Në një intervistë ekskluzive për “DIASPORA HASJANE”, Gold AG, reperi i famshëm nga Kosova, flet për lidhjen e veçantë me Hasin, procesin krijues pas këngës virale dhe mesazhin e fuqishëm të unitetit.
Kënga që ka shpërtheu që në fillim si një himn nëpër rrjetet sociale dhe në gjirin e diasporës, “Kadal se k’tu ka Hasjan” e Arian Agushi (Gold AG), është një përzierje e ndjenjave të thella dhe e historisë së shkruar me gjak. Vetë artisti na zbulon historinë pas kësaj vepre të fuqishme.
1. Një këngë për Hasin, Si lindi idea?
“Kënga për Hasin ka vite që më kërkohet nga dashamirët e këngëve të mija që i përkasin asaj ane,” shpjegon reperi. Emrin Has, e them të drejtën, për herë të parë e kam dëgjuar dhe lexuar në lagjen time në Preshevë, ku ishte afër shtëpisë sime furra ‘Hasi’. Sjelljet e atyre që punonin aty me ne ishin jashtëzakonisht të mira, sa që edhe pse isha i ri në moshë, u kujtoj të mirat dhe respektin e tyre.”
Lidhja e tij me rajonin u thellua me kalimin e kohës.
“Me kalimin e kohës, kur arrita të përjetoj dashurinë dhe ngrohtësinë në çdo trevë shqiptare, edhe koncertet dhe dasmat në Has ishin të pranishme dhe kërkesat ishin goxha të mëdha. E kam ndjerë si një obligim që historinë e lavdishme të Hasit, të Kosovës dhe të Shqipërisë ta përkufizoj me fjalët më të mira që kam mundur në një këngë, që të mbetet kujtim.”
Dhe reagimi i publikut nuk e ka lënë pa e vlerësuar.
“Kënga është pëlqyer mjaft shumë nga të gjithë dhe unë jam i nderuar sa herë shkoj në atë vend, sepse me të vërtetë mikpritja Hasjane është për çdo lavdërim.”- thotë reperi.

2. Teksti tregon një njohje të thellë historie dhe tradite. Cila është historia pas rreshtave që përmendin Adem Jasharin dhe Adem Mazrekun?
Gold AG zbulon se kënga është një dedikim i veçantë. “Kenga ‘Kadal se k’tu ka Hasjan’ është për dëshmorin e kombit, Adem Mazrekun. Kërkesa për këtë këngë është nga familja e dëshmorit, të cilën me një dashuri të madhe e kam shkruar dhe kompozuar.”
Ai thekson thelbin e unitetit që dëshiron të përcjellë: “Emri i dëshmorit Adem është i lidhur në tekst bashkë me emrin e Adem Jasharit. Domethënë, Hasi, Kosova, Shqipëria është një, dhe ka plot Adema. Saktësisht thuhet ‘për Ademin e Kosovës vjen Ademi i Shqipnisë’. Domethënë, Kosova ka nevojë për të gjithë Ademat, kudo që janë në trojet tona.”
3. A e shihni muzikën si një mjet për ta çuar këtë mesazh te brezi i ri?
Për Gold AG, muzika është një mjet edukimi dhe trashëgimi. “Këngët e mija ndoshta sot mund të paragjykohen, por do të vijë një ditë ku historia do të mësohet nga këto dhe shumë të tjera nga artistë të tjerë. Besoj që kënga ka rol të veçantë në historinë e kombit tonë; edhe unë personalisht shumë heronj i njoh nga këngët hershme. E pra, edhe këto të mijat do të jenë burim frymëzimi për gjeneratat e reja, sepse në shkolla nuk mësohet fare histori, as minimalisht për të kaluarën tonë të lavdishme.”
4. Çfarë reagimi keni marrë nga dëgjuesit, veçanërisht nga hasjanët?
“E ceka edhe më herët se dashnia që më japin hasjanët në përgjigje është e veçantë, dhe përveçse me mirësi, nuk mund ta ktheja ndryshe,” tha ai me një ndjenjë mirënjohjeje të thellë.
5. Përtej këngës, çfarë mesazhi keni për hasjanët?
“Mesazhi më i mirë është që unë personalisht të marr shembull nga ata për mikpritjen dhe respektin që i japin çdo kujti, po edhe mua poashtu. Dëshiroja që kjo traditë, besë dhe mikpritje që e kanë vetëm të shtohet, e kurrë mos të zbehet.”
6. A mund të zbulojmë për projekte të tjera muzikore në proces?
“Projekte ka të shumta në Nëntor e Dhjetor. Shpresoj që të pëlqehen dhe ta arrijnë çakun ku duhet.”
Teksti i plotë i këngës “Kadal se k’tu ka Hasjan”
(Për një eksperiencë më të plotë, këtu është teksti i këngës që ka shkaktuar një valë emocionesh.)
[Refren]
Sa herë msyn dushmani knena, mushen malet plot Adema
Ku je nis more dushman, kadal se ktu ka Hasjan
Sa herë msyn dushmani knena, mushen malet plot Adema
Ku je nis more dushman, kadal se ktu ka Hasjan
Histori e madhe në kto treva na ka ngja
Kem pranu me dek e mos me jetu me shka
E djemtë e Krumës, perballë çdo furtunës
Kurrë si kan duru kto regjimet e dhunës
Qysh mahet pushka e qysh ngrehet gishti
N’odat e t’parve ma msoi Vranishti
N’luftë për Kosovën mos dalsha n’vijë t’parë
M’vjen marre prej vetes me thonë jam Shqiptar
E tash more shkie tutnu prej hijes, se u mush kosova me djem Shqipnie
Me plumba e bomba e mbusha jelekun, O prite Kosovë Adem Mazrrekun
[Refren]
Sa herë msyn dushmani knena, mushen malet plot Adema
Ku je nis more dushman, kadal se ktu ka Hasjan
Sa herë msyn dushmani knena, mushen malet plot Adema
Ku je nis more dushman, kadal se ktu ka Hasjan
A e din kush janë djemtë e Shqipnisë
Ringjallen prej dheu si feniksat t’lirisë
Kushdo që msyn, trollin me na prek
S’kem dëshirë me rrnu sa kem dëshirë me dek
A me qef bir shkine ktu t’kisha dhon leje
Kam qef me t’pa tu m’cof para meje
E kam ni pushkë e moti se kam prek
Po kam tash qef pak ndryshkun me ja hek
Hajde po t’pres, ti lypum malit
Se unë po ta lypi ty lulën e ballit
Jam lule e lirisë për kufi te Shqiptarisë
Për Ademin e Kosovës vjen Ademi i Shqipnisë
[Refren]
Sa herë msyn dushmani knena, mushen malet plot Adema
Ku je nis more dushman, kadal se ktu ka Hasjan
Sa herë msyn dushmani knena, mushen malet plot Adema
Ku je nis more dushman, kadal se ktu ka Hasjan

