Si një “ushtri e padukshme” prej 455 mësuesish mbajti gjallë gjuhën dhe identitetin shqiptar në Has – rrëfimi i Prof. Dr. Besim Muhadrit për sakrificat, vazhdimësinë dhe amanetin e arsimit kombëtar.
Java që po lëmë pas shënoi një moment të veçantë, siç është promovimi i librit “Hasi – Katër Shekuj Shkollë dhe Arsim Shqip” i autorit Besim Muhadri, një ngjarje me vlera të veçanta historike, arsimore dhe kombëtare për Hasin dhe për mbarë shqiptarët. “Diaspora Hasjane” gjen rastin të sjellë një intervistë unike me Prof. Dr. Besim Muhadri rreth detajeve të botimit dhe të pathënave.
Pse vendosët t’i kushtoni një libër të tërë historisë së arsimit shqip në Has?
Besim Muhadri: Vendimi për këtë libër nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i një bindjeje të gjatë se Hasi ka qenë një nga vatrat më të rëndësishme të dijes dhe të arsimit shqip, pa e pasur ende një trajtim të plotë monografik. Në historinë tonë kombëtare, shpesh janë trajtuar qendrat e mëdha, ndërsa krahinat si Hasi, megjithëse me kontribut të jashtëzakonshëm, kanë mbetur në hije. Ky libër synon pikërisht ta korrigjojë këtë padrejtësi historiografike. Libri “Hasi – katër shekuj shkollë dhe arsim shqip” është një përpjekje për të dëshmuar se ruajtja e gjuhës dhe e identitetit shqiptar nuk ka qenë vepër e rastit, por një proces i gjatë, i mbështetur mbi sakrifica të mëdha dhe mbi përkushtimin e brezave të tërë mësuesish.
455 mësues në një libër – a kemi të bëjmë me një “ushtri të padukshme” të arsimit shqip?
Besim Muhadri: Po, dhe nuk mendoj se kjo është vetëm një metaforë letrare. Nëse e shohim në planin historik, këta mësues përbëjnë një strukturë të vërtetë mbrojtëse të identitetit kombëtar. Në mungesë të institucioneve shtetërore në shumë periudha historike, ishte pikërisht mësuesi ai që e mbajti gjallë gjuhën, kulturën dhe vetëdijen kombëtare.
Këta 455 apo edhe më shumë emra dhe biografi mësuesish janë dëshmi konkrete e një pune të vazhdueshme. Ata vepruan në kushte pushtimi, ndalimi të gjuhës shqipe, varfërie dhe presioni politik. Prandaj, përdorimi i termit “ushtri e padukshme”, siç e cilësoni ju, është një përkufizim i drejtë i rolit të tyre historik.
Si arritët të rindërtoni historinë arsimore të Hasit deri në shekullin XVII?
Besim Muhadri: Rindërtimi i kësaj historie është mbështetur në një ndërthurje burimesh: dokumente arkivore, kronika kishtare, studime shkencore dhe dëshmi indirekte që lidhen me veprimtarinë e klerikëve arbërorë.
Figura si Pjetër Bogdani, Ndre Bogdani dhe Pjetër Mazreku, i Plaku dhe i Riu, janë figura kyçe në këtë drejtim. Ata, përveç se autorë dhe figura fetare, ishin edhe organizatorë të mësimit në gjuhën shqipe. Dokumentet e shekullit XVII dëshmojnë qartë për ekzistencën e formave të organizuara të arsimit në këtë trevë.
Ndre Bogdani, përveçse prift dhe udhëheqës institucionesh fetare, për katër dekada me radhë ishte edhe një personalitet i kulturës shqiptare në shekullin XVII. Ai punoi shumë për arsimimin e popullit shqiptar, në përgjithësi, dhe në Kosovë e Has, në veçanti. Sipas informacioneve që jep nipi i tij, Pjetri, ai ishte hartues i një gramatike latinisht–shqip, por edhe misionar i hapjes dhe i udhëheqjes së shkollave shqipe që nga viti 1640 e deri kur ndërroi jetë më 1683. Duke qenë udhëheqës dhe mësues në këto shkolla, ai qe edhe hartues programesh dhe tekstesh shkollore për nevojat e fëmijëve që mësonin shqipen, në mënyrë që më pas të vazhdonin mësimet dhe shkollimin në kolegjet e rëndësishme të kohës, si në Itali, ashtu edhe në ndonjë vend tjetër.
