Kryetari i Bashkisë Has, z. Miftar Dauti, ka shprehur gatishmërinë e plotë të institucionit që drejton për të mbështetur dhe për të qenë partner strategjik i “Diasporws Hasiane”.
Në një fjalim të mbajtur gjatë një aktiviteti festiv në Londër, ku u mblodh komuniteti hasjan në Britaninë e Madhe, z. Dauti vuri në pah rëndësinë e bashkimit dhe kontributit të diasporës.
“Ju garantoj dhe ju premtoj që çdo nismë e juaj, mua si kryetar bashkie dhe administratën time, do na keni partner dhe mbështetës për të gjitha ato projekte që shoqata ‘Diaspora Hasiane’ do ndërmarrë,” deklaroi kryetari Dauti.
Ai theksoi se nisma e krijuar nga diaspora ka një domethënie shumë të madhe, duke qenë se me kontribute të vogla, të kombinuara, mund të realizohen punë të mëdha dhe shumë të domosdoshme për njerëzit në nevojë, si në vendlindje ashtu edhe brenda vetë komunitetit në diasporë.
Gjatë takimit, i cili u organizua me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit, kryetari Dauti falënderoi organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për dëshirën e tyre për të qëndruar të lidhur dhe për të dhënë kontribut.
“Kam bindje të plotë që së bashku do bëjmë shumë punë të mira dhe të domosdoshme për nevojat e komunitetit tonë në Has,” shtoi ai.
Kryetari i bashkisë i këshilloi gjithashtu komunitetin hasian në Londër të punojë i bashkuar, të forcojë lidhjet e brendshme dhe të krijojë lobin e vet, për të përfaqësuar më mirë interesat në institucionet lokale dhe qendrore britanike.
Fjalimi i kryetarit Dauti u prit me entuziazëm nga diaspora e pranishme, duke sinjalizuar fillimin e një bashkëpunimi të ri dhe të strukturuar midis Bashkisë së Hasit dhe përfaqësuesve të saj jashtë vendit.
Aktiviteti në Londër shënoi një hap historik në organizimin e komunitetit hasian në Britaninë e Madhe.
