Një tjetër histori suksesi me origjinë shqiptare po shkruhet në futbollin anglez. Armend Muslika, i riu me origjinë nga Hasi i Shqipërisë, ka firmosur kontratën e tij të parë profesionale me Tottenham Hotspur, duke hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij sportive.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi anglez, i cili, përmes një njoftimi zyrtar, ka uruar 17-vjeçarin për këtë arritje: “We’re delighted to announce that Armend Muslika has signed his first professional contract with the Club. Congratulations, Armend.”

Rrugëtimi i Muslikës është një histori e punës, talentit dhe përkushtimit. I lindur më 8 mars 2009 në Brenogë, njësia administrative Fajzë, në zonën e Hasit Armendi u zhvendos në Angli dhe iu bashkua akademisë së Tottenhamit në moshën 13-vjeçare. Që prej atëherë, ai ka avancuar hap pas hapi në strukturat e klubit, duke spikatur me paraqitjet dhe golat e tij.
Gjatë sezonit 2024/25, me ekipin U16 të Tottenhamit, Muslika shënoi 16 gola, një statistikë mbresëlënëse për një mesfushor. Performancat e tij i dhanë mundësinë të ngjitej në ekipin U18, ku bëri debutimin në fund të atij sezoni.
Sezoni 2025/26 do të ishte edhe më i veçantë për talentin shqiptar. Muslika u shndërrua në një prej lojtarëve kryesorë të Tottenham U18 dhe përfundoi sezonin si golashënuesi më i mirë i ekipit në kampionat, me 15 gola në 24 ndeshje. Një prej paraqitjeve më të spikatura ishte ajo ndaj Ëest Bromëich Albion, ku ai realizoi plot katër gola.
Paralelisht me rrugëtimin në Angli, Armend Muslika ka përfaqësuar edhe Shqipërinë në nivelet e moshave, duke vijuar të mbajë lidhjen me vendin e origjinës.
Sot, në moshën vetëm 17-vjeçare, Muslika ka hedhur hapin e parë drejt futbollit profesionist. Firma me Tottenham Hotspur është një moment i rëndësishëm jo vetëm për të dhe familjen e tij, por edhe për komunitetin shqiptar dhe veçanërisht për Hasin, nga ku ka origjinën familja e tij.

Nga një djalë me origjinë nga Hasi, te një prej akademive më të njohura të futbollit anglez, historia e Armend Muslikës është një shembull se talenti, puna dhe këmbëngulja mund të hapin rrugën drejt skenës së madhe.
Diaspora Hasjane i uron suksese të mëtejshme dhe e inkurajon të vazhdojë përpara me të njëjtin përkushtim, duke synuar gjithmonë edhe më lart.