Ndërkaq, Pjetër Mazreku (1584–1637), prelati arbëror i Kishës Katolike Romake, përveçse njohës i shumë gjuhëve dhe autor i një fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, dha një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën e arsimit shqip në shekullin XVII. Sipas informacioneve që kemi, nipi i tij dhe i Pjetër Bogdanit, Pjetër Mazreku i Ri (i vrarë më 1669), ishte mësuesi i parë i shkollës së Janjevës, e cila qe hapur në dhjetor të vitit 1665.
Pra, nuk kemi të bëjmë me një hipotezë, por me një ndërtim historik të bazuar në burime të besueshme, që e shtyjnë fillesën e arsimit shqip në Has dhe në Shqipëri në kohë shumë më të hershme sesa mendohej.
Si arriti Hasi të bëhet një model për arsimin në të gjitha trojet shqiptare?
Besim Muhadri: Hasi është një rast tipik dhe unik ku historia lokale përputhet me historinë kombëtare. Në këtë trevë mund të shihen të gjitha fazat e zhvillimit të arsimit shqip: nga shkollat e hershme kishtare, te përpjekjet e Rilindjes Kombëtare, te ndalimet gjatë regjimeve të ndryshme dhe deri te zhvillimi i arsimit modern.
Për më tepër, mësuesit hasjanë nuk kanë vepruar vetëm në vendlindje. Ata janë shpërndarë në gjithë hapësirën shqiptare, duke kontribuar në formimin e brezave në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë. Kjo e bën Hasin një model për të kuptuar zhvillimin e arsimit shqip në tërësi.
Tri figura që përfaqësojnë katër shekuj arsimi në Has?
Besim Muhadri: Zgjedhja është e vështirë, por në mënyrë simbolike mund të përmenden:
- Pjetër Bogdani – si figurë që lidh dijen, shkrimin dhe arsimin në gjuhën shqipe që në shekullin XVII;
- Shtjefën Gjeçovi – si përfaqësues i periudhës së Rilindjes dhe i përhapjes së arsimit kombëtar. Nuk ishte hasjan, por ishte thellësisht i lidhur me Hasin. Punoi si mështar, por dha mësim dhe përhapi idetë iluministe në Has dhe më gjerë;
- Brezat e mësuesve të shekullit XX, të cilët punuan në kushte të vështira politike, por arritën ta institucionalizojnë arsimin shqip.
Ky është edhe argumenti pse libri duhet të jetë në çdo shtëpi hasjane: ai është një pasqyrë e identitetit kolektiv.
A ishte ky libër një garë me kohën për të shpëtuar kujtesën?
Besim Muhadri: Në një masë të madhe, po. Gjatë hulumtimit u pa qartë se shumë të dhëna rrezikonin të humbnin bashkë me brezin që i kishte përjetuar. Kujtesa gojore, dokumentet familjare dhe dëshmitë individuale janë burime që zhduken nëse nuk dokumentohen në kohë.
Prandaj, ky libër është edhe një akt shpëtimi i kujtesës historike. Ai synon të ndalë harresën dhe të krijojë një bazë të qëndrueshme për studiuesit dhe brezat e ardhshëm.
Cili ishte momenti më prekës ose më befasues gjatë hulumtimit?
Besim Muhadri: Ka shumë, mirëpo një nga momentet më prekëse ishte zbulimi i mënyrës se si zhvillohej mësimi në periudha të ndalimit të arsimit shqip. Në shumë raste, mësimi zhvillohej në fshehtësi, në shtëpi private apo në ambiente fetare, duke rrezikuar ndëshkime të rënda, madje edhe burgosje dhe vrasje.
Ndërsa momenti më befasues ishte vazhdimësia e këtij procesi. Pavarësisht pushtimeve, ndarjeve territoriale dhe politikave shtypëse, arsimi shqip në Has nuk u ndërpre kurrë plotësisht. Ai u përcoll si një amanet brez pas brezi, duke dëshmuar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme kulturore dhe kombëtare.
