Diaspora Hasjane vijon përpjekjet e saj për të qenë një urë lidhëse dhe ndihmuese mes komunitetit jashtë vendit dhe vendlindjes. Këtë herë, mbështetja vjen në fushën e arsimit, me sigurimin dhe dhurimin e 70 laptopëve, të cilët do t’u shpërndahen gjashtë shkollave 9-vjeçare në Has.
Pajisjet janë siguruar falë lobimit dhe angazhimit të Diasporës Hasjane pranë një shkolle në Angli, e cila ka vendosur t’i dhurojë pajisjet për t’u ardhur në ndihmë nxënësve dhe komuniteteve shkollore në vendlindje.
70 laptopët do të shkojnë në shkollat:
- Shkolla 9-vjeçare “Sali Hajdari”, Helshan
- Shkolla 9-vjeçare, Letaj
- Shkolla 9-vjeçare “Ramadan Nezaj”, Perollaj
- Shkolla 9-vjeçare “Rexh Bajraktari”, Vlahën
- Shkolla 9-vjeçare “Liman Mazrreku”, Vranisht
- Shkolla 9-vjeçare “Rexhep Hoxha”, Tregtan

Në një kohë kur teknologjia dhe informacioni janë pjesë e pandashme e procesit të edukimit, këto pajisje përbëjnë një mundësi të rëndësishme për nxënësit. Ato do t’i ndihmojnë fëmijët të kenë më shumë akses në teknologji, të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale dhe të punojnë më lehtë me projektet dhe detyrat që lidhen me kurrikulat mësimore.
Ky kontribut është një tjetër dëshmi e përpjekjeve të vazhdueshme të Diasporës Hasjane për të mbështetur vendlindjen në fusha të ndryshme dhe për të krijuar ura konkrete bashkëpunimi mes komunitetit hasjan në diasporë dhe brezave të rinj në Has.
Një falënderim i veçantë shkon për Redvan Transport, i cili mundësoi transportin falas të laptopëve nga Anglia drejt vendlindjes, duke kontribuar në realizimin e këtij projekti.
Diaspora Hasjane do të vijojë të lobojë, të bashkëpunojë dhe të ndërtojë ura që sjellin mbështetje konkrete për komunitetin dhe veçanërisht për brezin e ri, sepse investimi në arsim, dije dhe teknologji është një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e vendlindjes.
Për dorëzimin e pajisjeve ishte i pranishëm kryetari i Diasporës Hasjane, Shefqet Kraja, së bashku me dy koordinatorët, Uran Derri dhe Ilir Brasha. Ata u pritën nga stafet e shkollave dhe nga përfaqësuesit e Zyrës Arsimore Has: Ardjan Xhaferi – Drejtor i Zyrës Arsimore dhe Jetmir Qaushi – Specialist në Sektorin e Monitorimit të Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional.












