Në zemër e Malësisë së Veriut, Rrethi i Hasit shquhet jo vetëm për bukuritë e tij natyrore, por edhe për një pasuri të jashtëzakonshme nëntokësore. Një diversitet gjeologjik i shkëmbinjve gëlqerorë,magmatikë dhe metamorfikë e ka bërë këtë zonë të njohur për burimet e bollshme minerale, të cilat, mbeten në masë të madhe të papërfituara ose me shfrytëzim të kufizuar.
Pasuria Nëntokë e Hasit
Sipas të dhënave, Hasi është një zonë e pasur me burime natyrose të papërtëritshme. Përveç mineraleve të ndryshme ndërtimore si argjila dhe gur gëlqeror, nëntoka e Hasit fsheh rezerva të konsiderueshme të
kromit, bakrit, hekur-nikelit (Fe-Ni) dhe nikel-silikatit (Ni-Si).
Sasia më e madhe e kromit njihet në zonën e Vlahnës, ku vendburimi është pjesë e masivit ofiolitik më të gjerë Tropojë-Has, i lidhur gjeologjikisht me vendburimet e Kam-Tropojës. Në masivin e Vlahnës
vlerësohen se ndodhen rreth 2.7 milion ton rezerva kromi me një pastërti që varion nga 18% deri në 38%.
Një vendburim tjetër i rëndësishëm është miniera e Qafë Perollit, e njohur për një sasi prej rreth 560 mijë ton kromiti me një cilësi edhe më të lartë, ku përmbajtja e pastërtisë arrin 26%-40%.
Bakri i Paprekur dhe Nikeli
Pasuria minerale e Hasit nuk kufizohet vetëm te kromiti. Sipas studimeve, në Golaj gjenden rezerva masive bakri, të vlerësuara në rreth 4.5 milion ton. Këto rezerva mbeten kryesisht të pashfrytëzuara,
kryesisht për shkak të mosfunksionimit të minierës së vendit.
Gjithashtu, fshatrat Vranisht, Vlahë dhe më së fundmi Cahan, njihen për nëntokën e tyre të pasur me hekur-nikel (Fe-Ni), duke treguar potencialin e mëtejshëm të rajonit për shfrytëzim të diversifikuar
minerar.
Shfrytëzimi dhe Realiteti Aktual
Aktualisht, në territorin e Bashkisë Has operojnë 9 subjekte me leje për nxjerrjen e mineralit të kromit dhe 2 subjekte me leje për mineralin e Fe-Ni dhe Ni-Si. Territori total i mbuluar nga këto leje
minerare arrin në 12.119 km², që përfaqëson 3.03% të sipërfaqes së tërë bashkisë.
Një investim i rëndësishëm në sektor është fabrika e përpunimit të kromit në fshatin Perollaj. Kjo fabrikë ka një kapacitet përpunimi teorik prej mbi 50 mijë tonësh në vit. Megjithatë, kapaciteti aktual i
shfrytëzimit është shumë më i ulët; fabrika aktualisht prodhon vetëm 220-270 ton koncentrat në vit, por me një cilësi shumë të lartë (49-52% Cr₂O₃) dhe ofron punë për 35 punonjës.
Ky kontrast midis potencialit dhe realitetit e bën të qartë se, për të çliruar vërtetë pasurinë e Hasit, është e nevojshme jo vetëm investimi privat, por edhe një kuadër ligjor që i jep pushtetit lokal rol më
aktiv dhe vendimmarës në menaxhimin e burimeve natyrore. Bashkia Has ka autoritet shumë të kufizuar në administrimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore të papërtëritshme.