Nga Kruma e Hasit në skenat e teatrove dhe produksioneve ndërkombëtare, Kamber Mici ka ndërtuar një rrugëtim artistik që e ka mbajtur gjithmonë të lidhur me vendin ku u rrit. Aktori hasjan, i cili e përkufizon origjinën e tij si një pjesë të rëndësishme të identitetit artistik dhe njerëzor, ka bashkëpunuar me regjisorë e produksione nga vende të ndryshme dhe ka interpretuar role të karaktereve të forta, heronjsh dhe personazhesh antagoniste.
I lindur dhe i rritur në Krumë, Kamber Mici e nisi rrugëtimin drejt artit pas përfundimit të gjimnazit “Skënderbeu” në qytetin e Krumës, për të vijuar më pas studimet në Institutin e Lartë “Akademia e Arteve”, në degën Regji Teatri.
Për të, rruga drejt artit nuk ishte e trashëguar dhe as e lehtë. Vinte nga një qytet i vogël dhe nga një familje modeste, por pikërisht kjo e bëri edhe më të fortë lidhjen me origjinën dhe identitetin e tij hasjan.
“Jam nga Hasi” – identiteti që e ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit
Duke folur për “Diasporwn Hasjane”, Mici tregon se lidhja me vendlindjen ka qenë pjesë e pandarë e rrugëtimit të tij artistik.
Si e ruani lidhjen me origjinën dhe çfarë do të thotë Hasi për ju?
“Për dikë si unë që vjen nga një qytet i vogël dhe një familje modeste, nuk është aspak e lehtë të ndjekësh rrugën e artit, pasi nuk e kemi pasur të trashëguar, ashtu sikurse ndodhte tek pjesa më e madhe e studentëve që zgjidhnin të vazhdonin studimet për Artet. Kam parasysh këtu të gjitha degët: muzika, arti figurativ apo dhe ai skenik. Dhe natyrshëm, dashje pa dashje, gjatë gjithë rrugëtimit tim si student identifikohesha si Hasjani dhe sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë merrte peshë dhe vlerë ky personifikim, i cili më shoqëroi gjatë studimeve.Duke qenë se Hasjanët të cilët kanë mbaruar studimet për Arte numërohen me gishtat e dorës, kjo më ka bërë që ta ruaj me fanatizëm origjinën dhe, si e tillë, të ruaj dhe marrëdhënie të forta, duke nisur që nga prezantimi: ‘Po, jam nga Hasi’.”
Hasi, njerëzit dhe formimi i karakterit
Për Kamber Micin, Hasi nuk është vetëm vendlindja, por edhe një pjesë e formimit të tij si njeri dhe si artist. Ai kujton vitet e fëmijërisë në Krumë, njerëzit që e njihnin që atëherë dhe mbështetjen që thotë se nuk i ka munguar kurrë.
Sa ndikim ka pasur Hasi në formimin tuaj si njeri dhe si aktor?
“Të rritesh në një vend të vogël, modest, por i rrethuar nga një respekt dhe dashuri, e cila, për hir të së vërtetës, mua personalisht nuk më ka munguar kurrë nga Hasjanët dhe ata që më njohin e dinë fare mirë, pasi më mbajnë mend që fëmijë. Dhe këtë e them me modesti: unë kam qenë një fëmijë ndryshe nga të tjerët dhe shkëndijat për të ndjekur rrugën e artit i kam pasur që në vegjëli, gjë të cilën ma kanë vënë në dukje që atëherë dhe ma përmendin akoma sot ata që më njohin, më të rriturit.Jam rritur me shumë sakrifica dhe e them me krenari që kam qenë me fat që jam rritur në Krumë, pasi të gjithë njiheshim me njëri-tjetrin dhe, në një farë mënyre, kjo më ka ndihmuar t’i përballoj më mirë sfidat e asaj moshe dhe në formësimin e karakterit tim.Si i tillë, edhe rolet që kam pasur fatin t’i sjell në ekran apo dhe teatër, kanë qenë role të karaktereve të forta dhe heronjsh.Pra, të rritesh në Has, i rrethuar me njerëz të cilët karakterizohen nga virtyte dhe cilësi shumë të mira si besa, bujaria, mikpritja, toleranca dhe fisnikëria, natyrshëm që kanë ndikuar dhe në formimin e karakterit tim dhe natyrshëm kanë ndikuar dhe në formësimin e personalitetit tim.”
Nga Krumë në skenat ndërkombëtare
Karriera e Kamber Micit është shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë. Roli i parë profesional erdhi ndërsa ishte ende student në Akademinë e Arteve, kur u përzgjodh me audicion nga një regjisor gjerman për rolin kryesor në një produksion teatror në Këln të Gjermanisë.
