimin e sportit dhe krijimin e mundësive të reja për talentet e reja të vendlindjes.
