Gjithnjë e më shumë nxënës në Has po përfitojnë nga mbështetja konkrete e Diasporës Hasjane në fushën e arsimit. Pas sigurimit të 70 laptopëve për gjashtë shkolla 9-vjeçare të zonës, ka vijuar procesi i shpërndarjes së pajisjeve, duke u krijuar nxënësve dhe mësuesve mundësi më të mira për të përdorur teknologjinë në procesin mësimor.
Në kuadër të bashkëpunimit mes Zyrës Vendore Arsimore Has dhe Diasporës Hasjane, laptopë janë dorëzuar këtë herë në shkollën 9-vjeçare “Sali Hajdari”, në Helshan, dhe në shkollën 9-vjeçare “Ramadan Nezaj”, në Perollaj.
Këto pajisje janë pjesë e donacionit prej 70 laptopësh, të siguruar falë angazhimit dhe lobimit të Diasporës Hasjane pranë një shkolle në Angli, e cila vendosi t’i dhurojë ato në mbështetje të komuniteteve shkollore në vendlindje.
Projekti përfshin gjashtë shkolla 9-vjeçare në Has: “Sali Hajdari”, Helshan; shkollën e Letajt; “Ramadan Nezaj”, Perollaj; “Rexh Bajraktari”, Vlahën; “Liman Mazrreku”, Vranisht dhe “Rexhep Hoxha”, Tregtan.
Pajisjet kompjuterike do t’u vijnë në ndihmë nxënësve për të pasur më shumë akses në teknologji, për të zhvilluar aftësitë digjitale dhe për të realizuar më lehtë detyrat, projektet dhe aktivitetet mësimore. Në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e rëndësishme e edukimit, ky donacion përfaqëson një mundësi konkrete për përmirësimin e kushteve të të nxënit dhe zgjerimin e njohurive të brezit të ri.
Për dorëzimin e pajisjeve në shkollat përfituese ishte i pranishëm kryetari i Diasporës Hasjane, Shefqet Kraja, së bashku me koordinatorët Uran Derri dhe Ilir Brasha. Ata u pritën nga stafet pedagogjike të shkollave dhe përfaqësuesit e Zyrës Vendore Arsimore Has, Ardjan Xhaferi, drejtor i këtij institucioni, dhe Jetmir Qaushi, specialist në Sektorin e Monitorimit të Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional.
Një kontribut të veçantë në realizimin e këtij projekti ka dhënë edhe Redvan Transport, i cili mundësoi transportin falas të laptopëve nga Anglia drejt vendlindjes.
Përmes këtij projekti, Diaspora Hasjane dëshmon edhe një herë se lidhja me vendlindjen merr vlerë të veçantë kur shndërrohet në mbështetje konkrete për komunitetin. Nisma do të vijojë me shpërndarjen e pajisjeve edhe në shkollat e tjera të përfshira në këtë donacion, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe duke kontribuar në krijimin e më shumë mundësive për fëmijët e Hasit.
Investimi në arsim, dije dhe teknologji është investim në të ardhmen e vendlindjes!
