Në vijim të dëgjesave publike të Komisionit Parlamentar për Reformën Administrative Territoriale, një zë i veçantë erdhi nga studiuesi dhe antropologu i njohur, Dr. Nexhat Çoçajaj, i cili vjen nga Hasi i Kosovës. Me argumente historike, demografike dhe kulturore, ai kërkoi nga komisioneri të kuptojë specifikën e Hasit si një hapësirë unike etnike, e cila shtrihet në të dy anët e kufirit shqiptaro-kosovar.
Popullimi i Hasit, pasojë e luftës në Kosovë
Dr. Çoçaj nënvizoi se shkak kryesor i çpopullimit të zonës ka qenë lufeta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Duke filluar nga Pogaj e deri në Letaj, nuk pati pëllëmbë toke e cila nuk ishte e paminuar nga forcat serbe. Qytetarët e fshatrave të Hasit u detyruan të largoheshin, sepse nuk kishin nga ta siguronin ardhmërinë,” deklaroi ai. Sipas antropologut, shpërngulja masive nuk ishte zgjedhje, por mbijetesë.
Ribashkimi natyral përmes martesave dhe rrugëve
Një nga argumentet më të fuqishme të Dr. Çoçaj ishte ai i ribashkimit të Hasit përmes lidhjeve familjare. “Vetëm brenda vitit 2025 kanë ndodhur 36 martesa mes Hasit të Kosovës dhe Hasit të Shqipërisë. Kjo flet për një bashkim të vërtetë – jo administrativ, sepse jemi në dy shtete – por si unitet e si etnitet,” tha ai.
Sipas tij, ndërtimi i rrugës deri në majë të Pashtrikut e ka afruar fizikisht Hasin, duke e bërë më të lehtë lëvizjen dhe duke krijuar kushte për investime të përbashkëta nga diaspora.
Trashëgimia e dëshmorëve dhe roli i internatit të Kosovës
Antropologu solli në vëmendje edhe një fakt tjetër të rëndësishëm: në Has ndodhen 110 familje të dëshmorëve nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët çdo vit kthehen për përvjetorë. “Ata vijnë në bashkinë e Hasit. Kjo tregon se Hasi nuk është thjesht një territor, por një shenjtërore e kujtesës kombëtare,” u shpreh ai.
Përveç kësaj, ai kujtoi se internati i Kosovës ka shkolluar breza të tërë që themeluan institucionet e shtetit kosovar. “Të gjithë themeluesit e institucioneve të Kosovës e konsiderojnë veten hasjanë. Hasi ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i bashkuar dhe unik,” përfundoi dr. Çoçaj.
Mesazhi për Komisionin e Reformës Territoriale
Studiuesi i kërkoi qartë komisionit që në procesin e rishikimit të njësive vendore të mos cënohet integriteti i Hasit. Sipas tij, bashkia e Hasit duhet të ruhet si njësi e vetme administrative territoriale, jo vetëm për arsye demografike, por për veçantinë e kulturës, historisë dhe lidhjeve ndërkufitare.
“Falë kontributit të mërgimtarëve dhe diasporës, djemtë e Hasit sot janë të gatshëm ta rindërtojnë dhe ta bashkojnë Hasin. Bashkia e Hasit do të jetë edhe më e fuqishme – një arsye më shumë që diaspora të investojë dhe ta ruajë Hasin,” deklaroi ai.
Zëri i dr. Nexhat Çoçaj u dallua për thellësinë antropologjike dhe për lidhjen e çështjes territoriale me identitetin, duke u bërë një thirrje për komisionin që të mos shikojë vetëm numrat e popullsisë, por edhe realitetet historike dhe ndërkufitare që mbajnë gjallë Hasin.