Ishte një bashkëpunim mes Akademisë së Arteve dhe Akademisë Gjermane dhe vepra ishte melodrama “Besa”.
Si do ta përshkruanit karrierën tuaj deri në këtë pikë dhe cilat janë disa nga momentet që kanë përcaktuar rrugëtimin tuaj?
“Kam pasur fatin e madh që të kem larmishmëri bashkëpunimesh dhe role të ndryshme në karrierën time, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.Roli im i parë ka qenë gjatë kohës që isha student në Akademi. U përzgjodha me audicion nga një regjisor gjerman për të bërë rolin kryesor në Teatër në Këln të Gjermanisë, bashkëpunim i Akademisë së Arteve dhe Akademisë Gjermane, ku kisha rolin kryesor në melodramën e titulluar ‘Besa’. Ky ka qenë roli i parë i imi profesionist, i cili la gjurmë të thella tek unë dhe përballja e parë me publikun e huaj, gjerman. Më pas, në Teatrin Kombëtar, kam pasur fatin të kem rolin e heroit Merkucio, tek kryevepra botërore ‘Romeo & Julieta’ nga William Shakespeare, vepër e vënë në skenë nga regjisori italian Carlo Bruni. Më pas kam vijuar bashkëpunime me regjisorë të huaj, si amerikanë, kinezë, italianë, grekë, gjermanë, deri në serialin “The Hacker” një produksion nga mix shtetesh nga Middle East për kanalin televiziv MBC Channel.”
Nga personazhi te njeriu: Si ndërtohet një rol?
Mici ka interpretuar role të ndryshme, përfshirë edhe personazhe antagoniste. Për të, sfida e aktorit nuk është thjesht të interpretojë fjalët e një skenari, por të ndërtojë një personazh të besueshëm dhe të plotë.
Çfarë kërkoni nga vetja kur hyni në lëkurën e një personazhi që është krejt ndryshe nga ju?
“Për të mishëruar realisht një personazh filmi, aktori nuk duhet thjesht të ‘luajë’ atë që shkruhet në skenar. Duhet të ndërtojë një qenie njerëzore të besueshme, me psikologji, histori, dëshira, frikëra dhe mënyrën e vet të të jetuarit.
Unë do ta ndaja punën në këto shtylla:
1. Kupto kush është personazhi
Para se të mendosh si do ta luash, duhet t’i përgjigjesh:
- Kush është?
- Sa vjeç është?
- Nga vjen?
- Çfarë profesioni ka?
- Çfarë marrëdhëniesh ka me njerëzit?
- Çfarë ka përjetuar më parë?
- Çfarë e ka formuar si njeri?
- Çfarë fsheh nga të tjerët?
- Çfarë nuk do të pranonte kurrë për veten?
Biografia e personazhit është shumë e rëndësishme edhe kur nuk është e shkruar në skenar. Aktori duhet ta krijojë në mënyrë të besueshme.”
Çfarë mund të mësojë kinematografia shqiptare nga produksionet e huaja?
Përvoja e tij me produksione dhe regjisorë të huaj e ka njohur Micin me mënyra të ndryshme pune, por ai thekson se baza mbetet e njëjtë: disiplina dhe profesionalizmi.
Çfarë keni mësuar nga bashkëpunimet ndërkombëtare dhe çfarë do të dëshironit të shihnit më shumë në kinematografinë shqiptare?
“Ajo që i karakterizon të dyja është disiplina dhe profesionalizmi. Sigurisht, pastaj kur vjen puna tek buxhetet, ka një ndryshim të madh, pasi produksionet shqiptare krahasuar me ato të huaja kanë një diferencë të madhe në shifra mes njëra-tjetrës dhe, si rrjedhojë, kjo bëhet pengesë për të sjellë ‘Big Names’ në një produksion shqiptar, pasi je i kushtëzuar nga buxheti. Është e vërtetë që Shqipëria ka shumë personazhe interesantë, të cilët fare mirë mund të kenë vëmendjen e produksioneve gjigande të huaja, pasi kërkohet buxhet i madh për t’i realizuar. P.sh. Skënderbeu do të ishte shumë interesant të risillej në ekran në kohën e teknologjisë moderne, i luajtur nga ndonjë emër kolos hollivudian. Mbreti Zog gjithashtu ka një histori shumë interesante, apo ish-diktatori famëkeq Enver Hoxha e të tjerë, apo Ali Pashë Tepelena e sa e sa të tjerë që, fatmirësisht, Shqipërisë nuk i mungojnë. Pra, mendoj që këtu duhet të jetë dhe vëmendja e Qendrës Kinematografike Kombëtare, që të hartojnë politika të dedikuara për të përfshirë produksione të huaja në bashkëpunim me QKK, që të risjellin personazhe të tillë në vëmendjen e gjithë botës nëpërmjet kinemasë.”
