Haziz Hodaj: Vlerësime edhe për pjesëmarrjen dhe lidhjen me diasporën hasjane
Festivali tradicional “Hasi Jehon”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës dhe folklorit shqiptar, ka zhvilluar edicionin e tij të 37-të me një pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Drejtori i Përgjithshëm i festivalit, Haziz Hodaj, ka dhënë një intervistë për Diasporën Hasjane ku ka sqaruar në detaje organizimin, përmbajtjen artistike dhe rëndësinë e këtij festivali që ka kaluar tashmë gjysmë shekulli jetë.

Në këtë edicion kanë marrë pjesë 22 ansamble, shoqëri kulturo-artistike dhe grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare. Pjesëmarrësit kanë ardhur nga jugu i Shqipërisë, krahinat e Matit, Dibrës, Beratit, Dumresë, Mirditës dhe Hasit, si dhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe diaspora shqiptare. Sipas organizatorëve, kjo pjesëmarrje e gjerë dëshmon karakterin mbarëkombëtar të festivalit dhe rëndësinë e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Sa i përket përmbajtjes artistike, Hodaj thekson se festivali ka karakter të pastër burimor dhe folklorik, ku të gjitha grupet kanë sjellë në skenë specifikat e traditave të tyre lokale. Çdo performancë është vlerësuar për autenticitetin dhe pasurinë artistike, duke e vënë në sfidë edhe jurinë profesionale. Sipas tij, janë vlerësuar më së shumti grupet që kanë përmbushur në mënyrë të plotë kriteret e festivalit.
Edhe këtë vit, skena e festivalit është pasuruar me një kolorit të veçantë të riteve, dokeve dhe zakoneve autentike nga krahinat e ndryshme shqiptare. Publiku ka pasur mundësinë të shijojë elemente të rralla të trashëgimisë kulturore të ruajtura ndër breza.

Interesi i publikut ka qenë gjithashtu shumë i madh. Çdo mbrëmje të festivalit kanë marrë pjesë mbi 3000 spektatorë, me mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Organizatorët theksojnë se mërgata shqiptare, duke njohur datat e festivalit, planifikon paraprakisht ardhjen për të qenë pjesë e këtij eventi kulturor.
Një vend të veçantë në program kanë zënë edhe lojërat dhe ritet popullore, të cilat janë pritur me shumë interes nga publiku. Loja e kapuçave, ritet e martesës dhe kanagjeqit, si dhe forma të tjera tradicionale të argëtimit popullor, kanë qenë ndër elementët më tërheqës të festivalit.
Një nga momentet surprizë të këtij edicioni ka qenë pjesëmarrja e një orkestre nga Belshi, e cila ka sjellë një interpretim të jashtëzakonshëm me instrumente popullore, ku veçanërisht është dalluar defi (dajrja).
Sa i përket ndikimit të festivalit në ruajtjen e identitetit kulturor, Hodaj thekson se përpjekjet e organizatorëve janë të vazhdueshme dhe “titanike” për të hulumtuar, kultivuar dhe prezantuar në skenë vlerat më autentike të folklorit shqiptar. Sipas tij, këto vlera po përcillen me sukses edhe tek brezat e rinj, të cilët po përfshihen gjithnjë e më shumë në interpretim.
Përgatitjet për këtë edicion kanë nisur që në fillim të vitit, përmes një procesi të kujdesshëm përzgjedhjeje dhe seleksionimi të programeve artistike. Qëllimi ka qenë sjellja në skenë e “ajkës” së folklorit burimor nga të gjitha viset shqiptare.
Një nga veçantitë kryesore të këtij viti ka qenë infrastruktura skenike, ku është ndërtuar një skenë gjigante me ndriçim dhe zërim perfekt. Çdo performancë ka pasur veçoritë dhe karakteristikat e veta, duke sjellë një program të larmishëm dhe cilësor.
Festivali “Hasi Jehon” ka një histori të gjatë, duke shënuar 50 vite jetë dhe 37 edicione të realizuara. Ai konsiderohet ndër festivalet më të vjetra dhe më të rëndësishme të këtij lloji në hapësirën shqiptare. Që nga viti 2022, festivali është i listuar si aset i mbrojtur në Departamentin e Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë.
Në përfundim, Haziz Hodaj e përshkruan “Hasi Jehon” si një institucion të rëndësishëm kulturor jo vetëm për Hasin, Prizrenin dhe Kosovën, por për të gjithë botën shqiptare. Sipas tij, ky festival është bërë një simbol i gjallë i trashëgimisë dhe identitetit kombëtar, duke bashkuar çdo vit artistë dhe artdashës nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
“Hasi Jehon” vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, duke dëshmuar fuqinë e traditës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj për brezat që vijnë.




