Mobilizimi historik nga Londra në Tiranë i “Diasporës Hasjane” që mbrojti identitetin e Hasit
Socialistët kanë depozituar në Kuvend projektligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale, i cili parashikon uljen e numrit të përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Por në këtë hartë të re, Bashkia Has nuk zhduket – ajo vazhdon të ekzistojë si njësi më vete, duke i dhënë fund spekulimeve dhe shqetësimeve të muajve të fundit.
Projektligji i cili pritet të kalojë në procedurat parlamentare, përcakton qartë ndarjen e re territoriale të njësive të qeverisjes vendore. Sipas tij, Republika e Shqipërisë do të organizohet në 46 bashki dhe 12 qarqe.
Sipas tabelave bashkëlidhur projektligjit të siguruar nga “Diaspora Hasjane”, Qarku Kukës do të organizohet me 3 bashki (Kukës, Has, Tropojë), 3 qytete dhe 27 njësi administrative. Konkretisht, Bashkia Has përfshin 4 njësi administrative:
| Njësia administrative | Qytetet dhe fshatrat në përbërje |
| Krumë | Qyteti Krumë, Krumë, Gajrep, Cahan, Mujaj-Dajç, Zahrisht |
| Fajza | Fajza, Vranisht, Tregtan, Likeni i Kuq, Metaliaj, Brenogë |
| Gjinaj | Gjinaj, Pusi i Thatë, Myç-Has, Domaj, Pogaj, Kishaj |
| Golaj | Golaj, Nikoliq, Bardhaj, Perollaj, Vlahen, Letaj, Peraj, Dobrunë, Zgjeç, Qarr, Helshan, Kosturr |
Kjo konfirmon se struktura administrative e Hasit mbetet e pandryshuar dhe se bashkia do të vazhdojë të funksionojë me të 4 njësitë administrative që përbëjnë identitetin e saj.

Projektligji parashikon gjithashtu se organet e qeverisjes vendore të konstituuara pas zgjedhjeve të vitit 2023 do të vazhdojnë funksionimin deri në konstituimin e organeve të reja pas zgjedhjeve të vitit 2027. Zgjedhjet e vitit 2027 do të organizohen mbi bazën e ndarjes së re administrativo-territoriale, ku Bashkia Has do të jetë pjesë e kësaj strukture të re.

NJË BETEJË E GJATË E “DIASPORËS HASJANE“
Ky rezultat nuk erdhi rastësisht. Muaj me radhë, Diaspora Hasjane dhe komuniteti hasjan në përgjithësi kanë kundërshtuar me vendosmëri çdo mundësi të shkrirjes së bashkisë, duke parashtruar qindra argumente për ruajtjen e saj. Ata kanë qenë një zë i fuqishëm jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe përtej kufijve, me përfaqësuesit e tyre në Londër dhe Tiranë.
Tryezat e nivelit të lartë, dëgjesat publike dhe takimet diplomatike kanë qenë të shumta. Në një prej tyre, të organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane në Tiranë, me temën “Qeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, intelektualët dhe përfaqësuesit e komunitetit parashtruan qindra argumente, duke theksuar nevojën për një pushtet lokal më të fortë, të pavarur dhe të qëndrueshëm në Has, duke kundërshtuar njëzëri çdo mundësi copëtimi.
Dëgjesa publike e Komisionit të Reformës Territoriale në Kukës mblodhi jo vetëm banorë vendas, por edhe përfaqësues të shumtë të “Diasporës Hasjane”, të cilët ndoqën me shqetësim çdo hap që vinte nga Tirana.
Përfaqësues të lartë të “Diasporës Hasjane” zhvilluan takime me Ambasadorin Britanik në Tiranë, Sh.T. Nicholas Abbott, të cilit i përcollën shqetësimin e hasjanëve por edhe me Ambasadorin shqiptar në Londër Uran Ferizi. Ambasadori Abbott, i befasuar nga niveli i organizimit dhe përgatitjes profesionale të diasporës, shprehu mbështetjen e tij të plotë dhe u zotua se do të përgatisë një shkresë zyrtare drejtuar komisionit parlamentar për të përcjellë shqetësimin e komunitetit.
NJË FITORE E KOMUNITETIT DHE E ARGUMENTEVE
Fakti që maxhoranca socialiste ka dalë me një projektligj që ruan ekzistencën e Bashkisë Has është një dëshmi se zëri i komunitetit dhe argumentet e tij kanë peshuar. Kjo fitore nuk është thjesht administrative – është një fitore e identitetit, e lidhjes së diasporës me atdheun dhe e besimit se institucionet dëgjojnë qytetarët.
Bashkia Has, me 4 njësitë administrative Krumë, Fajza, Gjinaj dhe Golaj, do të vazhdojë të jetë një gur themeli i zhvillimit dhe i ruajtjes së trashëgimisë së kësaj treve, ashtu siç kanë kërkuar me vendosmëri bijtë dhe bijat e saj, kudo që ndodhen.
HAPAT NË VIJIM
Bashkive u kërkohet të shqyrtojnë propozimin, të paraqesin mendimin e kryetarit, të marrin një qëndrim në këshillin bashkiak dhe të organizojnë konsultimin me qytetarët. Çdo qëndrim, pro ose kundër, duhet të dëgjohet, të argumentohet dhe të bëhet pjesë e dokumentacionit që do t’i paraqitet Kuvendit. Bashkitë do të kenë 60 ditë në dispozicion për ta zhvilluar këtë proces. Ky nuk është fundi i procesit. Është momenti kur propozimi del nga Kuvendi dhe shkon aty ku duhet të diskutohet: në bashki dhe mes qytetarëve.
Diaspora Hasjane shpreh falenderimin e sinqertë për marrjen në konsideratë të kërkesave të saj dhe vlerëson angazhimin e çdo anëtari të komunitetit që u bashkua në këtë qëndresë disa-mujore. Kjo fitore është dëshmi se zëri i diasporës dhe i komunitetit, kur është i bashkuar dhe i argumentuar, dëgjohet dhe respektohet.



