Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sh.T. Nicholas Abbott, ka zhvilluar një takim në bashkinë e Hasit me autoritetet e pushtetit vendor, ku i pranishëm ishte edhe Koordinatori i Diasporës “Hasjane”, Uran Derri. Kjo vizitë përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në turin e ambasadës në veri të vendit, pas ndalesave të mëparshme në Kukës dhe Tropojë.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Abbott vlerësoi potencialin e jashtëzakonshëm që rajoni i Hasit ofron për t’u zhvilluar më tej, në sajë të pasurive natyrore që zotëron. Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen e diplomatit britanik ishte roli i veçantë i “Diasporës Hasjane”.
“Ambasadori ka vlerësuar angazhimin e diasporës hasjane për vendlindjen, duke e marrë atë si një model që duhet ndjekur edhe në zona të tjera të veriut dhe kudo ku ka emigrantë që të kenë në fokus zhvillimin e vendit të origjinës,” — mësohet nga burime të pranishme në takim.

Nga ana tjetër, Koordinatori i Diasporës Hasjane, Uran Derri, u shpreh i hapur për bashkëpunim dhe i shpalosi ambasadorit planet konkrete të diasporës, duke përfshirë nismat për investime në vendlindje dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes Hasit dhe komuniteteve shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Derri theksoi se “Diaspora Hasjane” është e organizuar dhe e vendosur të kontribuojë në mënyrë të qëndrueshme për përparimin e rajonit.

“HASI, MË SHUMË SE THJESHT NJË ÇËSHTJE ZEMRE”
Ambasadori Abbott nuk ka kursyer as pyetjet me sens humori. Gjatë takimit, ai ka treguar kuriozitet për të mësuar se pse njerëzit në Has janë më të lumtur se sa në Kukës, duke sjellë një atmosferë më të relaksuar në diskutime.
Më tej, ai është ndalur edhe tek çështja territoriale, duke dhënë një paralelizëm të fuqishëm natyror. Sipas ambasadorit, ndarja territoriale sic flitet për bashkimin e bashkive në veri, nuk korrespondon me atë që ka falur natyra:
“Ajo që mendova këtë mëngjes, ndërsa vinim nga Kukësi, është se nuk ka asnjë mënyrë që dikush të mendojë se jeni në të njëjtën zonë. Malet e kanë vendosur! Po. Lumi dhe malet e kanë vendosur këtë! Ti hyn në luginë dhe është një vend tjetër. Dhe kjo është një çështje shumë më e madhe sesa thjesht për zemrën. Është për vendin: mënyra se si qendra menaxhon potencialin ekonomik është e përqendruar te përfituesit!”

Bashkia Has e gatshme për bashkëpunim
Kryetari i Bashkisë së Hasit, z. Miftar Dauti, prezantoi resurset dhe potencialet që ofron Hasi për zhvillim në fusha të ndryshme, duke vënë theksin tek roli i rëndësishëm që diaspora hasjane mund të luajë në zhvillimin ekonomik, social dhe promovimin e vendlindjes.
Në këtë frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, z. Dauti shprehu gatishmërinë e Bashkisë Has për të qenë gjithmonë bashkëpunuese dhe mirënjohëse ndaj çdo mbështetjeje dhe partneriteti në të mirë të komunitetit. Ai theksoi rëndësinë që Hasi të jetë në vëmendjen e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë, si një zonë me vlera, potencial dhe perspektivë zhvillimi.

Shqetësimi i diasporës për reformën territoriale
Kjo vizitë në Has, Kukës e Tropojë vjen vetëm pak ditë pas intervistës së dhënë në mediat shqiptare, ku ambasadori Abbott vlerësoi publikisht rolin e “Diasporës Hasjane” për vendlindjen dhe ngritjen e shqetësimeve që vijnë nga komuniteti hasjan për çështjen territoriale dhe fatin e vendit.
Në një bisedë të gjatë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Ambasadori Britanik foli hapur për herë të parë në lidhje me shqetësimin e komunitetit të Hasit lidhur me reformën territoriale. Ai rrëfeu një takim të veçantë me biznesmenë të diasporës hasjane në Mbretërinë e Bashkuar:
Ai theksoi se u befasua nga angazhimi dhe organizimi i tyre, duke shtuar: “Në fakt, është e vështirë që ta gjesh në një vend tjetër këtë lloj interesi nga një komunitet që interesohet ende për vendlindjen dhe për familjarët. Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar janë shumë afër.”
Partnerë për Përparim – angazhimi i vazhdueshëm
Kjo nuk është hera e parë që ambasadori Abbott viziton nga afër këto zona. Në vitin 2024, nën moton “Partnerë për Përparim”, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar organizoi një tur treditor investimi për të rinjtë në veri të Shqipërisë.
Gjatë asaj vizite, ambasadori Abbott dha një prononcim duke përkrahur sipërmarrjen dhe rritjen ekonomike, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar ka një angazhim afatgjatë për të mbështetur zhvillimin në Kukës, Tropojë, Has dhe në të gjithë Shqipërinë.
Turi i tanishëm i ambasadës së përkohshme konfirmon se Ambasada Britanike po punon për të gjetur mekanizma që të nxisin “Diasporën Hasjane” të investojë në vendlindje, për të krijuar fronte pune dhe zhvillim ekonomik në zonë. Gjithashtu, po shihen mundësitë se si të krijohen projekte për ura lidhëse ekonomike mes diasporës dhe Hasit.
Ky angazhim i vazhdueshëm dëshmon se Mbretëria e Bashkuar e sheh potencialin e veriut shqiptar dhe beson në fuqinë e diasporës si një shtytëse kryesore e ndryshimit pozitiv.

