Gjatë aktivitetit të dorëzimit të 25 mjeteve për personat me aftësi të kufizuara në Has nga “Diaspora Hasjane”, u mbajt edhe një tryezë diskutimi me të gjitha palët.

Të pranishëm ishin kryetari i Diasporës Hasjane, z. Shefqet Kraja, dhe anëtarë të tjerë si Mentor Bokçiu, z. Edmir Dida, z. Misin Dajçi, Ermal Karakushi, Uran Derri, Sokol Laçi, Fatmir Kastrati dhe Mustafa Ahmati.
Gjithashtu, të pranishëm në tryezën e diskutimit ishin Nazlie Laçi, sekretare e përgjithshme e Bashkisë Has, Liman Morina, drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Arberie Rada, drejtoreshe e Mbrojtjes Civile, Lordian Jupa, drejtor i shërbimit të Lëvizjes PAK, dhe drejtori i Shërbimeve, z. Bledar Lushi.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Dhomës së Diasporës Hasjane, z. Shefqet Kraja, tha se komuniteti i diasporës po tregon vullnet që kur bëhen bashkë mundën të realizojnë vepra me rëndësi për vendlindjen.

“Ne kemi ardhur sot në emër të diasporës Hasjane t’i falenderojmë të gjithë ato që e bënë të mundur këtë dhe patën mundësinë të kontribuojnë për pajisjet e personave me aftësi të kufizuara dhe shpresoj të bëjmë sa më shumë. Ne realisht jemi një popull i vogël, por me zemër të madhe.”
Z. Nazlie Laçi, në emër të kryetarit të bashkisë, u shpreh mirënjohje për kontributin, duke e vlerësuar atë jo vetëm si ndihmë materiale, por si një shprehje shprese dhe përfshirjeje për personat me aftësi të kufizuara.

“Unë si sekretare e përgjithshme, edhe në emër të kryetarit të bashkisë Has, z. Miftar Dauti, i cili për arsye pune nuk ishte sot këtu, gjej rastin t’ju falenderoj për kontributin që po jepni. Keni prekur pikën më delikate të shoqërisë tonë në rrethin e Hasit. Personat që po e vuajnë edhe pjesën shëndetësore edhe emocionale. Ky nuk është thjesht një ndihmë materiale, por është një shpresë për ata. Shikohet që edhe ata janë pjesë e shoqërisë. Prandaj, për ju mirënjohja është e pakufishme. Besoj që bashkëpunimi me ju do të jetë i vazhdueshëm.”
Në Has janë me dhjetëra persona me aftësi të kufizuara, por mjetet e ofruara nga Diaspora Hasjane japin zgjidhje të drejtpërdrejtë lëvizje për shumicën prej tyre.
Liman Morina, drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, tha se ka qenë gjithmonë i bindur se Diaspora Hasjane do të jepte kontribut për vendlindjen.

“Jam shumë i kënaqur sepse kam menduar që do të bënit diçka për Hasin. Siç e dini, Hasi është një vend edhe i varfër, sepse vetë vendi ku jetojmë ka shumë pak mundësi që njerëzit të kenë ekonomi të mira.”
Lordian Jupa, Drejtor i Shërbimit të Lëvizjes PAK, solli pak nga entuziazmi i përfituesve.

“Pas evidentimit të personave me aftësi të kufizuara dhe nevojës për pajisje, i kontaktuam dhe pas bisedës me ta, ishin mjaft entuziastë për këtë nismë dhe mezi prisnin që të përfitonin këto mjete.”
Z. Misin Dajçi u ndal tek transparenca që e shoqëron Diasporën Hasjane.

“Diaspora Hasjane, mbi të gjitha, nuk është një shoqatë humanitare, është një shoqatë për bashkimin e komunitetit. Duke bashkuar komunitetin lindin edhe mundësi që ne të ndihmojmë njëri-tjetrin. Si shembull që bashkimi mund të bëjë, ne kemi zgjedhur këtë shtresë që kanë shumë nevojë. Ne kemi cekur që në takimin e parë kur kemi bërë me gjithë diasporën: transparenca ka për të qenë një nga shtyllat kryesore të shoqatës. Duke thënë këtë, desha t’ju ndaj disa shifra konkrete që kemi bërë. Në atë takim që kishim më 30 nëntor, kishim një kuti që ishte kutia e bujarisë, edhe plus ushqimet dhe pijet që ne i shitëm – të gjitha ishin dhurata nga biznese të ndryshme. Nga kutia e bujarisë, në atë takim totali i të ardhurave që u mblodhën ka qenë afro 16,835 paun. Për fatin tonë edhe të atyre që sot përfitojnë, këto të ardhura që janë mbledhur koinciduan me shumën që na u kërkua për të plotësuar këtë projekt.”
Biseda më pas u pasua nga diskutime të rëndësishme se si mund të gjenden rrugët e bashkëpunimit në vijim për nisma të tjera për komunitetin, forma e menaxhimit të donacioneve dhe identifikimi i familjeve që janë vërtet në nevoja ekstreme ekonomike.

Për këtë u angazhua edhe drejtoreshja e Mbrojtjes Civile, Arberie Rada, e cila ndau me të pranishmit të dhëna konkrete për raste në nevojë në terren dhe ngriti edhe shqetësimin për moshën e tretë. Konkretisht, për mungesën e ambjenteve të dedikuara për moshën e tretë që ofrojnë shërbime bazë.

Diskutimet ishin të frytshme dhe me sytë nga e ardhmja, duke prekur si fillim shtresat në nevojë, duke nisur aty ku dhemb më shumë.

Harmonizimi i diskutimit mes Diasporës Hasjane dhe pushtetit lokal do të vazhdojë rregullisht për të mirën e komunitetit.

Të ftuar nderi gjatë këtij takimi ishin edhe Flutura Aliaj, drejtoreshë e Ansamblit “Pjetër Bogdani” në Has, dhe Imer Dauti, drejtor i Turizmit, Arsimit dhe Sportit, të cilët së bashku me artistët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në eventin e suksesshëm të 30 Nëntorit në Londër. Aliaj u ndal tek përshëndetja e të gjithëve që ndezën skenën e mbrëmjes në Londër.
Të pranishëm ishin edhe nga departamenti i komunikimit për Diasporën Hasjane, të cilët ndoqën zhvillimet më të fundit për t’i pasqyruar publikun.

