Në një kohë kur shumë të rinj endërrojnë në këmbëngulje të paformuara, historia e Adisa Dauti nga Hasi, duket si një dritë e ndritur dhe e rrallë. Rruga e saj është një dëshmi e fuqisë së vullnetit dhe dëshirës së papërshkueshme për të ecur përpara. Dëshira e Adisës për të punuar dhe për të krijuar nuk është një ndjenjë e përkohshme, por një disiplinë e përditshme që ajo ka kultivuar që në moshë shumë të re. Projekti konkret i saj, “Art BY DISA”, nisi kur ajo ishte vetëm 14 vjeç, një mosha kur shumica e të rinjve janë ende në kërkim të vetes.
“Sapo kam mbaruar shkollën e mesme dhe tani po përgatitem të nis studimet e larta në Tiranë, në UMT. Krahas dëshirës për t’u bërë pjesë e fushës mjekësore, kam edhe një pasion që ma ka shoqëruar adoleshencën dhe që sot është kthyer në biznesin tim, biznesi i rezinës, “Art BY DISA”. Gjithçka nisi katër vite më parë, kur isha vetëm 14 vjeç. Një pasdite po shihja video me motrën time dhe pamë disa punime rezine që më mahnitën. Mendova: pse të mos e provoj edhe unë? Në Has nuk kishte njeri që bënte diçka të tillë dhe kjo më duket si mundësi për të sjellë diçka ndryshe.”- thotë Adisa për Diasporën Hasi.
Kjo ishte shkëndia e parë e një projekti konkret. Nuk mbeti në ide. Ajo filloi me pak materiale dhe një determinim të jashtëzakonshëm. Sot, katër vjet më vonë, ajo krijon një univers të tërë objektesh unike: nga dhurata personale dhe aksesorë të sofistikuar deri te dekoracionet e shprehës për shtëpi, të gjitha të përshtatura me stilin dhe dëshirat e specifika të secilit klient. Çdo punim i saj është një histori e mbyllur në një objekt; me ngjyra që flasin, me elemente natyrore si lule të thata që sjellin një erë autentike dhe me grimca shkëlqyese që kapin dritën, simbol i shkëndijës së krijimtarisë së saj.
“Fillova me pak materiale dhe shumë kuriozitet. Sot krijoj objekte unike dhurata personale, aksesorë, dekor për shtëpi gjithçka që mund të përshtatet me stilin dhe dëshirën e secilit. Çdo punim është i veçantë: me ngjyra, me elemente natyrore dhe me detaje që mbajnë një histori brenda tyre. Rezina është një material transparent që ngurtësohet dhe kthehet në formë të fortë, si kristal. E përziej me ngjyra, copa lulesh të thata, grimca të vogla shkëlqyese, pastaj e hedh në forma të ndryshme varëse, mbajtëse çelësash, tabaka të vogla, dekor për shtëpi. Pas disa orësh ose dhe ditësh tharjeje, e lëmoj dhe e lustroj derisa të duket e lëmuar dhe me shkëlqim. Çdo copë është unike, sepse ngjyrat dhe përbërësit nuk dalin kurrë njësoj.”-shprehet më tej vajza nga Hasi.
Procesi i punës së saj nuk është i thjeshtë dhe kërkon një durim të jashtëzakonshëm. Ajo përzien rezina, një material transparent që ngurtësohet si kristal, me ngjyra dhe elemente dekorative, e hedh në forma të ndryshme dhe e pret me kujdes derisa të marrë formën e dëshiruar. Pastaj, me durim, e lëmon dhe e lustron çdo pjesë derisa të arrijë një shkëlqim të përsosur. Me kohën, klientët e saj nuk kanë qenë vetëm nga Hasi, por kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, nga Kukësi e Tirana, madje edhe nga Kosova. Fakti që krijimet e saj kanë udhëtuar dhe kanë arritur të dhurojnë gëzim njerëzve në vende të ndryshme, është kjo që i jep kuptim të vërtetë punës së saj dhe e motivon për të ecur përpara.
“Në këto vite kam pasur klientë jo vetëm nga Has, por edhe nga Kukësi, Tirana e Kosova. Më gëzon fakti që krijimet e mia kanë udhëtuar në vende të ndryshme dhe i kanë dhënë gëzim njerëzve.”
Por për Adisën, ky është vetëm fillimi. Ajo nuk ndalon kurrë dhe gjithmonë ka një projekt të ri konkret në horizont. Ndër hapat e ardhshëm që ajo dëshiron të ndërmarrë është krijimi i një hapësire fizike krijuese. Ajo ëndërron për një vend ku të rinjtë e Hasit dhe anëveve të tjera të mund të vijnë, të provojnë dhe të mësojnë këtë art unik. Dëshira e saj nuk është vetëm të shesë, por të shpërndajë njohuri, të krijojë një komunitet dhe të frymëzojë të tjerët.
“Ndër hapat që dua të ndërmarr në të ardhmen është krijimi i një hapësire ku të rinjtë të mund të mësojnë këtë lloj arti. Dua të hap një hapësirë krijuese ku të rinjtë të mund të vijnë, të provojnë e të mësojnë vetë këtë art. Dua të sjell koleksione të reja, të bashkëpunoj me dyqane artizanale dhe të marr pjesë në panaire e evente ku puna ime mund të njihet më gjerë.”
Edhe pse e lidhur me shpirt me Hasin, ajo e pranon se nuk ka qenë e lehtë të zhvillonish diçka kaq inovative në një mjedis me mundësi të kufizuara. Por pikërisht këto sfida e kanë forcuar atë.
“Edhe pse Hasin e dua shumë, nuk është gjithmonë e lehtë të zhvillosh diçka të re këtu. Por pikërisht kjo sfidë më ka mësuar të jem këmbëngulëse, të gjej zgjidhje dhe të besoj te vetja.Faleminderit që më jepni mundësinë ta ndaj këtë rrugëtim është vetëm fillimi i një udhëtimi që shpresoj të rritet bashkë me mua.”
Talenti Hasjan e ndërton suksesin nga pak, çdo ditë, me duart e saj, duke lënë një gjurmë të qartë dhe frymëzuese për të gjithë të rinjtë që besojnë se me punë dhe projekte konkrete, çdo ëndërr është në dorë të arritshme. Ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të bukur që premton të rritet bashkë me të.