Aroni, djali që ka provuar aktrimin dhe po ndjek teknologjinë
Kamber Mici flet edhe për djalin e tij, Aronin, i cili ka provuar aktrimin, por aktualisht po ndjek rrugën e teknologjisë dhe IT-së. Ai ka marrë pjesë në dy produksione filmike.
Çfarë do t’i thoshit atij dhe të rinjve të Hasit që kanë talent, por ndoshta mendojnë se duhet të largohen nga vendlindja për të realizuar ëndrrat?
“Po, është e vërtetë, Aroni, djali im, vazhdon Institutin ‘Harry Fultz’, në vitin e dytë për Teknologji Informatike dhe ka marrë pjesë në 2 produksione filmike. ‘Boxing Kid’, me regji të Louis Mandylor, realizuar në Prishtinë, dhe filmi ‘Vija e Verdhë’, me regji të Ajola Daja dhe Adrian Guri, një film i financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Jo vetëm djalit tim, por të gjithë të rinjve u them që të ndjekin ëndrrat e tyre, të besojnë dhe punojnë fort për to. Edhe nëse do të dështojnë njëherë, dy herë e me radhë, prapë të këmbëngulin dhe të mos dorëzohen kurrë, sepse pasioni i mban gjallë ëndrrat dhe ëndrrat e mbajnë gjallë njeriun.”
Mesazhi për të rinjtë hasjanë në diasporë
Për një artist që e ka mbajtur gjithmonë të fortë lidhjen me vendlindjen, mesazhi për brezin e ri të Hasit është i drejtpërdrejtë: origjina nuk duhet harruar.
“Të rinjve Hasjanë që ndodhen në diasporë u them që të ruajnë lidhjen me origjinën, me vendin e të parëve të tyre, me komunitetin hasjan, pasi origjina është ajo që të mëson mbi traditat, zakonet dhe dialektin që e kemi aq unik.Flisni sa më shumë shqip me familjarët tuaj, mos e harroni gjuhën dhe zakonet, të cilat e forcojnë dhe e mbajnë të lidhur secilin prej tyre me vendin e origjinës.”
“White Girl FM” dhe projektet e reja
Rrugëtimi artistik i Kamber Micit vijon me projekte të reja ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka marrë në dorë një skenar nga një regjisor anglez, të cilin e ka takuar në Cannes Film Festival.
Cilat janë projektet tuaja në vijim?
“Së fundmi kam marrë në dorë një skenar nga një regjisor anglez, të cilin e kam takuar në Cannes Film Festival. Më ka propozuar që të luaj rolin kryesor në filmin me metrazh të shkurtër ‘White Girl FM’. Xhirimet mendohet të zhvillohen në majin e vitit 2027 në Londër ose Manchester. Kam dhe disa projekte të tjera në duar, të cilat do t’i lëmë surprizë për publikun dhe lexuesin.”
EKSKLUZIVE PËR “DIASPORA HASJANE”: KAMBER MICI, NË ROLIN KRYESOR NË NJË FILM ARTISTIK QË DO TË XHIROHET NË VJENË
Në fund të intervistës, Kamber Mici ndan me lexuesit e “Diaspora Hasjane” një tjetër të re nga karriera e tij ndërkombëtare.
“Do të kem rolin kryesor në një film artistik që do të zhvillohet në Vjenë, Austri.”
Bëhet fjalë për një trilogji ku do të ketë aktorë nga tre shtete: Austria, Gjermania dhe Shqipëria. Mici do të jetë në rolin kryesor dhe i vetmi aktor nga Shqipëria në këtë produksion.
Xhirimet do të nisin në tetor në Vjenë.
Ky projekt i ri i shtohet një karriere që ka nisur në Krumë dhe është shtrirë në skena e produksione të ndryshme ndërkombëtare. Nga Hasjan që identifikohej me krenari me origjinën e tij gjatë viteve të studimit, te aktori që sot përfaqëson Shqipërinë në produksione ndërkombëtare, Kamber Mici vijon ta mbajë të pandarë nga rrugëtimi artistik edhe lidhjen me vendin ku u rrit.
Nga Kruma në skenat ndërkombëtare, historia e tij është një tjetër dëshmi se talenti mund të nisë nga një qytet i vogël, ndërsa ëndrra mund të të çojë shumë larg.



